Komiteti i Arsimit vlerëson se suksesi i gjysmëvjetorit është pozitiv

Gjilan – Komiteti i Arsimit (KA) e ka vlerësuar suksesin e gjysmëvjetorit të parë në shkollat e Gjilanit, i cili ka një ngritje të vogël pozitive, ndërkohë që ka shprehur brengosje për numrin e madh të mungesave, si të arsyeshme, ashtu edhe të paarsyeshme.
Analiza e suksesit të nxënësve, është pjesë e agjendës vjetore të punës së Komitetit të Arsimit, ka thënë Arben Mehmeti, kryesues i kësaj trupe komunale, duke nënvizuar se ky plan është përgatitur në bashkëpunim edhe me opozitën (PDK e VV), ku janë marrë parasysh edhe propozimet e saj.
Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se nota mesatare e gjysmëvjetorit të parë është 3.70. Rreth 82 për qind e nxënësve, nga numri i përgjithshëm prej 18.160 sish, kanë dalë me sukses pozitiv. Rezultate më të mira kanë treguar klasat e ulëta, ndërkaq te nivelet tjera, suksesi shkon duke rënë.
As numri i mungesave, që arrin mbi 95 mijë, të arsyeshme dhe të paarsyeshme, nuk është ndonjë befasi, sepse mungesa gjithmonë ka pasur në shkolla, por gjendja duhet të diskutohet patjetër, thotë Musa.
Numri i madh i mungesave në shkollat e mesme, është për brengosje, ka thënë Ajtene Shahiqi (AAK). Ajo nuk qe e kënaqur as me suksesin në disa shkolla, për çka kërkoi angazhim më të madh të personelit mësimor, për të përmirësuar gjendjen.
Fehmi Sylejmanin (VV) e shqetëson edhe rënia e numrit të nxënësve nëpër shkolla, e cila vërehet sidomos te klasat e ulëta. Ndërkaq, për mungesat e nxënësve, sipas Sylejmanit, bashkëpërgjegjës janë edhe prindërit.
Idriz Ramadani (LDK) tha se suksesi, megjithatë është pozitiv dhe më i mirë se në gjysmëvjetorin e parë të vitit të kaluar. Për brengosje është suksesi në shkollat e mesme, ku edhe numri i mungesave është më i madh, ka thënë ai.
Arta Sylejmani (LDK) ka thënë se kriteret për arsyetimin e mungesave duhet të jenë më të rrepta, duke kërkuar edhe respektimin e rregullores për masa disiplinore.
Shukrije Rapuca (PDK) ka thënë se është për brengosje fakti që suksesi në shkollat tona po bie, ndërkaq mungesat po rriten, sikurse dhe zvogëlimi i numrit të nxënësve nga viti në vit.
Arben Mehmeti (LDK) thotë se nga raporti i suksesit ka vërejtur se numri më i madh i mungesave, është në shkollat që udhëhiqen prej drejtorëve të PDK-së.
Leonora Bunjaku (PDK), thotë se nevojitet një analizë për mungesat e paarsyeshme në shkollë, sepse për ato të arsyeshme, nuk kemi çfarë bëjmë ne, nëse vetë prindi vjen dhe e arsyeton mungesën e fëmijës së tij, thotë ajo. Ndërkaq pohimet se numri më i madh i mungesave është në shkollat që udhëhiqen nga drejtorët e PDK-së, i ka cilësuar paragjykime./rajonipress/