RCCOLA

Komunitetet i japin përkrahje kërkesës së fshatit Dobërçan për kanalizim

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Komiteti për Komunitete i ka rekomanduar Drejtorisë së Shërbimeve Publike që të gjejë një zgjidhje për problemin e ujërave të zeza në fshatin Dobërçan, që në këtë trupë komunale erdhi për shqyrtim si kërkesë e këshillit të fshatit.

Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, ka thënë se në këtë fshat jeton komuniteti turk dhe shqiptar dhe ata kanë nevojë për rregullimin e kanalizimit në një gjatësi prej 100 metra, duke e cilësuar të drejtë shqetësimin e tyre.

Ibish Ibishi,(foto) përfaqësues i fshatit, anëtar i Kuvendit Komunal, duke e arsyetuar kërkesën, ka thënë se banorët e Dobërçanit janë kontribuues të rregullt në buxhetin e Komunës, përmes taksave të tyre dhe ata meritojnë t`iu zgjidhet ky problem.

“Bëhet fjalë për një kanal të hapur në gjatësi prej 100 metrave, ku lëshohen kanalizimet dhe ujërat e zeza”, ka thënë Ibishi, duke kërkuar një zgjidhje të përhershme për këtë problem.

Mobi Casa

Kërkesa është mbështetur edhe nga anëtarët tjerë të Komitetit për Komunitete. Shefik Surdulli tha se projekti i kanalizimit në këtë fshat është i nevojshëm si për komunitetin turk, ashtu edhe për shqiptarët.

Përndryshe, në fshatin Kmetoc, ku pos shqiptarëve jeton edhe komuniteti serb, është duke u realizuar projekti i ujësjellësit. Tomisllav Naskoviq tha se në këtë lokalitet është kryer ndriçimi publik, fusha e sportit, ura që lidh disa familje, ndërkohë është duke u kryer rrjeti i ujësjellësit.

Sa i përket situatës së sigurisë, në komunën e Gjilanit, ajo u vlerësua e qetë dhe stabile nga përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, togeri Feriz Abazi. Ai kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve në ruajtjen e kësaj klime të mirë që është krijuar në Gjilan./rajonipress/