Eko Higjiena

Koha e rikthimit

/ 7 minuta lexim
RCCOLA

Nga Remzije Zekolli – Koha ikën. Ky është fati ynë, të cilin, ndonjëherë, nuk e kemi në dorën tonë, por rrethanat na dhurojnë kahje krejt tjetër. Ndoshta më mirë është kështu.

Gazmend Freitag.

Ashtu, i heshtur, e mbështeti dorën në dritare, shikonte fluskat e borës që ndonjëherë formonin peizazh në xhamat e dhomës së tij. Kjo pamje theu heshtjen që mbretëronte në atelierin e tij. Në ditët plot acar mendja i shkoi te largimi nga vatra e tij që kurrë s’e kishte dëshiruar. Pa dashur hyri në një luftë mendimesh që e tretën larg e më larg. Mbylli sytë për një çast. Para syve kaltrosh, i doli fshati i tij, ku kaloi ditët më të lumtura në jetën e tij. Parafytyroi shpatin plot gjelbërim, të cilin dy herë në ditë e shihte duke shkuar në shkollë. Kënaqej tek shihte natyrën e mrekullueshme. Si një ëndërr mahnitëse u shfaq lugina ku lozte me shokët e lagjes. Iu parafytyrua vreshta me rrush të cilin e hante me ëndje të madhe.

Kishte kohë që ishte larguar. A thua si do dukej tashti? Ende i bëhej se dëgjonte këngën e bilbilit që ia thoshte në degët e mollës, në kopshtin e tij.

Mbrëmjeve shqetësimi arrinte kulmin e tij helmues. Nuk kishte asnjë mik afër të qante hallin. Ëndrrat dhe dëshirat i silleshin në kokë. Gota me verë të kuqe shpesh e shoqëronte e dhembja assesi të qetësohej, disi u bë mikja e tij.

As mëngjeset s’i gjasojnë atyre të dheut tim. Këtu çdo gjë duket si një lule me xhemba.

Vitet kalonin. Pëlhura mbeti në vekun e gjyshes fisnike pa e pikturuar portretin e tij të fshehur. Hiri i kullës stërgjyshore e ndiente mungesën e birit të vet, i cili ia ktheu shpinën asaj dhe mori botën në sy.

Në dhe të huaj, në secilën stinë plakja, lodhja e mërzia, bëhen më të fuqishme. Këtë peisazh dhembjeje s’kam forcë ta qes në penelin tim. Sepse si një mjegull humb në hapësirë. Nuk mund ta zë hapin e saj. Po ikën shpejt. Aq më mirë sepse s’dua ta kujtoj. Ajo më vije pas si një hije, të cilën assesi ta zë. Më duket si një fantazmë që po më ndjek.

Unë dhe hiri, assesi të gjejmë shtegtim. Unë dua të kthehem te guri im. Mjegulla më futi në rreth si gjarpri gjahun e tij të pafajshëm. Kisha besim se dielli do të lind përsëri. Rrezet e tij të arta larguan mjegullën tinzare që përpiqej ta humbte pa gjurmë. Më mirë se çdo kush ta njoh dhembjen tënde, që të përvëlonte në zemër e të ndiqte çdo hap, si një hije nga e cila vështirë të largoheshe. Sa ikte ajo prapë afrohej. Dhembja u bë pjesë e jetës.

Mundësia dhe dëshira u kryqëzuan mes veti. Dëshira fitoi dyluftimin e pashpallur deri me sot. Ajo ngadhënjeu, sepse ishte më e zjarrtë, më e fuqishme, më bindëse, më largpamëse dhe ballëhapur i tha mundësisë:
– Ti rri atje, tek hiri i kohës së ikur dhe të harruar. Unë ballëhapur po vij te koha ime. Këtu jeta ka vlerë më shumë se në çdo cep të botës. Rrugëtimi im vazhdon. Ai më jep forcë. Unë do të kaloj dete e male për t’i hapur zemrën asaj që e prita me vite, sikur nëna të vetmin fëmijë.

Fisnikëria jote, më magjepsi sikur princesha që me vite kishte pritur princin e saj me kali të bardhë. Ai trimërisht pushtoi kalanë, që deri dje s’kishte shkelur këmbë e huaj. Mbeti e tillë për të filluar jetën e re, për realizimin e dëshirës kur dikush për herë të parë do t’i thotë në gjuhën e tij: të dua shpirti im. Këmbëngulës e filloi dhe e fitoi këtë betejë. Zoti i do të sinqertit, u hap rrugë për të kaluar çdo vështirësi drejt fitores së tyre të pritur e të merituar.

Ngadhënjeu dëshira për t’u kthyer tek hiri i kullës, e cila, ballëhapur, e pret të birin për të bërë peizazhin më të bukur të paparë deri më sot. Peizazhin e ardhmërisë.

Mobi Casa

Ai vetëm këtu rilind, këtu e kërkon ajri, uji, dielli, bjeshka dhe dashuria e tij. Kishte kohë që u mungonte atyre.

Mundësisë i tha lamtumirë, i hapi krahët e me shikim në pafundësinë qiellore, me zë këmbues thirri:

– Kulla ime, ardhmëria dhe dashuria ime, mirësejugjeta! Unë jam këtu, ka kohë që po ju pres, sepse jeni frymëzimi, jeta dhe krenaria ime.

Veku është pastruar nga pluhuri, pret pëlhurën e tij për të bërë peisazhin e mrekullueshëm për kohën e rikthimit në gurin e vet. Shikimet kaltroshe në kombinim me qiellin sjellin kumtin:
– Tani u ktheva në kohën time, ku besa, lulja e dashuria lëshojnë aromën më të këndshme në pragun e kullës sime të cilën me ëndje e thith.

Ai për dashurinë e jetës së tij, u ringrit edhe njëherë nga hiri. U shndërrua në Nosit për të ndriçuar rrugëtimin e tij jetësor aty ku e njeh guri, rruga, kroi i fshatit. Pemët bëhet sikur i thonë: Biri jonë, jemi krenarë që erdhe prapë këtu te ne.

Te kroi i dashurisë do të ulen bashkë. Le të digjet flakë aroma e rikthimit të saj.
Ai u shfaq si peisazh mahnitës. Kot lehin qentë si të Sodomës, që, si të çartur, shpesh u sulën mbi ne, por kot, engjulli mbrojtës përherë është pranë tyre.

A thua çka e shtyri ta bënte atë. Me gjithë vuajtjen që i shkaktoi kjo plagë, ai përherë gjente forcë t’i bënte ballë asaj dhembjeje. Rrugës për tek ajo ecte ngadalë, por asnjëherë s’e kishte humbur shpresën në rikthimin e saj triumfal. Erërat e dashurisë e sollën më shpejt këtu.

Ajo u rikthye në momentin që as nuk e kishte pritur. Kjo për ju tingëllon e pakapshme, e paarritur, por ajo erdhi si një muzikë e padëgjuar ndonjëherë, pikturë e paparë. Do të dukej diçka hyjnore si varg i pashkruar deri më tash, çerdhe e pandërtuar nga arkitektët modernë.

Çuditërisht u bënë luftëtarë të dashurisë, duke mësuar labirinthet e saj. Larguan mjegullën që u ishte bërë perde e cila i pengonte rrezet e diellit të depërtonin tek ata.

Dukej ujëvarë malli që qetësoi shpirtin e trazuar, si pemë mahnitëse që në secilën stinë mugullon.

Ai dhe ajo triumfalisht u rikthyen…../rajonipress/