ARKATANA

Kolë Berisha: LDK’ja duhet të çlirohet nga humbja në Prishtinë…

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Puna e kësaj legjislature ka qenë shumë larg nga ajo që ka mund të bëhet. Absurdi më i madh i këtij Kuvendi është largimi i pozitës nga seancat plenare. Jakup Krasniqi po e udhëheq mirë me seancat plenare. LDK duhet ta mbyllë kapitullin e humbjes së Prishtinës për të përjetuar një çlirim kreativ për fitoren në zgjedhjet nacionale. Në kohën e Isa Mustafës LDK e ka kthyer statusin e partisë fitimtare. Partinë e Rugovës mund ta kthejnë në pushtet vetëm ata që e donë Kosovën. LDK’së tani i duhet një rithemelim i dialogut me qytetarin përtej përkatësisë partiake. Në një intervistë me shkrim, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, përgjigjet për Express.

Express: Si e vlerësoni punën e kësaj legjislature dhe udhëheqjen e Kuvendit të Kosovës?

K. Berisha: Kur kihet parasysh periudha prej katërmbëdhjetë vjetësh (2000-2014) jetë institucionale – parlamentare në nivelin lokal, dhe trembëdhjetë vjet (2001-2014) në nivelin qendror; pastaj, vizitat e herëpashershme reciproke me homologë jashtë vendit, duke filluar nga niveli më i lartë (kryetari dhe kryesia), për të vazhduar me grupet punuese dhe me komisionet e Kuvendit, për të (mos) përfunduar me administratën e Kuvendit dhe departamentet e saj; me salla të renovuara dhe të mobiluara mirë për punën normale të grupeve, të komisioneve dhe të trupave të tjera punuese të Kuvendit; etj, pa pretendim të minimizimit dhe të zhvlerësimit të asaj që është punuar, të asaj që është arritur, megjithatë, puna e kësaj legjislature ka qenë fare e zbehtë dhe shumë larg nga ajo që ka mund të bëhet, nga ajo që qytetari i Kosovës e pret prej saj. Personalisht mendoj se, punën e kësaj legjislature, pos të tjerash, e kanë përshkuar: 1) fjalori skajshmërisht joparlamentar nga ana e vet parlamentarëve – dukuri kjo potencialisht tepër e rrezikshëm; 2), prolongimi – shtyrja e miratimit të ligjeve dhe të akteve tjera për mungesë të kuorumit pas shtatë-tetë orësh diskutimi; dhe, 3) largimi i pozitës nga salla – dukuri kjo që për herë të parë po promovohet nga subjekti më i madh politik i cili qeverisë me Kosovën. Nuk mund të arsyetohet fakti që, pas pesë-gjashtë orësh diskutimi për pikën e caktuar të rendit të ditës, dhe në momentin kur e-i njëjti duhet të votohet, të mungojë kuorumi. Këtë lloj prolongimi po e bëjmë ne, askush tjetër. Pastaj, largimi i pozitës nga salla, është absurd mbi absurdet. Nuk di, a ka ndonjë model të tillë në rajon e më gjerë. Fundi, në çfarëdo rrethanash, pozita është e obliguar të qëndrojë në sallë. Në fakt, ajo e fundit do të dalë nga salla. Opozita ka këtë të drejtë, pra, edhe “ të rebelohet”, por, këtë të drejt nuk e ka edhe Pozita. Pa opozitën mund të punohet (përkohësisht, por jo me javë e maj), nëse i ka numrat e mjaftueshëm, siç është përcaktuar me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit por, pa pozitën jo! Të gjitha këto që u thanë, dhe shumë të tjera që nuk u thanë, nuk janë pasojë e mospunës, e paaftësisë së Kryetarit e as të Kryesisë së Kuvendit. Çfarëdo udhëheqje tjetër, në kushte të tilla, nuk do të mund të bënte më tepër.

Express: Çka ka ndryshuar udhëheqja juaj prej udhëheqjes aktuale të Parlamentit?

K. Berisha: Sigurisht e keni fjalën për ndryshimet ndërmjet dy udhëheqjeve. Por, ndryshimet gjithmonë bëhen në gjendjen e trashëguar, dhe këto ndryshime i bën udhëheqja që vjen në pushtet, e jo ajo që shkon. Unë, psh, kam bërë ato ndryshime në praktikën që e kam trashëguar nga paraardhësi im. Sigurisht së kështu ka vepruar edhe pasardhësi im. Natyrisht se, ndryshimet i imponon gjendja e trashëgua dhe synimet për një punë më të mirë dhe për ta jetësuar programin e subjektit të cilit i takon udhëheqja e re.Prandaj për ndryshimet mund ta pyesni kryetarin aktual.

Express: A po e udhëheq mirë Jakup Krasniqi me Kuvendin e Kosovës?

K. Berisha: Sinqerisht, unë mendoj se – Po! Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka dhenuk do të ketë gabime nesër.

Express: LDK në këtë mandat është në opozitë. Si e keni parë partinë tuaj duke bërë opozitë ndaj Qeverisë aktuale?

K. Berisha: LDK’ja ka qenë opozitë konstruktive por edhe proaktive. Nuk ka dashur të aktrojë. LDK është fanatike e institucionalizmit. Ajo para së gjithash ka në fokus forcimin e institucioneve. Prandaj ajo ka qenë e kujdesshme që të mos u bëjë opozitë institucioneve por politikave qeverisëse të pushtetit.Në anën tjetër ajo ka respektuar specifikat që ka Kosova,dhe e ka ruajtur identitetin e saj.

