Komandantët”, nën ethet e Hagës

Paralajmërimet për arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, emrat e të cilëve janë të apostrofuar edhe në raportin e tij, i cili është bazamenti kryesor i krijimit të Gjykatës Speciale, sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, tregojnë se më në fund së shpejti ky tribunal do të dëshmojë punën, me arrestimet e para, të personave tashmë të njohur në Kosovë dhe komunitetin ndërkombëtar si “peshq të mëdhenj”.
Burjani: Nga të gjithë ata që do të akuzohen nga kjo gjykatë, një numër i madh i tyre është nga garnitura e politikanëve të shtetit të Kosovës
“Në një shtet ku nuk sundon ligji, siç është rasti i Kosovës, e ku përherë sundojnë krimi dhe mafia, nuk mund të ketë të ardhme dhe perspektivë për qytetarët e atij shteti. Duke e pasur për dy dekada një gjendje të tillë, duhet të pajtohemi me konstatimet e vazhdueshme se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar tërësisht, duke mos denjuar që të merret me kapot e krimit të organizuar, pushtetarët e inkriminuar, si dhe nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve të ditur, me emra dhe mbiemra. Gjykata Speciale duhet që të ketë sukses dhe të merret me një pjesë të ‘peshqve të mëdhenj’, të inkriminuar thellë edhe në krim të organizuar”, thotë analisti Bislim Aliu për gazetën “Kosova Sot”
Paralajmërimet për arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, emrat e të cilëve janë të apostrofuar edhe në raportin e tij, i cili është bazamenti kryesor i krijimit të Gjykatës Speciale, sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, tregojnë se më në fund së shpejti ky tribunal do të dëshmojë punën, me arrestimet e para, të personave tashmë të njohur në Kosovë dhe komunitetin ndërkombëtar si “peshq të mëdhenj”.
Fillimi i punës së kësaj gjykate, duke hequr njëherë e përgjithmonë vellon e zezë që po e mban si njollë tepër të dëmshme shteti i Kosovës, njohësit e fushës së drejtësisë e vlerësojnë si një hap serioz për pastrimin e skenës politike edhe nga të paprekshmit e ligjit, pasi që edhe vetë ndërkombëtarët theksojnë se Kosova nuk mund të ketë perspektivë politike dhe ekonomike, nëse ky vend drejtohet nga njerëz të dyshuar, të korruptuar dhe në lidhje me krimin e mafinë. Njohësit e fushës së drejtësisë dhe të sigurisë mendojnë dhe pajtohen plotësisht që në një shtet ku nuk ka sundim ligji, siç është rasti i Kosovës, sundojnë krimi dhe mafia, prandaj kjo gjendje duhet të marrë fund.
Një përgjegjësi për këtë jetëgjatësi të një gjendje të tillë kaotike në sistem, sipas analistëve, e ka edhe vetë sistemi i drejtësisë në Kosovë që ka dështuar tërësisht duke mos denjuar që të merret me kapotë e krimit të organizuar, pushtetarët e inkriminuar, si dhe nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve të ditur me emra e mbiemra. Sipas analistëve, e vetmja shpresë mbetet që më në fund kjo Gjykatë Speciale të ketë sukses për t`u marrë me një pjesë të “peshqve të mëdhenj”, të inkriminuar thellë edhe në krim të organizuar, që deri sot ishin të gjithë mbi ligjin.
Gjykata tashmë e kompletuar Pas këtyre deklarimeve të Martit, veprim më të shpejtë për Gjykatën Speciale pret edhe njohësi i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, sipas të cilit vonesa në fillimin e punës së këtij institucioni ka ardhur pikërisht nga shkaku i krijimit të situatave politike me kriza e zbrazësi institucionale. “Tanimë hap pas hapi po duket që i gjithë kapaciteti i veprimit të kësaj gjykate është kompletuar dhe Gjykata Speciale mund të veprojë tash shumë më shpejt, sepse edhe ashtu kjo gjykatë duket të jetë shumë vonuar në veprimin e saj karshi parashikimit që kishte në fillim të aprovimit të ligjit në Kuvend. Kjo zvarritje besoj që është bërë kryekëput për shkak të jostabilitetit që kishim në periudha të caktuara kohore në shtetin e Kosovës, për shkak të një skene politike të papërgjegjshme”, u shpreh ai.”Sado që tani kjo mund të fillojë më shpejt nga puna, unë mendoj që pritet të jetë mjaft e vështirë puna e kësaj gjykate, sepse edhe rastet të cilat do t’i ndjekë edhe për nga natyra e veprave penale të dyshuara që janë kryer ka atë kompleksitetin e vet dhe dilemat se cila ka qenë e vërteta, apo është vetëm një fantazi e krijuar qëllimshëm nga kuzhinat e Serbisë. Unë e kam thënë edhe më parë se do të ketë një mandat shumë të paqartë kjo gjykatë, ngase vazhdimisht thuhet se të gjithë ata që do të akuzohen nga kjo gjykatë, një numër i madh i tyre, është nga garnitura e politikanëve të shtetit të Kosovës, të dyshuar kinse për vepra penale të krimeve të luftës”, theksoi Burjani për “Kosova Sot”. Sipas tij, deri tash ka shumë pak informata nga kjo gjykatë, derisa vazhdimisht ka pasur dhe ka spekulime të shumta se kush krejt do të akuzohet nga kjo gjykatë
ALIU:GJYKATA SPECIALE DUHET QË TË KETË SUKSES DHE TË MERRET ME NJË PJESË TË ‘PESHQVE TË MËDHENJ’, TË INKRIMINUAR THELLË EDHE NË KRIM TË ORGANIZUAR Sidoqoftë, më optimist është analisti dhe njohësi i kësaj fushe, Bislim Aliu, sipas të cilit megjithatë ka shpresë që një proces i vënies së drejtësisë në vendin e duhur do të fillojë me fillimin e punës së kësaj Gjykate Speciale. “Kosova nuk mund të ketë perspektivë politike dhe ekonomike nëse ky vend drejtohet edhe më tej nga njerëz të dyshuar, të korruptuar dhe në lidhje me krimin e organizuar dhe nëntokën kriminale, e cila e mbajti peng zhvillimin e Kosovës gati për dy dekada”, u shpreh ai.”Ndaj, edhe ne duhet të pajtohemi me ato konstatimet e vazhdueshme nga miqtë ndërkombëtarë, sipas të cilëve në një shtet ku nuk sundon ligji, siç është rasti i Kosovës, e ku përherë sundojnë krimi dhe mafia, nuk mund të ketë të ardhme dhe perspektivë për qytetarët e atij shteti. Duke e pasur për dy dekada një gjendje të tillë, duhet të pajtohemi me konstatimet e vazhdueshme se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka dështuar tërësisht, duke mos denjuar që të merret me kapot e krimit të organizuar, pushtetarët e inkriminuar, si dhe nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve të ditur, me emra dhe mbiemra”, vijoi më tuje Aliu.
