Komunitetet në Gjilan kanë kontribuar në krijimin e klimës pozitive
Gjilan- Komiteti për Komunitete në Gjilan ka dhënë kontribut të madh në relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike, pas luftës dhe në periudhën e deritashme 12-vjeçare, duke u shndërruar në një shembull të mirë edhe për komunat tjera. Kështu është thënë të premten, në një takim të Komitetit për Komunitete, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të kësaj trupe komunale nga përbërja e parë, drejtues të Policisë së Kosovës, përfaqësues të KFOR-it amerikan dhe turk, OSBE-së, shoqëria civile dhe të tjerë.
Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit, ka thënë se Komiteti për Komunitete e ka kryer në mënyrën më të mirë të mundshme mision e vetë në këto 12 vite dhe për këtë e ka kompliementuar kryesuesin Kemajl Shahin, i cili ka ditur t`i bëjë bashkë të gjitha komunitetet dhe t`i inkurajojë ato që të punojnë bashkë për të ardhmen, gjatë këtyre 12 viteve të deritashme, që kur ai ndodhet në krye të Komitetit.
Omer Daku, nënkryetar i Komunës, ka thënë se ky angazhim i përbashkët ka bërë që të gjithë ne sot të jemi në një pozitë shumë më të mirë se sa në vitet 2001, kur ka filluar punën ky Komitet. Ai ka thënë se Shahin është mbështetur në krye të Komitetit, jo vetëm nga anëtarët e Komitetit, por edhe nga udhëheqësit komunalë.
Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, njëherësh zëvendësministër i Brendshëm në qeverinë e Kosovës, ka thënë se këtij Komiteti i takon një meritë e veçantë që si shoqëri nuk kemi ngelur peng të viteve 1999, por kemi ecur përpara, drejt një të ardhme të përbashkët. Ai e ka cilësuar evropiane frymën që mbretëron në Gjilan dhe i ka ftuar të gjitha etnitetet që të punojnë së bashku si qytetarë, pavarësisht dallimeve nacionale që i kemi ndërmjet vete.
“Të kaluarën duhet t`ua lëmë historianëve, ndërsa ne duhet t`i kthemi të ardhmes”, ka thënë Zeka.
Elmina Mahmuti, komandante regjionale e PK-së në Gjilan, ka thënë se siguria e përgjithshme është e mirë dhe meritat për këtë i ka adresuar edhe te ky Komitet, i cili me punën e tij ka reflektuar pozitivisht në gjendjen e përgjithshme. Ajo i ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë në çështjet e sigurisë, sepse kështu mund të parandalohen shumë aktivitete kriminale.
Në emër të PK-së, Mahmuti i ka dorëzuar Mirënjohje kryesuesit të Komitetit, Kemajl Shahin, duke thënë se siguria e përgjithshme në Gjilan, është meritë edhe e punës së mirë që ka bërë ky Komitet dhe ai personalisht.
Selim Selimi, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal për Komunitete, u shpreh i kënaqur me përfaqësimin e komunitetit turk në institucionet komunale dhe shoqërinë e këtushme, në përgjithësi, duke thënë se ata janë angazhuar në vazhdimësi për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta dhe për këtë shembulli më i mirë është Kemajl Shahin, i cili për 12 vite ka drejtuar një Komitet shumë të rëndësishëm.
Millan Stojanoviq, nënkryetar i Komunës për Komunitete, ka thënë se të gjithë ne që jetojmë në këtë vend, duhet ta kuptojmë se Kosova ishte një projekt dhe realitetin e sotëm ta njohim si të tillë. Tani duhet t`i kthehemi ekonomisë dhe zhvillimit dhe bashkërisht të lobojmë për sa më shumë investime, ka thënë ai.
Kurse, Kamajl Shahin, duke rikujtuar disa nga aktivitetet e kaluara, tha se vetëm në vitin 2001 kemi mbajtur 184 takime. Për këto vite janë kryer shumë punë dhe janë realizuar shumë projekte, por ende kemi punë për të bërë. Tani duhet të punojmë më shumë në ofrimin e të rinjve, sepse e ardhmja u mbetet atyre, ka thënë Shahin, ndërkohë që ka falënderuar anëtarët e të gjitha përbërjeve të deritashme të Komitetit, për ndihmën që i kanë dhënë atij, që nga ditët e para, duke rikujtuar se asokohe ishte shumë më vështirë të punosh së bashku.
Ai është zotuar se do të vazhdojë të punojë në këtë frymë edhe në të ardhmen, sepse kjo është interes i përbashkët dhe i përgjithshëm në komunën e Gjilanit, që sot vlerësohet si shembull i mirë jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion. /rajonipress/


