Komuna e Vitisë mbajti dëgjimin buxhetor me komunitetin jo shumicë
Viti – Të hënën në fshatin Binçë të Vitisë, komuna e Vitisë ka mbajtur dëgjimin buxhetor për planifikimin e buxhetit komunal 2026-2028 dhe atë me komunitetin jo shumicë që jetojnë në këtë fshat.
Me këtë rast prezantimin e draft buxhetit e bëri zv.kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu dhe drejtoresha për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Milihate Ajeti.
Gjatë këtij takimi pjesëmarrësit në takim pos që u njohën me draft buxhetin komunal 2026-2028, patën mundësinë të parashtrojnë kërkesat dhe sugjerimet e tyre.
Banorët e komunitetit jo shumicë, kryesisht serb thanë se ata kanë kërkesa të shumta por për shkak të buxhetit të kufizuar kanë përcaktuar këto prioritete.
- Shtimi i kapaciteti të ujësjellësit të Binçës që sipas tyre është edhe në interes të gjithë atyre që furnizohen me ujë dhe jo vetëm e fshatit Binçë.
- Rregullimi i rrugës tek varrezat ortodokse serbe ( asfaltimi ose shtruarja me zhavorr).
Përndryshe me këtë takim komuna e Vitisë ka përmbyllur ciklin e dëgjimeve buxhetore. Pritet që komisioni përkatës komunal të hartoj një raport me të gjitha kërkesat e adresuara dhe të shikohen mundësitë që ato të jenë pjesë e investimeve që do ti bëjë komuna nëpër lokalitet e komunës së Vitisë./rajonipress/

