Kolaps industrial

Industria e rëndë në Kosovë është në gjendje kolapsi. Edhe ata pak investitorë po ballafaqohen me konkurrencë të pabarabartë dhe me mungesë të kapaciteteve përpunuese. Kështu u tha me rastin e publikimit të një raporti nga organizata STRAS për këtë sektor. Ky raport e nervozoi ministrin Besim Beqaj, ani pse nuk dha asnjë argument kundër.
Për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, gjendja aktuale e industrisë së rëndë në Kosovë, është si rezultat i luftës se fundit që pasoi me shkatërrimin e këtij sektori.
“Kemi trashëguar nga lufta ndërmarrje fiktive me pak potencial për prodhim”, tha Beqaj.
Kjo deklaratë e Beqajt, e bërë gjatë një debati ku u prezantua raporti i organizatës STRAS mbi industrinë e rëndë në Kosovë, nxiti reagime nga përfaqësuesit e odave ekonomike.
Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, deklaratën e ministrit Beqaj e quajti më shumë si shmangie nga problemi kryesor që ekziston në këtë sektor.
“Problemi nuk është tek e kaluara. Problemi është se si t’i mbajmë këta investitorë në Kosovë. Ne duhet të krijojmë kushte të barabarta që këta investitorë të rrinë në Kosovë. A jemi duke e bërë këtë si shtet? Unë mendoj që jo”, replikoi ndaj deklaratës së ministrit Beqaj, Arian Zeka.
Ai, duke iu referuar ministrit Beqaj, tha se dikasteret qeveritare nuk duhet të kenë qasje penguese ndaj raporteve që tregojnë gjendjen reale në këtë sektor.
“Është me rendësi të pranohen problemet reale të kësaj industrie”, tha Beqaj.
Edhe sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se deri tani ka një qasje jo shumë orientuese për ketë sektor. Problemi kryesor i industrisë së rëndë, sipas tij, është pozicioni i pafavorshëm i Kosovës me konkurrencën nga vendet e tjera.
“Industria e rëndë ka një potencial të madh të pashfrytëzuar. Ky sektor ka potencial ta rrisë eksportin dhe ta ulë importin. Nuk ekziston një strategji sektoriale për industrinë e rëndë”, ka thënë Rukiqi.
Sipas raportit të STRAS-it, situata aktuale në industrinë e rëndë nuk duket të jetë më e mira, meqenëse ajo është e aktivizuar pjesërisht.
Ibrahim Rexhepi, drejtor në këtë organizatë, ka thënë se problemet kryesore në ketë sektor mbesin shfrytëzimi i ulët i kapaciteteve përpunuese dhe ato me konkurrencën jolojale.
Sipas raportit të STRAS-it, situata më e rëndë është në “Trepçë”, që po përballet me probleme të trashëguara nga e kaluara, të cilat atë po e mbajnë peng. Në “Trepçë”janë shtatë miniera, ku ka mundësi që të nxirren 1,5 milion tonë xehe. Aktualisht janë të hapura katër miniera ( Stantërgu, Artana, Belo Bërdo dhe Cërnaci), të cilat kanë aktivizuar vetëm një të pestën e kapaciteteve.
Edhe fabrika e Sharrcemit ka kapacitete për prodhimin e 835 tonëve çimento, ndërsa sivjet planifikon të prodhojë 535 mijë tonë çimento. Shkaktar për mosarritjen e prodhimit sa janë kapacitet, është gjendja e çrregulluar në treg. Kompania ka pësuar humbje substanciale si rezultat i rritjes së importeve të çimentos nga Shqipëria dhe Italia.
“Të gjitha këto probleme kanë ndikuar që të ulet profitabiliteti, që bilanci tregtar i këtyre kompanive të jetë më i dobët se që është shpresuar dhe këto kompani të ardhmen e tyre e vështrojnë me pesimizëm”, ka thënë Rexhepi.
Gjithashtu thuhet se e ardhmja e kësaj industrie në Kosovë është në pikëpyetje edhe për shkaqe të politikave të pafavorshme industriale që kanë të bëjnë në rend të parë me rregullimin e shfrytëzimit të lëndës së parë për prodhim dhe për energji.
Më të pakënaqurit me këtë situatë janë vetë drejtuesit e ndërmarrjeve.
Shyqyri Kelmendi nga gjiganti metalurgjik “Trepça” ka thënë se nuk mjafton që të bëhen vetëm strategji, porse duhet edhe zbatim i tyre.
“Kosova duhet të orientohet në drejtim që të prodhojë metale me ngjyrë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Muhamet Shala nga “Ballkani” i Suharekës ka vlerësuar se problemi kryesor në këtë sektor është konkurrenca jolojale.
Edhe mungesa e inxhinierëve u tha të jetë njëri nga problemet që do ta ketë industria e rendë në të ardhmen.(express)