FITORJA

Komunikojmë nën represion

/ 8 minuta lexim
GRANDEMALL

Nga Xhemal Ahmeti – U tha: njeriu si individ është qenie e ngarkuar me emocione dhe nuk ka ende medikament që neutralizon atë si të tillë (zoti na ruajt!). Ndoshta për këtë arsye islandezët aq herët janë mbledhur në Thingvellir-in (parlament) e tyre dhe kanë ushtruar dëgjimin e përqendruar dhe diskutimin vetëm në sajë të fakteve. Ata qysh në shekullin e dhjetë i kanë caktuar rregullat dhe ligjet se çka lejohet publikisht (para atyre 5 mijë kuvendarëve – masës) e çka jo. Se ku lejohet një stil i tillë, si ky i joni, e ku ai është afektiv, i panevojshëm dhe madje dëmefabrikues?

1.Shkruhet se islandezët e vjetër (930-1262) pritën shumë vite deri sa të deleguarit e tyre gjetën vendin më akustik të vendit për ta shpallur atë si Althing (Kuvend). Þingvellir – sot parku nacional afër Reykjavík-ut – quhej mali ku u vendos Lögberg (mali i gjyqësisë) dhe nga ku shpallte vendimet Lögsögumaður –i (shpallësi i vendimeve). Kushtin më themelor që pjesëmarrësi duhej ta plotësonte ishte dëgjimi pa ndërhyrje. Keq kalonte ndonjëri nga pesë mijë pjesëmarrësit që nuk mundej të përsëris fjalë për fjale atë që kishte dëgjuar.

Sepse për islandezët e vjetër, që kalonin dy javë në kuvend, ishte e një rëndësie kapitale që vendimet të kuptohen dhe shpërndahen drejtë, pa keqkuptime– kështu historiani Björn Björnsson në studimin e tij « Þingvellir», 1984. I njëjti potencon se kuvendarët mund të diskutonin mendimin e dikujt me një kusht: paraprakisht ata duhej të përsërisin sa më saktë atë që kishin dëgjuar.

Kanë lexuar islandezët e vjetër gjithë ato teori nga shkencat e psikologjisë dhe komunikimit për të ditur se qenia humane mezi kap si e sa duhet atë që dëgjon/lexon? Kanë ditur ata se njeriu bën jetën e skllavit të paragjykimeve, keqpërceptimit dhe keqinterpretimit të botës dhe jetës? Jo, nuk ka mundësi që ata të kenë studiuar shkenca. I sigurt është fakti se ata kanë zbuluar që herët se baza e çdo interaksioni social është kultura e dëgjimit të përqendruar dhe pastaj shprehja.

2.Si komunikojnë shqiptarët? A keni pasur përshtypjen ndonjëherë të jemi një temperament përherë nën diktatin e emfazës retorike: sapo hapim gojën apo mprehim lapsin shprehemi si armiqtë më kategorikë të çdo lloj eufemizmi, duam të kuptohemi drejt nga të tjerët, egër, brutalisht, ashtu siç edhe ndiejmë. Nëse aksidentalisht na del para ndonjë autor, bashkëbisedues apo politikan që para se të shprehet pushon ca sekonda dhe ne kuptojmë se është i asaj «racës» që nuk flet pa vënë në përdorim instrumentin e relativizmit, menjëherë ia vëmë vulën: as mashkull as femër! Frymë e mendje transvestiti. Oportunist. S’na pëlqen. Nuk na trazon ndjenjat. Duam ligjërues kategorikë. Të atillë që nuk diskutojnë por japin udhëzime se si duhet të marrë frymë populli, Zoti, qeveria dhe bota.

Pse sillemi kështu? Sepse së pari jemi njerëz dhe së dyti për shkak se kështu na kanë mësuar. Ku e kemi fjalën? Ndonjë shembull nga përvoja:

3.I lëmë teoritë, sepse asnjëra prej tyre nuk njeh temperamentin tonë më mirë se ne vetë. Hulumtojmë shqiptarçe. Ia bëjmë si islandezët e shekullit dhjetë.

Parafytyrojmë një skenë: katër shqiptarë në një tavolinë. Njëri prej tyre ka gazetë me vete. Titulli kryesor është marrë nga një kolumne që titullohet «Kryeministri hajn». Na intereson se si do të reagojnë katër lexuesit, dëgjuesit, perceptuesit e lajmeve. Diskutojmë titullin: «Kryeministri hajn«. Po i emërojmë personazhet tanë ashtu siç bën edhe Jeton Neziraj në dramat e tij të shkëlqyeshme, u japim emra që të na duken konkretë:

Blerimi (i skuqur dhe i nervozuar me titullin): Aiii, këto gazetat as ia vlen të lexohen më. Vetëm shpifin.

Bashkimi (i hutuar): Pse bre ç’ka po thotë, a e lexove a? Kush e ka shkruar bre? Apapa po le pash Zotin se kjo gazetarja i ka kërkuar post kryeministrit dhe tash nxjerr zjarr, helm e vrer. Vetë i ka fajet: ka rrejt se ka diplomë Amerike e as shkollën e mesme s’e kish kry. Po hajt le bre burrë.

