Eko Higjiena

Kompanitë e sigurimeve s’e heqin “plaçkën” për diasporën

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Diaspora kosovare edhe këtë vit do të vazhdojë të paguajë polica të shtrenjta kufitare, pavarësisht se drejtuesit e institucioneve së fundi kishin premtuar ulje të tarifave të policave për 50 për qind.

Asambleja e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) ka dështuar të enjten ta aprovojë propozimin për uljen e tarifave për 50 për qind, për policën e sigurimit kufitar për bashkatdhetarët. Kompanitë e sigurimeve nuk kanë arritur të pajtohen në mbledhjen e byrosë së BKS-së të enjten, pasi që shumica prej tyre nuk janë pajtuar që policat të lirohen për 50 për qind.

Edhe pse mediat ishin ftuar për ta përcjellë mbledhjen e Asamblesë, ato u lanë jashtë duke mos u lejuar të futen në ambientet ku po mbahej takimi. Por, gazeta “Zëri” ka mësuar se mbledhja ka dështuar të mbahet për shkak të pakënaqësive të shfaqura nga disa pronarë të kompanive të sigurimit.

Rrahim Pacolli, drejtor i kompanisë së sigurimeve “Siguria”, ka thënë se në shenjë revolte disa nga pronarët e kompanive të sigurimeve e kanë lëshuar mbledhjen. ”Kështu duke qenë kundër zbritjes së tarifave të propozuara ata kanë dalë jashtë takimit”, ka thënë Pacolli, i cili është njëherësh është edhe udhëheqës i delegacionit në nivelin e grupit teknik në bisedimet në Bruksel.

Pacolli shtoi se në takim përveç tij ka qëndruar edhe pronari i kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, si dhe drejtori i përgjithshëm i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Faton Abazi, dhe zv/drejtori i BKS-së, Gani Thaçi.

Pacolli largimin nga mbledhja e Këshillit nga pronarët e 10 kompanive e ka vlerësuar si lojëra mafioze. “Kur gjithçka ishte bërë gati në nivel institucional që tarifat të zbriten për 50 %, dalin këta edhe bëjnë kësi lojëra të tipit mafioz t’i shtyjnë, t’i prishin mbledhjet dhe unë nuk pajtohem me një veprim të tillë”, tha Pacolli.
Ai po ashtu ka thënë se si përfaqësues i kompanisë “Siguria” do të fillojë me aplikim të tarifave të reja, prej 50 për qind më të lira, duke thënë se nuk është i interesuar më të jetë pjesë e monopolit.

Fundamenti

Pacolli ka treguar se pjesa tjetër e anëtarëve të asamblesë ishte e interesuar që tarifa të zbritet në 7 apo 8 për qind dhe jo 50 për qind.

Version tjetër nga Pacolli ka treguar drejtori i kompanisë së sigurimeve “Insig”, Altin Majko, i cili ka qenë prezent në këtë mbledhje. Sipas Majkos, në fillim të mbledhjes ka pasur komunikim të rënduar në mes të anëtarëve të Asamblesë lidhur me rendin e ditës se kush të delegonte mbledhjen e Asamblesë. “Sepse në çdo mbledhje zgjidhet kryetari, dhe si pasojë e këtij komunikimi të rënduar mbledhja u prish.

Pra nuk është diskutuar fare dhe nuk është marrë vendim lidhur me tarifat për kartonin e gjelbër”, ka thënë Majko. Por, ai nuk ka dashur të tregojë se kompania “Insig” është për zbritje të tarifave apo jo. “Kur të diskutohet zyrtarisht ne si “Insig” do të dalim zyrtarisht me qëndrimin tonë, ky vendim merret nga të gjithë anëtarët e Asamblesë dhe kur të merret do të informojmë të gjithë”, ka thënë Majko. Pas shumë debatesh që janë bërë në Parlament dhe Qeveri, për një zgjidhje të përkohshme lidhur me tarifën kufitare që ka të bëjë me bashkatdhetarët, zbritja prej 50 % për tarifën e kartonit të gjelbër kishte ardhur si rekomandim nga Komisioni i Kuvendit për Buxhet dhe Financa, i cili ishte përkrahur nga guvernatori i BQK-së.

Kryetari i këtij Komisioni, Naser Osmani, ka thënë për gazetën “Zëri”, se është për të ardhur keq për joseriozitetin e Asamblesë së BKS-së.
Sipas tij, rekomandimet janë të qarta dhe nëse deri në shtator nuk plotësohen këto kërkesa, atëherë Kuvendi do ta thotë fjalën e vet. “Nëse deri në shtator nuk janë në gjendje të sjellin një filial të ndonjë shteti kredibil që do të lëshonte kartonin e gjelbër dhe nuk e pranon shkurtimin e tarifës kufitare, atëherë ne do të detyrohemi si Komision funksional të ndryshojmë Ligjin për Sigurime”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, kompanitë e sigurimeve nga polica kufitare gjatë vitit të kaluar kanë realizuar të hyra mbi 14 milionë euro./zeri/