RCCOLA

Komiteti i Arsimit rekomandon të kryhen emërtimet e shkollave në Gjilan

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Komiteti i Arsimit (KA) ka diskutuar në takimin e fundit për emërtimin e disa institucioneve arsimore si dhe për organizimin e parambrëmjeve të maturës dhe i ka dhënë rekomandimet e tij për të dyja këto problematika. Arben Mehmeti, kryesues i KA, ka thënë se disa shkolla në Gjilan, kanë mbetur të emërtuara prej disa vitesh dhe i ka rekomanduar Kuvendit Komunal që ta diskutojë këtë problematikë dhe t`i kërkojë Drejtorisë së Arsimit që ta përfundojë këtë proces sipas Udhëzimit Administrativ të MASHT-it.

Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se propozimin për emërtim e bën Këshilli i shkollës, i cili dorëzon në DKA, prej nga përcillet në MASHT, që është institucion përgjegjës për këto emërtime. Musa ka thënë se në komunën e Gjilanit, pa emërtime janë pesë shkolla, dy prej tyre të mesme dhe tri fillore. Kërkesë për ndërrimin e emrit, ka bërë edhe Këshilli i shkollës në Kishnapolë, që tani quhet “Afërdita”.

Përbërja e kaluar e Kuvendit Komunal është marrë me çështjen e emërtimeve të shkollave, por sipas Musës, ka pasur mospajtime rreth disa propozimeve dhe procesi është ndërprerë.

Sipas anëtarëve të KA, të cilët kanë marrë pjesë në këtë diskutim, Fehmi Sylejmani (VV), Ajtene Shahiqi (AAK), Florina Jerliu (LDK), Shukrije Rapuca (PDK), Rashit Sahiti (LDK), Leonora Bunjaku (PDK), shkollat duhet të mbajnë emra të personaliteteve që kanë kontribuar në fushën e arsimit, ndërsa në rastet ku ka mospajtime, shkollat duhet të vendosen emra kuptimorë, për të shmangur reagimet.

UBT

Kërkesa për ndërrimin emrit të shkollës në Kishnapolë, është cilësuar e paarsyeshme, meqë “Afërdita” është një emërtim kuptimor.

Ndërkaq, sa i përket shqetësimit që ka ngritur Fehmi Sylejmani (VV) rreth parambrëmjeve të maturës, KA i ka rekomanduar DKA-së që të lëshojë një qarkore për shkollat dhe t`i njoftojë ato se organizimi i parambrëmjeve është i paligjshëm.

Të gjithë anëtarët e KA u pajtuan se parambrëmjet duhet të ndalohen, sepse organizimi i tyre nuk parashihet dhe për më tepër reflektojnë në rrjedhën e vitit shkollor dhe cilësinë e mësimit, pos problemeve tjera që mund të ndodhin gjatë mbrëmjes./rajonipress/