Uji Dea

Komuna e Gjilanit shpërndan 15 atomizerë për bujqit për spërkatjen e pemëve

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Bujqit e Gjilanit kanë përfituar donacion në pajisje, respektivisht atomizerë për spërkatjen e pemëve, ndërsa viti 2015 do të jetë vit i bujqësisë sepse Komuna e Gjilanit është e përkushtuar që ta zhvilloj këtë sektor jetik për qytetarët tanë.

Në këtë ngjarje ku janë shpërndarë 15 atomizerë në një vlerë prej mbi 16 mijë e 500 euro, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës Lutfi Haziri, drejtori i bujqësisë Ramiz Ramadani dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se toka e Gjilanit është bukë, prandaj do të investojmë në bujqësi ngase kjo është jetë për qytetarët tanë, promotor i zhvillimit dhe pjesë e rëndësishme e programit të paraqitur për qeverisjen me Gjilanin.

“Ky ishte program skeptik për shumë njerëz, por tash është program real dhe kanë nisur të preken rezultatet konkrete me fillim të vitit. Interesi do të jetë së pari i familjeve që jetojnë në Gjilan dhe që duan të merren me bujqësi, e më pas edhe të gjithë ne përmes produkteve të tyre. Përmes buxhetit që do të jetë pjesa më e madhe, ne po hulumtojmë edhe kreditimin në bujqësi. Komuna po e hulumton mundësinë që bujqit të marrin kredi me zero për qind interes, ndërsa interesin dhe normat tjera t’i marr mbi vete që t’i mbuloj Komuna. Ju lus të gjithë juve që të bashkëpunoni me drejtorinë e Bujqësisë sepse tash nisim me mbjelljet pranverore dhe do të vazhdojmë edhe me investime të tjera gjatë gjithë vitit”, tha Haziri.

Gjithashtu Haziri, ka potencuar edhe njëherë që punimi 100 për qind i tokës nga bujku do të ketë shpërblime nga ana e Komunës.

Mobi Casa

“Komuna e Gjilanit ka ofruar shpërblime për familjet dhe fermerët që fshatrat dhe vendbanimet që e punojnë tokën 100 për qind, do të përfitojnë një projekt të veçantë, i cili është në interes të bujqësisë por edhe të familjeve që punojnë tokën qind për qind, por edhe familje që punojnë tokën e mërgimtarëve, sepse kemi një numër të madh të tyre dhe do të duhet një punë që të jetë e punuar edhe toka e tyre, sepse jemi të interesuar që të mbështesim me ekstra buxhet. Po punojmë që përveç subvencioneve të gjejmë edhe forma stimulative për vendbanime dhe për familje. Toka është bukë, prodhon bukën, jetën dhe resursi më i madh që e ka Gjilani”, ka pohuar Haziri.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur që është i angazhuar shumë edhe në mbështetjen e industrisë së duhanit, që të intervenohet në krijimin e lehtësirave fiskale në qeveri. Me krijimin e lehtësirave fiskale për industrinë, Gjilanit do t’i kthehet edhe puna për mbjelljen e duhanit, ngase Fabrika e Duhanit është e gatshme të mbështes mbjelljen e duhanit në Gjilan, por duhen reforma fiskale.

Ndërsa, Drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani, ka thënë se sot janë shpërndarë 15 atomizerë me një vlerë mbi 16 e 500 euro, ku bujqit kanë participuar me një vlerë të vogël. Atomizerët shërbejnë për spërkatje të shpejt dhe kualitative të pemëve.
“Sot e kemi nisur me pemëtarinë sepse është sektori i cili mund të punësoj numrin më të madh të punëtorëve. Ky sektor do të shihet me prioritet, por edhe sektorët e tjerë nuk do të mbeten mangu në asnjë rast. Besoj shumë që në kuadër të planifikimeve që i kemi bërë, ky do të jetë vit i bujqësisë për Gjilanin”, tha ndër të tjerash Ramadani.

Ndërsa, bujku Musa Rexhepi, ka thënë se spërkatja me pompa dore ishte një metodë jo e suksesshme dhe jo kualitative, por edhe punë e rëndë për atë si fermer, duke shtuar se tash me pajisjen me atomizer ne do ta kemi shumë më të lehtë dhe më të shpejt spërkatjen e që ndikon edhe në rendimente./rajonipress/