ARKATANA

Kolosi i Folklorit burimor shqiptar sot mbush 65 vite

/ 17 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Ky krijues i pa epur muzikor, nuk ka lënë emër, luftëtarë, veprimtar, as ngjarje historike te të gjitha kohërave në Malësinë e Karadakut, Gollakut dhe të Anamoravës, pa e përfshirë në krijimtarinë dhe vargjet e tij poetike, muzikore e artistike. Këngëtar dhe rapsod popullor, i cili duke filluar që nga viti 1968, kur u pranua si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës, ka dhënë një bagazh shumë të madh incizimesh me qindra këngë dhe albume të ndryshme muzikore, duke filluar nga shiritat e celuloidit, disqeve të gramafonit, audio kasetave, video kasetave, kompakt disqeve, DVD- ve etj. Krijues poetik i mijëra poezive dhe vargjeve të dedikuara për këngë dhe rapsodi popullore. Mbledhës i pasionuar i folklorit burimor muzikor shqiptar, i cili deri më tani ka mbledhur, shënuar dhe daktilografuar mbi 4000 këngë të llojeve të ndryshme gjithandej trojeve etnike shqiptare. Ky është Demir Krasniqi pedagog, këngëtar, kompozitor, poet, mbledhës i folklorit, publicist e gazetar që sot mbush 65 vite dhe me shumë meritë do ta gëzojë pensionin jetësor anipse, mbeti për një kohë të gjatë i papunë dhe nën mëshirën e zotit.

Demir Krasniqi sot mbush 65 vite, moshë kjo kur ai del zyrtarisht në pension. Urime të panumërta për këtë ditë të veçantë për krijuesin e madh e origjinal të shumë veprave e krijimtarive muzikore, folklorike, artistike e gazetareske.

Ndonëse kjo ditë e veçantë e gjenë në shtëpi e jo ku është dashur të jetë me ditar në dorë ku punoj si mësues e pedagog për më shumë se 40 vite, dhe jo me fajin e tij mbeti rrugëve, kjo nuk e ka penguar Demir Krasniqin që të jetë aktivë në të gjitha fushat e zhanret.

Askush nuk mund ta ndalë këtë kolos të folklorit burimor. Veprat e shumta të krijuara, këngët e panumërta që krijoj e këndojë për të gjitha kategoritë, dhjetëra libra të botuara e shumë paraqitje profesionale e marre të çmimeve kombëtare e ndërkombëtare e bëjnë këtë krijues të pavdekshëm, e bëjnë të ndihet krenar jo vetëm ai, por i tërë Gjilani, Kamenica, Anamorava e Kosova.

Demir Krasniqi mbahet mend për origjinalitetin e tij krijues, mbahet mend për guximin që pati në shumë kohë e periudha historike.

Demir Krasniqi është i dashur për të gjithë dhe i pranueshëm nga të gjitha kategoritë. Dhe kjo për faktin se ai u këndojë të gjithëve nga heronjtë, luftës së UÇK-së, këndojë për dëshmorët, luftëtarët, mësuesit, studentët, rinisë, luftërave e betejave të shumta historike.

Askush më mirë se Demir Krasniqi nuk e mbrojti këngën burimore shqiptare në të gjitha sfidat.

Demir Krasniqi me të drejtë mund të thuhet se është arkiv i madh historik për Anamoravën dhe jo vetëm këtë pjesë. Ka një biografi vërtet mahnitëse e studimore edhe si pedagog, edhe si këngëtar edhe si kompozitor edhe si poet, edhe si mbledhës i folklorit, por edhe si publicist e gazetar.

Në këtë ditë të veçantë për të ndoshta institucionet komunale do të duhej të kujdeseshin që ta nderojnë veprimtarinë e këtij kolosi, të paktën për t`ia dhënw një mirënjohje sepse në të gjitha manifestimet e Flakës së Janarit ai ka dhënë kontribut të madh, ka thur këngë për Idriz Seferin e të gjithë heronjtë e Karadakut.

