Komuna e Vitisë organizon tryezë diskutimi për aktivizimin kundër dhunës ndaj gruas

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Viti – Komuna e Vitisë, përmes zyrës së kryetarit dhe Zyrës për Barazi Gjinore, ka mbajtur sot një tryezë diskutimi, ku temë kryesore ishte aktivizimi kundër dhunës ndaj gruas.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës ndaj Gruas”, një nismë globale për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të luftuar dhunën ndaj grave në të gjitha format.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të ndryshëm nga institucionet lokale, përfshirë Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Qendrën për Punë Sociale, Policinë e Kosovë në Viti, si dhe organizata të tjera shoqërore dhe arsimore. Njëkohësisht, ishin të pranishëm edhe nxënësit e shkollave të mesme, të cilët u bënë pjesë e aktiviteteve edukative dhe ndërgjegjësuese për rritjen e njohurive mbi këtë fenomen shoqëror.

Gjatë takimit, Ibadete Hyseni, zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Vitisë, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të komunës për përmirësimin e trajtimit të dhunës ndaj grave dhe ndihmën ndaj viktimave. Ajo u shpreh: “Komuna jonë ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar trajtimin e dhunës ndaj grave dhe ka ndërtuar një mekanizëm të koordinuar për të mbështetur viktimat. Gjatë viteve të fundit, kemi arritur disa rezultate të rëndësishme në këtë drejtim, duke krijuar mekanizma koordinues për mbrojtjen e viktimave dhe duke zhvilluar aktivitete ndërgjegjësuese për qytetarët dhe nxënësit.”

Uji Dea

Një fjalë rasti mbajti edhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Merrushe Ahmeti, si dhe përfaqësues të tjerë nga Qendra për Punë Sociale dhe Policia e Kosovës. Ata ndanë të dhëna mbi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe me organizatat e shoqërisë civile për të ofruar mbështetje të vazhdueshme për viktimat e dhunës.

Një pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të zhvilluara ka përfshirë trajnime për punonjësit e shërbimeve publike dhe aktivitete edukative për nxënësit dhe qytetarët, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimin e dhunës në familje dhe shoqëri. Po ashtu, është theksuar edhe rritja e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile që punojnë në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.

Ky aktivitet është një hap i rëndësishëm në drejtim të luftës kundër dhunës ndaj gruas dhe për krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë./rajonipress/