Komiteti për shërbime publike dhe shpëtim nuk ka qenë në nivel të detyrës
Gjilan – Në bazë të raportit vjetor të punës të këtij komiteti për vitin 2015, vlerësohet se ky komitet nuk ka qenë në nivel të detyrës. Komiteti për shërbime publike dhe shpëtim, sipas raportit të punës së tij për vitin 2015, i ka mbajtur vetëm 5 mbledhje, edhe pse është dashur që në çdo muaj të mbajë mbledhje.
Në raportin vjetor të punës së këtij komiteti për vitin 2015, fare nuk konstatohet se sa dhe cilat çështje kanë qenë temë e trajtimit në seancat e tij është thënë në raportin e OJQ “Anamorava”.
Ky komitet është dashur që gjatë vitit të kaluar t’i shqyrtoj çështjet në vijim:
1. Raportin vjetor të punës të NP “Hidromorava” për vitin 2015;
2. Raportin vjetor të punës të NP “Eco-Higjiena” për vitin 2015;
3. Raportin vjetor të punës të NP “Stacioni i autobusëve” për vitin 2015;
4. Raportin për zbatimin e vendimit për dhënien me qira të autoparkingjeve në hapësirat publike pronë e komunës;
5. Raporti për zbatimin e rregullores për organizimin e transportit publik në komunën e Gjilanit;
6. Raporti për zbatimin e rregullores për mirëmbajtjen e varrezave të qytetit;
7. Raporti për mirëmbajtjen e rrugëve në territorin e komunës;
8. Raporti për zbatimin e planit për mbeturinat në territorin e komunës së Gjilanit;
9. Raportin për mirëmbajtjen e sinjalizimeve horizontale dhe vertikale në rrugët në territorin e komunës së Gjilanit;
10. Raporti për mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit publik në territorin e komunës së Gjilanit;
11. Raporti për mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit në territorin e komunës së Gjilanit;
12. Raporti për gjendjen aktuale në komunikacionin rrugor në territorin e komunës së Gjilanit.
Ky komitet gjatë vitit 2015 vetëm 2 rekomandime i ka dërguar në KPF dhe kuvend, por kanë munguar rekomandimet vepruese për ta përmirësuar gjendjen në 2 çështjet, për të cilat rekomandimet janë dërguar.
Në bazë të raportit vjetor të punës të këtij komiteti për vitin 2015, vlerësohet se ky komitet nuk ka qenë në nivel të detyrës./rajonipress/


