Komunave tona i duhet nga një muze…

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Sot më 18 maj është Dita Botërore e Muzeut. Qytetet e Luginës së Preshevës ende nuk kanë muze publik të themeluar nga Kuvendet Komunale të Komunave tona, përkatësisht nga drejtoratet e veprimtarive shoqërore, e që si rajon specifik siç është Lugina e Preshevës, doemos deri më tani është dashur të ketë secila komunë nga një muze, ku mund t’i ruajnë artefaktet me rëndësi historike kombëtare, kuptohet me ndihmën institucionale të shtetit dhe të dy shteteve tona , të cilat duhen ta ndihmojnë materialisht hapjen, mirëmbajtjen dhe punësimin e punëtorëve, të cilët do t’i mirëmbajtur këto muze.

Popullata shqiptare, rinia dhe të gjithë meritojmë të kemi muze, e që brezat e rinj t’i përcjellin me vëmendje ecejaket historike të popullit shqiptar me shekuj të tërë.

Duhet potencuar se disa individë në Preshevë kanë materiale me vlera arkeologjike, të cilat në mungesë të muzeut i mbajnë nëpër shtëpitë e tyre, e ato e kanë vendin aty ku ekspozohen për vizitorë dhe për popullatën shqiptare të kësaj pjese.

Vlen të përshëndetet iniciative e biznesmenit të njohur nga Medvegja, z. Muharrem Salihu, i cili kohë më parë ka hapur një muze privat e që do të jetë në shërbim të popullatës e të vizitorëve anekënd trojeve shqiptare, e që besoj fuqishëm se do të mbushet me gjësende me vlerë arkeologjike.

Mobi Casa

Po ashtu edhe një qytetar nga Rahovica, z. Durak Osmani, i cili në muzeun e tij personal ka shumë gjëra të vjetra dhe me vlerë.

Edhe në Tërrnoc është hapur muzeu i Komandant Lleshit (Ridvan Qazimit).
Le të shpresojmë që në një të ardhme të afërt, komunat tona do të marrin iniciativë serioze që të hapin nga një muze, me qëllim të ruajtjes së sendeve të vjetra që simbolizojnë historinë e autoktonitetit tonë shekullor në këto treva…

Bilall Maliqi,
Kryetar i Komisionit për kulturë në KKSH