KKVITI

Komuna e Vitisë premton ndihma konkrete për banorët e Letnicës

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Avdyl Bajrami, nënkryetar i Komunës së Vitisë, ka theksuar se institucionet komunale janë në dijeni me hallet e shumta të banorëve të Letnicës e sidomos me problemet që kanë banorët kroat që kryesisht janë të moshuar dhe pa përkujdesje, dhe për këtë komuna në saje të mundësive të veta buxhetore do të bëjë maksimumin që këto probleme të zgjidhen.

Komuna e Vitisë, në bashkëpunim me projektin e qeverisë zvicerane LOGOS, në Letnicë, ka organizuar debatin me temë “Planifikimi i buxhetit komunal për vitin 2014, me pjesëmarrje të qytetarëve.

Në këtë debat krahas qytetarëve të Letnicës dhe projektit LOGOS, kanë marrë pjesë edhe Avdyl Bajrami nënkryetar i komunës dhe Islam Jashari, drejtor komunal për ekonomi dhe financa së Komunës së Vitisë.

Avdyl Bajrami, nënkryetar i Komunës së Vitisë, ka thënë se komuna me qëllim të planifikimit më të drejtë të buxhetit komunal, nëpër lokalitete të ndryshme , ka realizuar një seri takimesh me qytetarë nga të cilët ka marr propozimet konkrete rreth nevojave që kanë ata për investime. “Kemi ardhë këtu në Letnicë, që direkt nga ju të dëgjojmë nevojat dhe propozimet konkrete , në mënyrë që ato të përfshihen në buxhetin komunal për vitin e ardhshëm i cili pritet të miratohet në muajin shtator të këtij viti”, ka thënë Bajrami.

Ai ka theksuar se institucionet komunale janë në dijeni me hallet e shumta të banorëve të Letnicës e sidomos me problemet që kanë banorët kroat që kryesisht janë të moshuar dhe pa përkujdesje, dhe për këtë komuna në saje të mundësive të veta buxhetore do të bëjë maksimumin që këto probleme të zgjidhen.

Mobi Casa

Ndërsa Islam Jashari drejtor komunal për ekonomi, ka thënë se komuna për vitin 2014, disponon me një buxhet prej 9 milion e 43 mijë euro, prej të cilit mbi 2 milion janë mjete që planifikohen për investime kapitale, dhe në kuadër të këtyre mjeteve parashihen edhe projekte që do të realizohen edhe në fshatin Letnicë. “Gjatë këtij viti në këtë fshat kemi investuar në rregullimin e ambulancës së fshatit , projekt ky që është realizuar në bashkëpunim me ambasadën kroate dhe Caritasin si dhe kemi investuar në asfaltimin e qendrës së fshatit, kurse në të ardhmen në këtë lokalitet planifikojmë edhe investime tjera të cilat do të propozohen nga vetë qytetarët”, ka thënë Jashari.

Marija Periq, banore kroate e Letnicës, ka thënë se nevojë në këtë fshat mbetet furnizimi me ujë të pijes, pasi mungesa e ujit ju shkakton probleme banorëve që janë kryesisht të moshuar. “Shkaku i moshës as veten nuk mund ta mbajmë e lërë më të bartim edhe ujë, prandaj komuna duhet të na ndihmoi në sigurimin e ujit për pije”, ka thënë Periq.

Kurse, Shin Gjoni, kryetar i këshillit të fshatit Letnicë, ka thënë se Letnica ka nevojë për shumë investime, por prioritet mbetet uji për pije, rregullimi i oborrit të shkollës, përforcimi i rrjetit elektrik, menaxhimi i mbeturinave , rregullimi i disa urave dhe mbështetja e institucioneve me bursa për studentët nga ky lokalitet .

Ndërsa, banorët tjerë kroat kanë kërkuar nga komuna edhe mbështetjen me ndihma humanitare si dhe dru për ngrohje , pasi sipas tyre shkaku i moshës dhe gjendjes së rëndë sociale e kanë vështirë t`i sigurojnë.

Islam Jashari, drejtor për ekonomi, ka thënë se për vitin e ardhshëm komuna planifikon që të ndajë 45 mijë euro për shtimin e kapaciteteve të ujit për banorët e Letnicës ku do të përfshihen edhe rregullimi i rrjetit të vjetërsuar të ujësjellësit si dhe 5 mijë euro për rregullimin e rrethojave të shkollës së fshatit./rajonipress/

Mund të ju interesoj: