Komuna e Gjilanit pa ndonjë vizion rreth administratës publike
Nga Nazim Gagica – Numër i madh i qytetarëve të Gjilanit presin me orë të tëra para administratës publike për t`i kryer shërbimet e tyre administrative. Mirëpo, si rezultat i kaosit të krijuar para Drejtorisë së Administratës Publike, këto shërbime nuk arrijnë të jenë cilësore dhe as efikase, për shkak të mungesës së një strategjie përkatëse. Nevojat e qytetarëve drejtuar kësaj drejtorie, në sezonin e verës shtohen edhe më shumë, për shkak të bashkatdhetarëve tanë që vijnë nga diaspora.
Tash e sa vite bashkatdhetarët tanë përballen me probleme të njëjta ku një pjesë e mirë e pushimit të tyre u shkon para dyerve të Administratës Publike, në pritje për tu pajisur me një dokument.
Rasti konkret është një qytetar nga Gjilani (nga shumë qytetarë të tjerë) me inicialet Q.S. Ky qytetar, me punë të përkohshme në Francë, i cili që nga ora 6 e mëngjesit ia kishte mësyrë Administratës Publike për të zënë radhën dhe për tu pajisur me një dokument, sot vizitoi zyret e AAK-së për të shprehur brengën e tij personale për këtë joefikasitet që ndodhë vazhdueshëm pothuajse për çdo stinë të verës.
Duke u njohur me problemin dhe duke e identifikuar këtë problem, tash e sa vite komuna e Gjilanit nuk po harton një plan strategjik, i cili do të ofronte shërbime cilësore dhe të shpejta për qytetarët e Gjilanit.
Komisioni i Administratës së Përgjithshme që vepron në kuadër të AAK-së, ka hartuar programe, të cilat do ta ngrisin nivelin e satisfaksionit të qytetarëve lidhur me këto shërbime që bazohen në këto objektiva: në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimeve në sistemin e shërbimit civil si dhe menaxhimi i cilësisë totale që ka për qëllim shpejtësinë e përgjigjeve, përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve, shërbimet e shtuara, trajnimi afatgjatë i stafit, racionalizimi i sistemeve dhe metodave, kompetencat dalluese dhe krijimin e një cilësie totale përmes ciklit të Demingut.
AAK në Gjilan i uron mirëseardhje të gjithë bashkatdhetarëve duke ju dëshiruar pushim të këndshëm pranë gjirit familjare dhe kërkon efektivitet në ofrimin e shërbimeve administrative dhe efikasitet nga pikëpamja e kostos për qytetarët e Gjilanit.
Autori është sekretar i degës së AAK-së në Gjilan