Rajonipress e falënderon publikisht Demir Krasniqjn për tërë këtë kontribut që ka dhënë në fushën e kulturës e jetës shoqërore. Bëri qindra këngë e poezi për ne, por edhe vështrime të ndryshme profesionale. Shumë urime i madhi Demir Krasniqi./rajonipress/

Me lejën e vet autorit, por edhe për hirë të lexuesve po e japim të përmbledhur biografinë tejet të pasur të Demir Krasniqit.

Shënime biografike për pedagogun, këngëtarin, kompozitorin, poetin, mbledhësin e folklorit, publicistin dhe gazetarin:

Demir Krasniqi

U lind më datën 10 Shkurt 1950, në fshatin Tugjec të Malësisë së Gollakut, komuna e Kamenicës, nga nëna Hysnije dhe babai Shefkiu .

Rrjedh nga një familje skajshmërish e varfër, por shumë bujare, mikpritëse dhe me bazamente të forta kombëtare. Fëmijërinë e kaloi në skamje, në uri dhe me veshmbathje të falura.

Si nxënës ka qenë gjithmonë i dalluar në mësime dhe aktivitete të lira shkollore.
Muzikën (këngën) e ka trashëguar nga të parët e tij: gjyshi, babai, nën, dajallarët dhe të afërmit e tjerë familjarë .

Shkollën e plotë fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollimin dhe kualifikimin profesional muzikor i kreu në Prishtinë, në vitin shkollor 1969/70 .

Talenti i tij i rrallë muzikor dhe dashuria e madhe ndaj këngës, u vërejt që nga ditët e para të fëmijërisë së tij, në bankat shkollore, në programet e ndryshme shkollore, ku gjithmonë dallohej me talentin dhe interpretimin e tij të shkëlqyeshëm.

Më 25 Maj 1964, në Manifestimin ndërkomunal të Kamenicës “Mikrofoni është i juaji”, Demir Krasniqi i shoqëruar nën përcjelljen e violinës nga arsimtari i tij, Rexhep Bunjaku, përfaqësoi shkollën fillore të Tugjecit, me këngën “Hajredin pasha po na vjen Radikës”, me ç’ rast nga Juria profesioniste u nderua me Shpërblimin e Parë, në vlerë prej 5000 dinarësh, që atë kohë ishin sa dy paga e gjysmë të një mësuesi .

Gjatë jetës së tij, ka ushtruar këto profesione: Pedagog i kulturës muzikore me një përvojë rreth dyzet vjeçare në shumë shkolla fillore e të mesme të Kosovës, ku krahas punës edukativo – arsimore , në të gjitha shkollat ku ka punuar, ka themeluar edhe grupe e shoqëri të ndryshme muzikore, si: SHKA “Shpresa e Malësisë” në fshatin Tugjec, të Malësisë së Kamenicës, gjatë vitit shkollor 1970/71, Grupi muzikor i Shkollës Fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë , më 1974- 1977, SHKA “Kosova” në Prishtinë, më 1974, Grupet muzikore të Shkollave Fillore në fshatrat : Llabjan, Slivovë, Novo Bërdë dhe Viti të Merecit, në të cilat ka punua prej vitit 1977 deri më 1980.

Ka qenë anëtarë i rregullt i AVI “Çiftelia” të Radio Prishtinës, nën drejtimin artistik të kompozitorit dhe etnomuzikologut Lorenc Antoni, prej vitit 1968 deri më 1977. Anëtar dhe bashkëthemelues i Grupit folklorik “Vëllezërit Krasniqi” në Prishtinë, prej vitit 1965 deri më 1980.

Bashkëthemelues i SHKA “Idriz Seferi” në Zhegër , më 1970 /71.
Ishte pjesëmarrës në përurimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Miradi e Epër të Fushë Kosovës, pjesëmarrës në përurimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Keçekollë, në përurimin e rrymës elektrike në lagjen “Kllokoq” të Marecit , në manifestimin tradicional të cilin e organizonin shkollat të cilat e mbanin emrin e heroit të popullit Zenel Hajdini , nën moton :”Shkolla ime emrin tënd e mbanë “!

