Komunat kërkojnë Ligjin për Financa Lokale – Ibrahimi: Mundësohet dhënia e granteve pa interesa partiake

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka treguar sfidat me të cilat janë përballur komunat e Kosovës në dy vjetët e fundit, sa i përket investimeve kapitale dhe projekteve komunale.

Ibrahimi është shprehur i shqetësuar me shpenzimin e buxhetit për investime kapitale nga Qeveria, e cila në 6 mujorin e parë të këtij viti ka arritur të shpenzojë vetëm 11% të këtyre mjeteve financiare.“Sa i përket shpenzimeve për investime kapitale, në 6 mujorin e parë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur t’i shpenzojë vetëm 11% të këtyre mjeteve financiare, që është për keqardhje sepse nevojat në nivelin lokal por edhe në tërë Kosovën janë të mëdha”.

Ibrahimi ka kërkuar nga Ministria e Financave që ta procedojë Ligjin për Financa Lokale ngase siç thotë ai, grantet për komuna nuk do të jepen në baza politike apo etnike, por në proporcion të barabartë.“Po kërkojmë edhe njëherë që Ministria e Financave ta procedojë Ligjin për Financa Lokale, ku parashihet granti për komuna, për investime kapitale. Nëse miratohet ky projektligj, komunat do të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa pasur probleme nga aspekti politik apo etnik”.

Si problem tjetër, kryetari i AKK-së përmendi edhe ngritjen e çmimeve, raporton EO.

“Problemi tjetër, ka qenë edhe ngritja e çmimeve. Kontratat kur janë lidhur vitin e kaluar kanë qenë me çmime të tjera kurse gjatë një viti çmimet kanë ndryshuar dhe disa operatorë ekonomik kanë deklaruar që nuk kanë mundësi të zbatojnë projekte me çmime të kontraktuara para një viti”.“Ne si Asociacion, se bashku me Odën Ekonomike të Kosovës, e kemi dërguar një kërkesë në nivelin qendror që të gjendet një rrugëdalje për këtë problem apo të bazohemi në përvojat e shteteve të Evropës Juglindore, në mënyrë që paraja të fillojë të qarkullojë në Kosovë”.“Nëse paraja nuk qarkullon, edhe bizneset tona ngulfaten, edhe nuk ka mundësi që të ketë punësime të reja në sektorin privat dhe investimet kapitale qalojnë, siç kanë qaluar ketë vit dhe vitin e kaluar”.

Ai potencoi se një ndër problemet kryesore mbetet mos-funksionalizimi i bordit të Prokurimit Publik, për shkak të së cilit dhjetëra miliona euro kanë mbetur të pa investuara.“Problemi kryesor të cilin komunat e Kosovës e kanë pasë, gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, sa i përket shpenzimeve për investime kapitale, ka qenë mos-funksionalizimi i bordit të organit shqyrtues, Prokurimit Publik, dhe faji është i nivelit qendror sepse komunat nuk kanë të bëjnë me emërimet në këtë bord”.“Që nga prilli i vitit të kaluar, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që sa më shpejt të funksionalizohet ky bord sepse me dhjetëra miliona euro nuk kanë mundur të investohen për shkak të ankesave të cilat i kanë pasur operatorët publik në këtë bord”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS