UBT

“Komentari….” i shkruar nga Azem Hajdari, libër me literaturë bashkëkohore

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Milot Krasniqi – Recension i librit “Komentari i Kodit të Procedurës Penale” të autorit Prof. Dr. Azem Hajdari. Libri “Komentari i Kodit të Procedurës Penale” paraqet publikimin më të ri të autorit Azem Hajdari. Këtë libër autori e ka përgatitur konform zgjidhjeve të dhëna në Kodin nr. 04/L-123 e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi që nga data 1 janar 2013.

Komentari është përgatitur në një tekst voluminoz të përmbledhur në 1230 faqe, i ndarë në 6 pjesë dhe në 38 kapituj, sikurse është i ndarë edhe vet Kodi i Procedurës Penale. Autori i është qasur në mënyrë logjike dhe sistematike hartimit të këtij Komentari, duke e analizuar dhe komentuar çdo dispozitë veç e veç, nen pas neni dhe paragraf pas paragrafi, duke e nxjerrë kuptimin e drejtë të çdo dispozite.

Ky Komentar është rezultat i një pune sistematike, këmbëngulëse dhe profesionale disavjeçare të autorit. Duke pasur parasysh faktin se autori ka përvojë të gjatë akademike, duke qenë profesor i lëndës së procedurës penale në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, si dhe përvojën e tij profesionale prej juristi në sistemin e drejtësisë dhe në shumë institucione të tjera publike në vend, janë garantuesi më i mirë se ky libër është përgatitur me kompetencë të lartë profesionale.

Në hartimin e tij autori është shërbyer me literaturë bashkëkohore dhe të mjaftueshme për natyrën e punës shkencore që kërkohet për përgatitjen e komentarëve. Përmes këtij libri, autori ka plotësuar një boshllëk të krijuar në teorinë dhe praktikën juridike, dhe si i tillë Komentari do të jetë në funksion të juristëve të praktikës, të studentëve të fakulteteve juridike si dhe të gjitha njerëzve të interesuar për të kuptuar më shumë rreth procedurës penale në Kosovë.

Mobi Casa

Ajo që e bën të veçantë këtë Komentar është vet qasja e autorit. Së pari, autori përmes tij ka arritur që të nxisë debate për disa çështje të cilat kanë paraqitur dilema për ushtruesit e funksioneve në sistemin e drejtësisë, si në teori po ashtu edhe në praktikën juridike në Kosovë. Këto dilema, të cilat autori i ka trajtuar me kompetencë profesionale janë:
1. Nëse shqyrtimi i dytë i aktakuzës është përherë i domosdoshëm apo jo [faqe 677];
2. Nëse gjykata ka të drejtë që të ndryshojë gjendjen faktike të prezantuar në aktakuzë nga ana e prokurorit të shtetit [faqe 885 – 886].

Së dyti, autori e ka pasuruar Komentarin përmes referimit që ju ka bërë rasteve të praktikës gjyqësore, përfshirë edhe Mendimet juridike të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për çështje të ndryshme të drejtësisë penale; dhe ajo që është mbase më e rëndësishmja, është fakti se autori ka konsultuar ushtruesit e funksioneve në sistemin e drejtësisë (prokurorët, gjyqtarët si dhe avokatët) në lidhje me dilemat që ata kanë hasur gjatë zbatimit në praktikë të dispozitave konkrete të Kodit të Procedurës Penale, ku autori është përpjekur që të ofrojë sqarimet e nevojshme dhe përfundimet në lidhje me këto dilema, në mënyrë që këto dispozita të aplikohen në mënyrë të drejtë në praktikë.

Si përfundim, rezulton se Komentari përbën kontribut të veçantë për teorinë dhe praktikën juridike, por ai paraqet edhe një datë të shënuar për sistemin e drejtësisë në Kosovës, andaj natyrshëm pritet që publikimi i tij të mirëpritet nga publiku./rajonipress/

Ma. Sc. Milot Krasniqi