Ka marrë pjesë në përurimin e shkollës fillore “Fan Noli” , në Viti të Marecit . Prania dhe kontributi i tij kulturor në manifestimet “Takimet e shkollave fillore të Gllogovcit “ ishte me një peshë dhe kontribut të veçantë .

Në Gjilan, ka themelua SHKA “Dituria”, në gjirin e shkollave të mesme teknike dhe ekonomike të qytetit në fillim të viteve të 90-ta, pastaj themelues i Grupit muzikor “Xhevahiret e Gjilanit”, Grupi muzikor “Krasniqja” në Gjilan, Grupi folklorik “Shahiria” në Gjilan, Grupi muzikor i Shkollës fillore “Selami Hallaçi “ në Gjilan, Grupi muzikor “Marigona” i Shkollës fillore “Musa Zajmi” në Gjilan, Grupi muzikor i Shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, Grupi muzikor “Tefta Tashko” i Shkollës fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan , Grupi i këngëtarëve të arsimtarëve “Qamili i Vogël” pranë Shkollës fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan , etj. etj.

Këngëtar dhe rapsod popullor, i cili duke filluar që nga viti 1968, kur u pranua si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës, ka dhënë një bagazh shumë të madh incizimesh me qindra këngë dhe albume të ndryshme muzikore, duke filluar nga shiritat e celuloidit, disqeve të gramafonit, audio kasetave, video kasetave, kompakt disqeve, DVD- ve etj.

Si këngëtar dhe rapsod popullor, përveç mijëra dasmave e gazmendeve familjare gjithandej trojeve etnike shqiptare, përveç shumë koncerteve e festivaleve vendore, ka qenë katër herë përfaqësues i këngës kosovare në festivalet ndërkombëtare si:
Festivali Ndërkombëtar i Folklorit , në Zagreb më 1970, Rivista e Folklorit Ballkanik të Folklorit në Ohër, më 1970 , Takimet e Folklorit Ballkanik në Beograd, më 1971 dhe në Festivalin ndërkombëtar të Folklorit të popujve evropian “Danubi i kaltër” në Novi Sad, më 1976, ku ka këndua në duet me Nexhmije Pagarushën , këngën “Ku po shkon moj Rrushja e lalës”, festival ky që për herë të parë u transmetua direkt përmes rrjetit televiziv evropian “Eurovizion”.

Në Jubileun e 500 – vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar legjendar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu , më 1968 , ka incizua dhe publikua diskun e parë të gramafonit me këngën “Kushtrimi i Skënderbeut”, këngë kjo që atë botë ishte bërë një himn i vërtetë i popullit shqiptar dhe që jehonte nga çdo shtëpi ku frymohe, jetohej e flitej shqip , si në trojet etnike shqiptare, ashtu edhe në diasporë .

Në Jubileun e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , më 1978 , ka krijua, kompozua, incizua dhe publikua këngën me titull : “Lidhja e Prizrenit”.

Hidromorava

Më 1996, ka qenë i vetmi përfaqësues nga Kosova, në Koncertin festiv mbarëkombëtar me karakter fetar në Shkodër , ku është prezantuar me këngën :”Mirë se erdhe”.
Me rastin e Jubileut të 100- vjetorit të Kongresit të Alfabetit, më 15 Nëntor 2008, ka qenë i vetmi përfaqësues – kantautor nga Kosova, i cili është prezantuar me këngën: ”100 vjet të Alfabetit shqiptar”.

Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është prezantuar si kantautor i këngës: ”Kosova – nuse me kurorë”.

Me rastin e 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, para publikut gjilanas është prezantuar si kantautor i këngës :”100 vjet të Pavarësisë”.

Është njëri ndër iniciatorët dhe organizatorët e parë të Manifestimit tradicional “Takimet e vendlindjes në Tugjec”, ku që nga viti 2001 e deri më 2007, ka organizuar dhe moderuar pjesën artistike muzikore .

Kompozitor i më se 2000 këngëve dhe valleve në frymën e melosit tradicional popullor burimor.

