Komuna e Gjilanit asnjëherë s’është kujdesur për rrugën milionëshe

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Performanca e Komunës së Gjilanit e ka edhe anën e errët dhe shumë negative madje. Mjafton ta shohësh rrugën Pograxhë – Stublinë – Dobrosin dhe e vëren papërgjegjësinë totale të pushtetit komunal dhe mos kujdesin ndaj rrugës që ka kushtuar mbi 1 milion euro.

Shërbimet publike në Komunën e Gjilanit vazhdojnë të jenë në nivelin më të ulët dhe më të papërgjegjshëm të mundshëm. Pika e zezë e kësaj drejtorie është mos puna dhe papërgjegjësia ndaj investimeve milionëshe siç është ajo e rrugës Pograxhë – Stublinë – Dobrosin.

Komuna e Gjilanit asnjëherë nuk është kujdesur për këtë rrugë, madje dyshohet se as në hartën e kësaj drejtorie nuk është e shënuar. Më herët kishte dilema nëse kjo rrugë është nën përkujdesjen e komunës apo të Ministrisë së Infrastrukturës, por gjithçka ishte sqaruar nga zyrtarët e saj të cilët patën deklaruar se rruga është përgjegjësi e komunës, ndërsa mbetet muaji qershor i vitit 2019 për ta definuar nëse mund të menaxhohet nga Ministria.

Reshjet e dy ditëve të fundit kanë ndikuar që rruga të bëhet e kalueshme me shumë vështirësi për shkak të shembjes së dheut dhe gurëve të shumtë që ndodhen në rrugën e cila frekuentohet shumë.

Reshat Salihu nga fshati Dobrosin tha se vërtet është e paqartë pse kështu veprohet me këtë rrugë tash e sa vite.”Para disa viteve rruga është mirëmbajtur fort mirë dhe nuk kemi pasur telashe. Këto pesë vitet e fundit kemi probleme edhe gjatë kohës së dimrit, kurse pengesat që paraqiten gjatë reshjeve shpesh herë vet i kemi larguar” shprehet Salihu.

Fundamenti

Shembja e dheut dhe gurët e shumtë nëpër rrugë tani paraqesin rrezik serioz për veturat dhe ata që dëshirojnë ta kalojnë këtë rrugë.

Rruga Pograxhë-Stublinë-Dobrosin e gjatë gjashtë kilometra e quajtur si rruga e shpresës dhe e bashkimit të dhjetëra fshatrave shqiptare andej dhe këndej kufirit, tanimë ka mbetur nën mëshirën e zotit. Kjo rrugë ka kushtuar mbi 1 milion e 300 mijë euro dhe është investim i Ministrisë së Transporteve.

Rruga kishte gëzuar tej mase banorët e brezit kufitar. Me asfaltimin e kësaj rruge tashmë janë lidhur edhe fizikisht fshatrat shqiptare me Kosovën, sidomos Dobrosini, Lluqani, Verbani, Nasalca, Cerretica, etj e shumë fshatra tjera që tashmë e kanë më të lehtë edhe komunikimin, por edhe shërbimet mjekësore.

Zymer Osmani banor nga Stublina thotë për rajonipress se kjo rrugë asnjëherë nuk është pastruar as nga dheu as nga gurët. “Po të mos ishte KFOR-i që kujdeset për ta hapur rrugën në të gjitha kohët dhe po të mos ishin banorët e Dobrosinit që herë pas here e pastrojnë rrugën dhe ne pak banor të Stublinës që kemi mbetur, kjo rrugë do të shkatërrohej që moti. Kjo rrugë ndihmën institucionale nuk e ka përjetuar asnjëherë” thotë Osmani”./rajonipress/