Komuna e Vitisë u apelon qytetarëve të përfitojnë nga vendimi i qeverisë për falje të borxheve
Viti – Drejtuesit e institucioneve komunale të Vitisë, kanë kërkuar nga qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë që kanë me vendimin e qeverisë qendrore për falje të borxheve, pasi një mundësi e tillë shumë rrallë ju ofrohet qytetarëve nga shteti
Drejtuesit e komunës gjatë takimeve publike me qytetarë të lokaliteteve të ndryshme, ku po diskutohet projeksioni buxhetit komunal për vitin 2017, kanë theksuar se qytetarët duhet të shpejtojnë dhe të kapin afatin ligjor për falje të borxheve, dhe shlyejnë obligimet që kanë ndaj komunës në tatimin në pronë pas vitit 2009, pasi kështu përfitojnë vetë ata me shlyerje të borxheve të grumbulluara para vitit 2009. “Nëse qytetarët paguajnë rreth 450 mijë euro obligime që kanë nga tatimi në pronë pas vitit 2009, do të përfitojnë rreth 900 mijë euro nga shlyerja e borxheve para kësaj periudhe”, ka apeluar Ibrahim Rama, drejtor komunal për ekonomi, gjatë diskutimeve të buxhetit, që ka mbajtur komuna me qytetarët e Pozheranit dhe Zhitisë.
Ai krahas këtij apeli ka bërë të njohur qytetarët e këtyre lokaliteteve me projeksionin e buxhetit komunal për vitin 2017, ku ka theksuar se nga totali i buxhetit prej 10 milion e 19 mijë euro, komuna për investime kapitale ka planifikuar 1 milion e 730 mijë euro si dhe 197 mijë euro për subvencione. “Këto mjete të planifikuara janë të qytetarëve, prandaj komuna është e interesuar që nga vetë ata të dëgjoi propozimet për projekte kapitale apo për subvencionim”, ka thënë Rama.
Ndërsa, Hasan Aliu, zëvendëskryetar i komunës, ka thënë se Vitia si komuna më transparente në planifikimin dhe shpenzimin e parasë publike, vazhdon edhe këtë vit takimet e hapura me qytetarë që nga dora e parë të identifikoi projektet e domosdoshme për çdo lokalitetet. “Falë angazhimit të kryetarit Haliti, si dhe drejtuesve të drejtorisë për ekonomi dhe buxhet , këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje të buxhetit prej mbi 200 mijë euro për investime kapitale prandaj jemi duke u munduar që përmes diskutimeve publike për buxhet jo vetëm të përmbushim obligimin ligjor për transparencë, port ë identifikojmë çdo nevojë të qytetarëve”, kë thënë Aliu.
E, Naim Pira, kryesues I Kuvendit Komunal , pasi ka shprehur admirimin për numrin e madh të qytetarëve që po marrin pjesë në debate publike, ka thënë se Kuvendi Komunal , do të jetë afër qeverisë lokale, që nevojat e qytetarëve për investime ti miratoi në projeksionin e buxhetit për 2017. Qytetarët e Pozheranit në këtë debat publik, pasi kanë pranuar se gjatë kësaj qeverisje lokale kanë përfituar mjaft projekte me interes publik, kanë theksuar se kanë edhe nevoja tjera si përfundimin e rrjetit të kanalizimit, mirëmbajtjen e rrugëve dhe shesheve, asfaltimin e rrugëve në lagje, rregullimin e trotuareve etj.
Kurse banorët e Zhitisë, para drejtuesve të komunës kanë shtruar nevojat për sigurimin e ujit të pijes, rregullimin e fushave sportive, zgjidhjen e problemit të rrugëve të arave , meremetimin e objektit shkollor etj./rajonipress/


