Koalicioni qeverisës nis takimet për të vendosur për zv/kryeministrat e ri

Ka disa muaj që pozita e zëvendëskryeministrit të Kosovës ka mbetur bosh, kjo pasi që ish-zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, e liroi atë pozitë, duke u bërë President i Kosovës.
Thaçi i cili mbante pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme, është zëvendësuar me Enver Hoxhajn, ndërsa kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës është zgjedhur Kadri Veseli, transmeton Indeksonline.
Sipas zyrtarëve qeveritar, shumë shpejt pozita e zv/kryeministrit do të plotësohet me emrin të cilin do ta propozoj koalicioni qeverisës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi ka thënë për Indeksonline se nënkryetarët e partive veç kanë filluar të takohen, për të vendosur për emrin e zv/kryeministrit.
“Çka mund të them është vetëm e përgjithshme. Shumë shpejt do të takohen grupet punuese të partive, sepse kjo më shumë është punë e partive, dy grupet që janë takuar edhe kur është bërë ky koalicion,e më duket se tash veç edhe kanë filluar të takohen e kanë folur”, ka thënë Abrashi.
Ai ka theksuar se takimi ka qenë në nivel të nënkryetarëve, të cilët duhet të ulen dhe të dakordohen për emra.
“Unë besoj që shumë shpejt të do të zgjidhet zëvendëskryeministri i ri i Kosovës”, ka thënë tutje Abrashi. /Indeksonline/