UBT

Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me donatorët i ndërton shtëpinë e re Safete Mustafës

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Safete Mustafa nga Gjilani, e cila ka jetuar në gjendje të mjerueshme të banimit, nga sot e tutje do të bëjë jetë dinjitoze ngase Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me donatorin, familjen Bunjaku (Sabri, Rukije, Flamur) ia kanë ndërtuar shtëpinë e re moderne.

Çelësat zyrtarisht ia dorëzoi familjes Mustafa kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe donatori Sabri Bunjaku. Kryetari Haziri tha se fondi për banim social në Gjilan është treguar jashtëzakonisht i suksesshëm falë donacioneve dhe solidaritetit të madh të qytetarëve.

“Vërtetë fondi për banim social në Gjilan është treguar jashtëzakonisht i suksesshëm falë donacioneve dhe solidaritetit të madh të qytetarëve siç është rasti me familjen Bunjaku, të cilët e kanë bërë me shtëpi familjen e zonjës Safete Mustafa. E kanë gëzuar këtë familje dhe e kanë kompletuar sepse kushtet kanë qenë jashtëzakonisht të rënda”, tha Haziri.

Haziri konfirmoi se kjo është shtëpia e katërt që po ndërtohet në Gjilan, derisa ka shtuar se edhe katër të tjera pritet të ndërtohen gjatë vitit për familjet në nevojë.

“Është shtëpia e katërt që po përfundon në Gjilan. Në ndërtim është edhe një, derisa do të fillojnë edhe katër të tjera të ndërtohen në mënyrë që në këtë vit ta rrumbullaksojmë planin e ndërtimit të 12 shtëpive dhe dhjetëra tjera të meremetimit. E falënderoj shumë familjen Bunjaku për këtë vepër të madhe sikurse edhe të gjithë qytetarëve që iu kanë bashkangjitur aksionit për ndihmë”, tha Haziri, duke shtuar se lajmi i mirë është se këto ditë një qytetar i Pejës që jeton në SHBA, e ka konfirmuar ndërtimin e një shtëpie për skamnorët.

Mobi Casa

Kreu i Gjilanit paralajmëroi se në këtë vit sërish do të organizohet një Gala mbrëmje e dytë, sepse, siç tha, asnjë familje nuk duam ta shohim në gjendje të rëndë të banimit.

Donatori Sabri Bunjaku u shpreh se është shumë i lumtur që kësaj familje ia mundësuan të jetoj në kushte të mira të banimit.

“Duke iu falënderuar kryetarit Haziri që e ka ndërmarrë iniciativën, me ndihmën e djalit tim Flamurit, e ndërtuam këtë shtëpi me çelësa në dorë. Kjo është shtëpia e dytë që e ndërton familja ime sepse në vitin 2005 e kemi ndërtuar një tjetër në fshatin Livoç. Jemi shumë të lumtur që kësaj familje ia mundësuam të jetoj mirë”, ka thënë Sabri Bunjaku.

Nga ana e saj, zonja Safete Mustafa ka falënderuar kryetarin Haziri dhe donatorin për ndërtimin e shtëpisë, duke i mundësuar jetë të dinjitetshme familjes së saj./rajonipress/