Express: E keni një analizë se pse LDK humbi pushtetin në Prishtinë?

K. Berisha: Mund të mos e dini, por, tashmë ka kohë që unë jam tërhequr nga të qenit aktiv në politikë, prandaj edhe nuk kam informata për çdo gjë që ndodhë në LDK. Mbase në LDK edhe mund ta kenë një analizë të tillë. Gjithsesi, mendoj se LDK duhet ta mbyllë kapitullin e humbjes së Prishtinës sa më parë, jo për ta harruar, por për të përjetuar një çlirim kreativ, i cili do sjellë fitoren në zgjedhjet nacionale.

FITORJA

Express: Si e shihni udhëheqjen e LDK’së nga Isa Mustafa?

K. Berisha: Konsideroj se kjo pyetje është paksa e vonuar. Ka kaluar koha kur kemi pritur si në ethe se si do të dukej LDK’ja nën udhëheqjen e Isa Mustafës. S’ka dilema se të gjithëve në Kosovë dhe jashtë saj, tash e tetë vjet na mungon, madje shumë dr. Ibrahim Rugova. Por kam bindjen se brezi që jetoi dhe veproi sipas të ashtuquajturës shkollë rugoviane nuk do të dalë jashtë atyre parimeve, jashtë atyre kornizave që karakterizojnë atë si parti. z.Mustafa po tregon urti, vullnet dhe gatishmëri. Ai, tashmë ka bërë një “stazh” në udhëheqjen e LDK-së dhe secili prej nesh e pamë dhe po e shohim LDK’në “nën udhëheqjen” e z. Mustafa. Se cilit udhëheqës (si individ) dhe se cilës udhëheqje (kolektive), në punën e tij-tyre, mund t’iu bëhen vërejtje. Mund t’iu gjendën gabime. Megjithatë mendoj se, përgjigjën më të mirë në këtë pyetje e ka dhënë rezultati i zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Shikuar realisht, deshëm ne apo nuk deshëm ta pranojmë, nuk mund t’i ikim faktit të pathyeshëm se, LDK’ja postrugoviane, pikërisht gjatë mandatit (kryetarllëkut) të Isa Mustafës, arriti ta ndërpres trendin e deriatëhershëm të rënieve, dhe ta fitojë statusin e fituesit (fitimtarit) me ka edhe i ka mobilizuar forcat brenda saj për një angazhim edhe më të madh, dhe i ka ngjallë shpresat për fitore në zgjedhjet e ardhshme.

Express: Kush mund ta kthejë LDK’në në pushtet.

K. Berisha: Sigurisht, jo ata që ia sollën asaj rënien, që e zhveshën nga pushteti. LDK’në mund ta sjellin në pushtet vetëm ata që e duan Kosovën.

Express: Çka duhet të ndryshojë Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova për të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme nacionale?

K. Berisha: Tashmë të gjithë e dimë se LDK është partia me trendin rritës më të lart të numrit të votave. Sipas të gjitha gjasave,LDK nuk do të ketë problem të jetë partia e parë në zgjedhjet nacionale. Por nuk përbën kjo thelbin. Për të qeverisur duhet një konsensus i gjerë qytetar, i cili garanton legjitimitet, jo vetëm legal. Prandaj, LDK-së tani i duhet një rithemelim i dialogut me qytetarin, përtej përkatësisë partiake, përtej llogoreve politike – dialog ky që do përfshijë qytetarin në fitore sot dhe në qeverisje nesër, përmes LDK’së. Mandati i ardhshëm qeverisës do jetë mandat i europianizimit të vendit tonë. LDK duhet të jetë e përgatitur për këtë. E kjo kërkon prej sajë hapje. Hapje vertikale, brenda strukturave, që besoj se është arritur dhe hapje horizontale, ndaj individëve, grupeve jo formale politike me kreativitet në udhëheqje, parti politike etj.

Express: Në Kosovë ka pasur koalicione të ndryshme mes partive të ndryshme. Si e shihni mundësinë që LDK dhe PDK përsëri të qeverisin në mandatin e ardhshëm?

K. Berisha: Mendoj se “koalicioni” më i mirë dhe më i shëndetshëm, jo vetëm për këto dy subjekte politike, por, në radhë të parë, për Kosovën, do të ishte që, që dyja, pra, LDK’ja e PDK’ja,të jenë pozitë-opozitë. Kosovës i duhet një pozitë e urtë, e matur (siç është LDK’ja) dhe një opozitë që s’do ta lërë pozitën të kotet.

Express: Shumë ish-zyrtarë të LDK’së kanë shkuar në AAK, duke nisur nga Blerim Kuçi, Haki Shatri, Melihate Termkolli etj. Sa e kanë dëmtuar LDK’në këto largime dhe a kanë ndikuar që sot kjo parti të mos jetë e para?

K. Berisha: Ata e meritojnë një mirënjohje për punën që kanë bërë në LDK. Mendoj se edhe atje ku janë ata kanë manifestuar ldk’izmin e tyre në politik-bërje, pra qytetarinë, kompetencën profesionale dhe frymën europianiste.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.