Hidromorava

Shabani (buzëqeshur dhe në formë): Paj burrë pse bëhesh nervoz, krejt hajna janë.

Hyseni (indiferent): Leni bre ato punë shihni pash Zotin kamerieren, kuku…!

Pas njëzet minutave acarojnë fjalët Blerimi dhe Bashkimi (vëllezër) me Shabanin saqë ndërhyn policia. Hyseni shpëton situatën e nuk ndodh më e keqja. Falë kryeministrit aktual Blerimi dhe Bashkimi kanë poste të mira dhe status të rregulluar social. Për shkak të kryeministrit Shabani i partisë tjetër ka mbetur në rrugë. Titulli «Kryeministri hajn« nga të tre merret si kod, si mesazh për veprim. Dy të parët e mbrojnë apriori – pa lexuar komentin – kryeministrin sepse e ndiejnë si detyrë morale.

I treti e sulmon shefin e qeverisë sepse nuk reagon dot ndryshe kur kemi parasysh pozitën e tij. Që të tre reagojnë konform natyrës së species së tyre humane. Kështu sillen sepse janë njerëz. Gjithë njerëzit e kësaj bote reagojnë kështu. Kështu do të sillen njerëzit gjithmonë deri sa të mos jenë robotë.

3.Çfarë do të ndodhte sikur gazeta të shkruante: «Akuza të rënda ndaj kryeministrit» ose së paku titulli të kishte një pikëpyetje në fund të fjalisë, pra «Kryeministri hajn?». Madje edhe një pikëçuditje do t’i shkonte mirë. A do të ishin ngatërruar protagonistët tanë aq sa të na harxhonin me budallallëkun e tyre një pjesë të tatimit duke vënë kot në veprim policinë? Varet nga niveli dhe karakteri i individëve. S’ka garanci.

Ndoshta, po të mos ishte titulli absolut por ndërmjetësues (në stilin e së folurës indirekte: thonë se kryeministri është i korruptuar, ose ai është i korruptuar sepse ndryshe ekspertët, hulumtimet nuk shpjegojnë dot burimin e kapitalit të tij) ngatërrestarët do të kishin kapur gazetën së pari ta lexojnë e pastaj të diskutojnë. Ndoshta leximi do t’iu merrte aq energji saqë do t’ia mësynin shtëpisë për t’u kacafytur me flinë, piten apo «samunin».

Po qe se gazeta do të argumentonte pasurinë e pashpjegueshme të kryeministrit do të mbeteshin pa fjalë edhe vetë avokatët e tij, sepse do t’iu mungonte arsenali fakteve për të sqaruar se prej nga një njeri që para se të ishte kryeministër nuk kishte asnjë qindarkë e tash ka vila në vend, në Monako, firma gjithandej Evropës, nga ku, nga rroga e tij? Edhe nëse gazeta «ndjen», «dinë» për të pabërat e X ose të Y ajo nuk është instanca juridike që vendos për fajësinë apo shfajësinë e dikujt.

4.E gjetëm fajtorin? Janë mediat fajtore si bartëse të përgjegjësisë për përhapjen e kulturës së komunikimit? Janë politikanët fajtorë që flasin vetëm me paragjykime e shpifje? Jo patjetër vetëm ata. Gjendemi në rreth. Këtu ka hy dreqi – i thonë popullorçe. Gazetat kanë nevojë për kapital, respektivisht lexues politikanët për vota e ne na duhen arsye që t’i shkarkojmë frustrimet tona apo ta mbrojmë pozitën e dhuruar sociale. Shohim se që të gjithë ushqejmë njëri tjetrin. Të tre jemi aktorë integralë dhe të barabartë, pra kultivatorë të një komunikimi të keq sepse nuk iu përmbahemi rregullave elementare të komunikimit; nuk dëgjojmë për të vlerësuar, për të gjetur zgjidhjen, por për të shporrur sa më shpejtë në eter paragjykimin, mllefin dhe atë nga çdonjëra pozitë; ajo e qytetarit, gazetarit, politikanit, mësuesit, bujkut e kështu deri në kategorinë e fundit.

U tha: njeriu si individ është qenie e ngarkuar me emocione dhe nuk ka ende medikament që neutralizon atë si të tillë (zoti na ruajt!). Ndoshta për këtë arsye islandezët aq herët janë mbledhur në Thingvellir-in (parlament) e tyre dhe kanë ushtruar dëgjimin e përqendruar dhe diskutimin vetëm në sajë të fakteve. Ata qysh në shekullin e dhjetë i kanë caktuar rregullat dhe ligjet se çka lejohet publikisht (para atyre 5 mijë kuvendarëve – masës) e çka jo. Se ku lejohet një stil i tillë, si ky i joni, e ku ai është afektiv, i panevojshëm dhe madje dëmefabrikues?

Edhe pse 11 shekuj më vonë, ndoshta ende nuk është vonë që edhe shqiptarët t’i bëjnë ca rregulla në këtë drejtim. Si thoni?

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.