Ai mendon se Gjykata Speciale duhet që të ketë sukses dhe të merret me një pjesë të ‘peshqve të mëdhenj’, të inkriminuar thellë edhe në krim të organizuar. “Përndryshe edhe për shumë kohë do të mbetemi vend i izoluar, kurse për këtë një përgjegjësi do ta mbajë edhe kjo drejtësi e instaluar me Gjykatën Speciale nën autoritetin ligjor të shtetit të Kosovës”, tha Bislimi për “Kosova Sot”.
MIFTARI: “KOMANDANTË” TË LUFTËS S’KA KRIM QË NUK E KANË KRYER, SI VRASJET, PLAÇKITJET, HARRAQIN, KORRUPTIMIN, TREGTINË E PALEJUAR ARMËSH, DROGASH, CIGARESH… Sipas Naim Miftarit, raporti i Dick Martit është gjysmë i vërtetë, sidomos sa i përket akuzës se kinse njerëz të UÇK-së kanë bërë tregti me organe njerëzore gjatë luftës, sepse kjo nuk është dhe nuk mund kurrë të dalë si e vërtetë, por është vetëm një sajesë e kulluar serbo-ruse, e mbështetur nga fondet e zeza të gjigantit Gazpromit rus.”Por, sa u përket veprimeve mafioze të disa liderëve politikë dhe disa të quajtur komandantë dhe liderë të luftës, ish-senatori dhe eurodeputeti zviceran, Dik Marti, ka të drejtë plotësisht, pasi këta mafiozë të dalë nga lufta, por edhe asi që s’kanë luftuar kurrë, por i kanë takuar krahut tjetër, s’ka krim që kanë mundur ta kryejnë e që nuk e kanë kryer, si vrasjet, plaçkitjet, harraqin, korruptimin, tregtinë e palejuar armësh, drogash, cigaresh, deri te tregtia me bubrekë njerëzor, ku Kosovën e shfrytëzonin për transplantime. Por, fajtor për shumë krime është edhe bashkësia ndërkombëtare, që e kanë pasur ligjin, forcën, ekzekutivin në dorë, por nuk kanë punuar pothuajse fare, pasi kanë qenë të korruptuar edhe vetë nga mafia politike e vendit”, theksoi Miftari për “Kosova Sot”.
Ai shton se sa i përket gjykatës ndërkombëtare kjo gjykatë është e padrejtë, pasi nuk merret fare me krimet serbe kundër shqiptarëve, nuk merret me viktimat e 14.000 shqiptarëve, dhjetëra-mijëra dhunimeve dhe një milioni njerëz të ndjekur, të maltretuar dhe të vjedhur e të plaçkitur.”Derisa këto krime mbeten të pandëshkuara, pra amnistohen, kjo gjykatë është e padrejtë, është padrejtësi e madhe që i bëhet popullit tonë, shtetit tonë dhe UÇK-së sonë. Kjo gjykatë nuk do të merret me ‘peshq të mëdhenj’, as nuk do t’i kryejë punët tona, pasi ne vetë duhet ta pastrojmë Kosovën nga hajnat dhe kriminelët. Kjo gjykatë nuk do t’i zbulojë as vrasjet politike, por kjo lloj gjykate ka rrezik t’i dënojë në mënyrë selektive disa shqiptarë që kinse kanë bërë krime kundër serbëve”, potencoi më tej Miftari. “Është e vërtetë që edhe mund të ketë ndonjë krim individual ndaj civilëve serbë, por janë shumë pak dhe janë krime individuale, që në 99 % dalin si krime nga lakmia, e të bëra nga kriminelë për grabitje të pasurisë, si shtëpi, banesë, prona apo gjëra të tjera. Por, fatkeqësisht, nga kjo gjykatë nuk do të preken kokat e krimit të Kosovës, duke filluar nga presidenti Hashim Thaçi dhe banda e kapove e ashtuquajtur ‘Pronto'”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.
DETYRIMI KOSOVAR “Kosova e ka marrë obligim dhe e ka për detyrim që të bashkëpunojë me këtë gjykatë, pasi që politika kosovare dhe institucionet tona të drejtësisë nuk patën kurajën dhe guxim që nga vullneti i tyre për të dëshmuar zotimin e ndërtimit të shtetit ligjor ta krijojnë një institucion të tillë të specializuar dhe t’i japin epilog edhe raportit shumë konfuz të Dick Martit”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”
(Kosova Sot)