Kënga e parë që e ka kompozua, titullohej “Kënga e vashës” dhe këtë këngë e ka incizua në Radio Prishtinë, më 1969, në duet me këngëtaren Liliana Çavolli.

Ka qenë pjesëmarrës disa herë me radhë në Festivalin tradicional “Akordet e Kosovës” më 1969,1970, 1974, 1976, 1979 , 1980, 1988, 1995 etj.

Në Festivalin tradicional “Kosovarja këndon- 1976” në Ferizaj , kënga e tij kushtuar heroit të popullit Zenel Hajdini, është shpërblyer me Vendin e Parë të Jurisë profesionale dhe me Vendin e parë të Publikut. Po ashtu , në Festivalin tradicional “Kosovarja këndon -1977” në Ferizaj , është shpërblyer me një bibliotekë librash .

Ka marrë pjesë në Rivistën e Folklorit Burimor Kosovar :”Gllogovci – 1974”
Në Festivalin Folklorik “I këndojmë Lirisë – 2005” në Klinë , është nderuar me pllakatin e Mujë Krasniqit. Po në atë vit ka marrë pjesë në Festivalin “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen” në Deçan, si dhe në Festivalin mbarëkombëtarë “Hasi jehon” në Gjonaj të Prizrenit .

Që nga viti 1969 ka qenë anëtarë i Lidhjes së Kompozitorëve të Jugosllavisë (SAKOJ) në Beograd, anëtar i Mbrojtjes së të Drejtave Muzikore të Autorëve (ZAMP) dhe anëtar i Lidhjes së Autorëve të Muzikës Popullore (SANAM) në Beograd .

Është autori i këngës së parë kushtuar UÇK-së, me titull : ”Rroftë Ushtria Çlirimtare”, e botuar me tekst poetik dhe notal në të përditshmen “GAZETË E RE SHQIPTARE” në Prishtinë, më datën 17 Nëntor 1998, faqe 16.

Është kantautor i himnit të Televizionit të pavarur “Festa” të Kumanovës, himnit të “Liberalëve të Kosovës ”, “Himnit për Kosovën”, “Marshi i UÇK-së” dhe Himni i “Flakës së Janarit” në Gjilan.

Krijues poetik i mijëra poezive dhe vargjeve të dedikuara për këngë dhe rapsodi popullore.

Mbledhës i pasionuar i folklorit burimor muzikor shqiptar, i cili deri më tani ka mbledhur, shënuar dhe daktilografuar mbi 4000 këngë të llojeve të ndryshme gjithandej trojeve etnike shqiptare. Pos kësaj, ka botuar me qindra këngë burimore në “Folklorin muzikor shqiptar” Bleni 4,5,6 dhe 7 të Lorenc Antonit.

Publicist i shumë studimeve etnomuzikologjike nëpër shumë gazeta, revista dhe agjenci të ndryshme të internetit.

Është radio-gazetar dhe gazetar hulumtues i diplomuar, profesion ky që e ka ushtruar në shumë mediume publike elektronike dhe të shkruara, e që edhe sot punon palodhshëm në këto lëmi . Ndër mediumet publike në të cilat ka punua si gazetar dhe moderator i shumë emisioneve, duhet përmendur : Radio “Viktoria” në Gjilan, Televizioni i pavarur “Vali” në Gjilan, gazeta “Bashkimi” në Gjilan, Gazeta javore “Fokus” në Prishtinë, gazeta javore “Perspektiva” në Preshevë dhe ëeb faqja elektronike “Zemra Shqiptare” në Londër , “Rajonipress” në Gjilan etj.

Për punën dhe kontributin e tij, gjatë karrierës prej këngëtari e krijuesi muzikor është nderuar me qindra mirënjohje, pllakate , e dekorata tjera.

Demir Krasniqit, për mbledhjen dhe publikimin e dy veprave muzikore të këngëtarit legjendar kosovarë Qamili i Vogël – Muhaxhiri ( pas vdekjes së tij) , Familja e këtij këngëtari të pavdekshëm, ia dhuroi dy kompletet e gardërobave kombëtare të Qamilit të Vogël, dhurata këto që Demir Krasniqi i mbanë, i veshë dhe i ruan me krenarinë dhe respektin më të madh njerëzor .

