Kombëtarja, ëndërr
Vullnet Basha ëndërron të bëhet pjesë e rregullt e Kombëtares shqiptare. Mirëpo, futbollisti kosovar thotë se fillimisht është i fokusuar tek skuadra e tij, Real Zaragoza
Vullnet Basha po kalon momente të mira në karrierën e tij. Futbollisti kosovar po luan me sukses tek Real Zaragoza, me të cilën, muajin e kaluar e realizoi një super gol. Mesfushori defensivë synon të vazhdojë me ritëm të njëjtë, ndërsa nuk e fsheh dëshirën që një ditë të bëhet pjesë e rregullt e Kombëtares shqiptare, të cilën e zgjodhi në vitin 2013.
“Unë momentalisht jam i koncentruar tek ekipi im, me të cilin po shkojmë mirë”, deklaroi fillimisht 24-vjeçari për “Zërin”. “Dhe, në qoftë se luaj mirë me ekipin tim, si çdo lojtar, është ëndërr të luaj për Kombëtaren”, vazhdoi Basha, i cili supergolin e shënuar për Zaragozën ndaj Recreativo Huelvas, ia ka kushtuar familjes së tij.
Synon La Ligan
Përpos Kombëtares shqiptare, futbollisti i lindur në Lozanë ka edhe objektiva të tjerë. Sigurisht, ai nuk e fsheh dëshirën që me Zaragozën, sezonin e ardhshëm të luajë në La Ligan spanjolle, pasi këtë sezon është duke luajtur në ligën e dytë.
Zaragoza është e gjashta në Liga Adelante me 41 pikë të grumbulluara, 7 më pak se i dyti, Valladolidi, pas 25 xhirosh të zhvilluara. Pra, kjo skuadër ka ende gjasa për t’u rikthyer në elitën e futbollit spanjoll. “Mendoj se, si skuadër e kemi potencialin për t’u rikthyer në La Liga, pasi klubi ka transferuar plot 15 lojtarë në muajin korrik dhe kjo ka bërë që ekipi të jetë thuajse komplet i ri”, ka thënë më parë Basha për gazetën.
Momentalisht, në La Liga luan futbollisti tjetër shqiptar, Shkodran Mustafi, i cili është pjesë e Valencias. “Ishalla një ditë edhe unë do të luaj në La Liga kundër Mustafit, i cili po luan shumë mirë me Valencian”, ka shtuar Vullneti, i cili është vëllai i futbollistit të njohur kosovar, Migjen Basha.
Ish-futbollisti i Sionit është ambientuar mjaft mirë në futbollin spanjoll dhe siguron se nuk do të largohet që aty, aq më pak tash kur i ka kaluar problemet me lëndime dhe kur po e kthen formën më të mirë. Në të kaluarën Basha ka luajtur edhe për Sionin, Neuchatelin, Grasshoppersin dhe Lausanne-Sport, ku edhe e kishte nisur karrierën. Ai ishte pjesë e grupmoshave të Zvicrës, ndërsa në vitin 2013 e zgjodhi Kombëtaren shqiptare. /Zëri/


