RCCOLA

Komiteti i kulturës përkrah themelimin e Muzeut Regjional në Gjilan

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Komiteti për Kulturë, Rini dhe Sport (KKRS) i ka dhënë përkrahje propozim-projektit për themelimin e Muzeut Regjional në Gjilan.

Veton Nevzadi, drejtor për Kulturë, tha se projekt-propozimi është përgatitur nga një komision komunal, i cili është themeluar vetëm për këtë qëllim, nga kryetari i Komunës. Po ashtu është rekomanduar edhe rregullorja për vullnetarizëm dhe Gjilani është komuna e parë në Kosovë që ka përgatit një akt të tillë.

Nevzadi ka thënë se muzeu do të jetë regjional, ashtu sikurse janë në Gjilan edhe Qendra për Trashëgimi Kulturore dhe Arkivi historik, dy institucione këto që merren me ruajtjen e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore, në fusha të ndryshme.

Sipas tij, muzeu do të hapet në objektin e tashëm të shkollës së Muzikës, që është mjaft i përshtatshëm për këtë qëllim, derisa u shpreh i bindur se komuna e Gjilanit do të ndihmohet edhe nga Ministria për të rinovuar dhe rregulluar këtë hapësirë.

Edhe një organizatë e jashtme, që po punon në Kosovë në sektorin e trashëgimisë kulturore, është shprehur e gatshme për të financuar projektin e muzeut në Gjilan, ka thënë Nevzadi.

Sherafedin Kadriu, zyrtar për trashëgimi kulturore në QRTK, ka thënë se është koha e fundit që edhe Gjilani të ketë muze, pasi që kemi një trashëgimi të mirë, e cila mund të ekspozohet. Sipas Kadriut, muzeu në Gjilan, do të jetë muze i përgjithshëm, por brenda tij do të themelohen sektorët përkatës.

Eco Higjiena

Projekti ka hasur në përkrahje të plotë te anëtarët e kësaj trupe komunale të vendimmarrjes, Tahir Arifi, Arzie Nuhiu, Shpresa Hajdari, Shpresa Kurteshi dhe të tjerët, duke thënë se me themelimin e muzeut krijohet një hapësirë ku Gjilani dhe regjioni mund t`i ekspozojnë vlerat e tyre nga trashëgimia materiale dhe shpirtërore.

KKRS ka rekomanduar për procedurë të mëtejme edhe draft-rregulloren për vullnetarizëm, të cilën e kanë prezantuar drejtori i Kulturës, Veton Nezadi si dhe zyrtari për Rini, Bujar Haziri. Gjilani është Komuna e parë në Kosovë që ka përgatitur rregulloren për vullnetarizëm, ka thënë Nevzadi.

Në bazë të Udhëzimit Administrativ, Komunat e kanë për obligim që ta rregullojnë çështjen e vullnetarizmit, ka thënë Nevzadi, duke nënvizuar se paraprakisht janë mbajtur 5 takime publike me të rinj dhe grupe të interesit, ndërsa është planifikuar edhe një fushatë më e gjerë për promovimin e vullnetarizmit.

Haziri tha se në bazë të rregullores, pjesëmarrësit në punë vullnetare, prej së cilës përfiton publiku, do të kenë edhe benifite të ndryshme, për të cilat, siç tha Arzie Nuhiu, të rinjtë duhet të njoftohen, sepse është një masë stimuluese për ta. Për më tepër, siç ka thënë Shpresa Hajdari, puna vullnetare do të jetë një përvojë e mirë për të rinjtë.

Tahir Arifi, kryesues i KKRS ka thënë se e përkrah plotësisht rregulloren për vullnetarizëm, por ka nënvizuar se personalisht nuk beson shumë te vullnetarizmi në kushtet e sotme. /rajonipress/