Në Qershor të vitit 2010, përmes Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, dy këngët autoriale të Demir Krasniqit:”Faleminderit Amerikë” dhe “ Këngë për Presidentin Bill Klinton”, i dorëzohen në duar Presidentit historik të SHBA-së , z. Bill Klinton, i cili e falënderon publikisht autorin dhe këto dy këngë janë të parat në historinë e folklorit
muzikor shqiptarë, të cilat hynë në Muzeun e burrështetasve amerikanë , në Shtëpinë e Bardhë të Uashingtonit .

Në Festivalin tradicional “Zëri i Alfabetit-2011” në Manastir, Demir Krasniqi nderohet me një mirënjohje dhe me “Pllakatin e Kongresit të Manastirit”.

Në çmimet e Dhjetorit të vitit 2011, nën moton:”Me më të mirët”,organizuar nga Kuvendi Komunal dhe DKRS e Gjilanit, nderohet me mirënjohje “Për kontributin shumëvjeçarë në sferën e artit dhe të kulturës”.

Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kamenicë, në muajin Prill të vitit 2012, nderon me “Mirënjohje” për kontributin e dhënë në avancimin e artit dhe kulturës shqiptare .

Nga Drejtoria e Festivalit të Këngëve dhe Valleve :”Gurra popullore – 2012”, nderohet me “Mirënjohje – për kontributin e dhënë në lëmin e këngës ndër vite “.
Në kuadër të manifestimeve kulturore kushtuar Ditës së Çlirimit të Gjilanit, më datën 15 Qershor 2013, nën patronatin e Kryetarit të Komunës , z. Qemajl Mustafa, DKRS të Gjilanit, Drejtori i Festivalit të Këngëve dhe Valleve : “Gurra popullore – 2013”, z. Nazim Gagica, i ndanë : Çmimin “Xhevat Ismajli” për karrierë”.

Deri më tash, ka publikuar këto vepra autoriale:
1. “Mallëngjime e oshtima” – Prishtinë, 1993,
2. “Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet”(monografi)-Prishtinë,1995,
3. “Gjakon Kosova” – Gjilan, 1998,
4. “Bejtë Pireva” – Gjilan, 2002,
5. “Zeqir Maroca” – Gjilan, 2002,
6. “Këngë krismash lirie I” – Gjilan, 2003,
7. “Këngë krismash lirie II” – Prishtinë, 2003,
8. “Familja Kurti nga Tugjeci “ (monografi) – Prishtinë, 2004,
9. “Skica me spica” – Gjilan, 2004,
10. “Shtojzovallet e Gollakut”, ETMMK – Prishtinë , 2005,
11. “Kushtrim lirie” – Gjilan, 2005,
12. “Liman Shahiqi – trimi i Gollakut” – Prishtinë ,2005,
13. “Kroi i këngës “- Gjilan, 2006,
14. “Qamili i Vogël – Këngë përjetësie” – Gjakovë, 2006,
15. “Valle popullore” – Gjilan, 2007 ,
16. “Këngë dhe ilahi fetare” – Gjilan, 2007,
17. “Krenaria e Gollakut” – Gjilan, 2008 ,
18. “Diell lirie” – Gjilan, 2008 ,
19. “Lirika popullore e Gollakut” – Gjilan, 2008,
20. Gëzim Marku :”Intervistë me Demir Krasniqin”, botoi “Zemra Shqiptare” – Londër , më 2009 ,
21. “I pa epur” – Gjilan, 2010,
22. “Malli për Gollakun” – Gjilan, 2010,
23. “Djepi i këngës” – Gjilan, 2011,
24. “Therje me vegsh “ – Gjilan , 2011.
25. “Amaneti” – Gjilan, 2011.
26. “Tinguj dhe ofshama” – Gjilan, 2012.
27. “Komentime dhe përkushtime” – Gjilan, 2012.
28. “ Kënga ime” – Gjilan, 2012.
29. “ Sofra e këngës ” – Gjilan, 2012.
30. “Shpirt i trazuar” – Gjilan, 2013.
31. “Bardh e zi” – Gjilan, 2013.
32. “Mot e lot” – Gjilan, 2013.
33. “Klithje kohe” – Gjilan , 2013 .
34. “Dritë e fikur” – Gjilan , 2013 .
35. “Mall i pashuar” – Gjilan , 2013.
36. “Kopshti i dashurisë” – Gjilan, 2014 .
37. “Bashkim Kombi ” – Gjilan , 2014 .
38. “Lotët e Tokës “ – Gjilan, 2014 .
39. “Dashuri e gabuar” – Gjilan, 2014.
40. “Hambari i këngës” – Gjilan , 2014 .
41. “Bukuritë e Gollakut” – Gjilan, 2014.
42. “Trojet tona” – Gjilan, 2014.
43. “Parajsa e këngës “ – Gjilan, 2014.
44. “Këngë përshëndetëse” – Gjilan, 2015 .
45. “Lulja e fisit” – Gjilan , 2015 .

Jeton i pa punë, pa kurrfarë të ardhurash dhe krijon në Gjilan.
Motoja e punës dhe krijimtarisë së tij, është:
“Për emrin e Zotit,
Për nderin e kombit,
Për gjakun e dëshmorëve,
Për eshtrat e varreve”!

***** Post scriptum :
1. Pas 38 vitesh përvojë pune, kontributi dhe angazhimi në lëmin e edukimit dhe arsimimit muzikor nëpër shumë vatra arsimore të mesme dhe fillore të Kosovës , në vitin shkollor 2007/2008, Drejtoresha e Shkollës Fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan, ku Demir Krasniqi ishte duke punuar aktualisht si arsimtar i Kulturës Muzikore , e largoi për gjithmonë nga procesi edukativo – arsimor , vetëm e vetëm pse i kishte përgatitur me Grupin muzikor të nxënësve “Tefta Tashko” , për festën e Ditës së kësaj Shkolle (më 24 Prill) këto katër këngë:
1. Kushtrimi i Skënderbeut ,
2. Ismajl Qemajli dhe ngritja e Flamurit në Vlorë ,
3. Komandanti legjendar Adem Jashari dhe
4. Agim Ramadani – Katana

2. Gjatë krijimtarisë së tij artistike muzikore , si dhe mbledhjes së folklorit muzikor shqiptar nga të gjitha trevat shqiptare, askush nga ana e institucioneve tona relevante kulturore , qofshin atë lokale, qendrore, apo mbarëkombëtare , nuk i kanë ndihmuar kurrë në botimin dhe publikimin e ndonjërës prej këtyre veprave ?!

Vlen për t’u theksuar se vetëm përmbledhja me titull :”Lirika popullore e Gollakut”, në të cilën janë përfshirë 1216 këngë të ndryshme burimore dhe që përmban gjithsejtë 560 faqe shtypi, projekt ky në të cilin autori ka punua hiq më pak se 40 vite punë, studime e hulumtime, nuk ka dashtë askush dhe asnjë institucionin kulturor që t’i ndihmojë dhe ta botojë këtë thesar kaq të çmueshëm të folklorit tonë burimor nga Malësia e Gollakut?!
3. Në opusin e tij krijues muzikor, përveç zhanreve tjera muzikore, nuk ka ngjarje historike, as figurë patriotike mbi trojet etnike shqiptare, që Demir Krasniqi të mos i ketë kushtuar këngë dhe kënduar ato me dashurinë dhe respektin më të madh njerëzor e kulturor .
4. Po ashtu, ky krijues i pa epur muzikor, nuk ka lënë emër, luftëtarë, veprimtar , as ngjarje historike te të gjitha kohërave në Malësinë e Karadakut, Gollakut dhe të Anamoravës, pa e përfshirë në krijimtarinë dhe vargjet e tij poetike, muzikore e artistike./rajonipress/

Mund të ju interesoj:

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.