Komuna e Gjilanit ka qasje pozitive ndaj bizneseve

Gjilan – Përfaqësuesit e Komunës së Auburnit të SHBA-ve u shprehën të bindur se Komuna e Gjilanit nuk dallon aspak nga Komunat e ShBA-ve, sa i përket qasjes pozitive ndaj bizneseve dhe mbështetjes së zhvillimit ekonomik.
Kryetari i Komunës Qemajl Mustafa dhe Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Riad Rashiti, kanë pritur në një takim Filip Dunlap dhe Megan Mcgoëen udhëheqës të zhvillimit ekonomik në komunën e Auburnit.
Kjo vizitë është organizuar nga USAID-i si vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë me Komunën e Gjilanit duke i ofruar mbështetje të rëndësishme sektorit të zhvillimit ekonomik në vendin tonë.
Me këtë rast, kryetari i Komunës Qemajl Mustafa, tha se qëllim i vizitës së drejtorit për Zhvillim Ekonomik të Komunës së Auburnit të SHBA-ve Filip Dunlap, ishte vazhdimi i bashkëpunimit të mirë që ne e kemi me këtë komunë dhe ofrimi i mbështetjes për komunën e Gjilanit përmes përvojave të mira dhe të suksesshme lidhur me përkrahjen e institucioneve lokale ndaj bizneseve dhe krijimit të kushteve më të favorshme për to.
Komunën e Auburnit në SHBA, vitin e kaluar e kishte vizituar edhe kryetari i komunë së Gjilanit Mustafa dhe menaxheri i Zyrës së Projekteve, Fadil Osmani. Philip Dunlap tha se me Komunën e Gjilanit kemi raporte partneriteti dhe kemi një bashkëpunim shumë të mirë që në të ardhmen do të kemi edhe rezultate pozitive në interes të mbështetjes së zhvillimit ekonomik. “Ne në Komunën e Auburnit rëndësi të veçante i kemi kushtuar rekrutimit të bizneseve të mëdha në zonat ekonomike të Komunës sonë duke i mbështetur këto biznese në zgjerimin e kapaciteteve të tyre si dhe zgjerimin e tregjeve” ka thënë Mustafa.
Ndërsa, drejtori për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Riad Rashiti, tha se janë ofruar informacionet dhe përvojat më të mira rreth krijimit dhe funksionimit të zonave ekonomike në komunën e Auburnit, ku disa nga kompanitë më të mëdha botërore kanë zgjedhur këtë qytet për të hapur fabrikat sepse i janë ofruar kushte të favorshme dhe se komuna ka bërë angazhimin maksimal për t’i sjellur investimet e sektorit privat aty.
“Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e financimit të infrastrukturës së zonës ekonomike rajonale të Gjilanit në Novobërdë përmes Partneritetit Publiko Privat si mundësi më e shpejt dhe më lehtë e realizueshme nga komunat tona” ka thënë Rashiti.
Ndërsa, një takim tjetër është mbajtur edhe me disa nga bizneset e Gjilanit për të dëgjuar dhe diskutuar sfidat dhe pengesat me të cilat përballen ato, për mundësitë reale të komunës së Gjilanit që në bashkëpunim me USAID-in të ndikojnë në politikat zhvillimore të sektorit privat në Kosovë.
Gjatë debatit nga bizneset u vlerësua se komuna e Gjilanit në bazë të kompetencave të kufizuara që i ka, është partnere dhe mbështetëse e bizneseve, ka ofruar shërbime të mira në administratë, ambient të mirë për të bërë biznes, ka krijuar vazhdimisht lehtësira nga pagesat dhe taksat.
Sfidat dhe problemet e theksuara nga bizneset ishin kryesisht ato që varen nga ministritë përkatëse, duke filluar nga problemet infrastrukturore, mosrespektimi i marrëveshjes së CEFTA-s, konkurrenca jo e drejt në tregun e Kosovës, biznesi informal, mungesa e kapitalit financiar dhe kushtet shumë të pafavorshme të financimit nga bankat, e deri tek disa pengesa administrative dhe kryesisht nga ATK-ja.
Kryetari i Komunës në këtë takim është zotuar se do të angazhohet dhe së bashku me bizneset do t’i ngrit të gjitha këto shqetësime në nivelin qendror me qëllim të eliminimit të këtyre pengesave për të bërë biznes dhe gjithashtu ne si komunë do të analizojmë mirë mundësinë e eliminimit të tërësishëm të taksës komunale në të ardhmen për të gjitha bizneset e komunës tonë, në mënyrë që funksionimi dhe shtimi i bizneseve të jetë më i madh.
Përfaqësuesit e Komunës së Auburnit të SHBA-ve u shprehën të bindur se Komuna e Gjilanit nuk dallon aspak nga Komunat e ShBA-ve, sa i përket qasjes pozitive ndaj bizneseve dhe mbështetjes së zhvillimit ekonomik. Këtu ne po shohim si nga bizneset, por edhe nga bisedat në teren se e keni gatishmërinë dhe përkushtimin e lartë të institucioneve për të arritur qëllimet dhe objektivat tuaja ndaj zhvillimeve të gjithmbarshme të komunës, ndërsa kryetari i komunës Mustafa i falënderoi mysafirët nga Amerika për vizitën, bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre si dhe falënderoi gjithashtu edhe USAID-in amerikan për përkrahjen e vazhdueshme që po e bënë për komunën e Gjilanit./rajonipress/