Mobi Casa

Koalicioni LVV – LDK do të ndodhë, mund të ndryshojë vetëm posti i kryeministrit

/ 2 minuta lexim

LDK-ja ka marrë vendim t’i pezullojë takimet me LVV-në deri në certifikim të rezultateve nga ana e KQZ-së. Ata besojnë se meqë rezultati është i ngushtë numërimi i të gjitha votave do ta radhiste LDK-në si partinë e parë. Në anën tjetër, LVV-ja nuk beson në ndryshim të rezultatit, megjithatë është pajtuar se fjala e fundit i takon KQZ-së, shkruan Gazeta “Zëri”.

Njohësi i rrethanave politike Ramush Tahiri ka thënë se LDK-ja pezulloi bisedimet me LVV-në pasi nëse LDK-ja del fituese do të ndryshojë pozicioni i bisedimeve.

“LDK-ja ka pezulluar takimet, pasi në bisedime ndryshon pozicioni nëse LDK-ja del e para sa i përket funksionalitetit, sepse atëherë Vjosa thërret Albinin për t’i vazhduar bisedimet dhe ndërtimin e koalicionit. Me votat e rinumëruara dhe që eventualisht do ta ndryshonin rezultatin, atëherë dialogu mes dy partive do të ketë një pozicion tjetër”, ka thënë ai për “Zëri”.

Fundamenti

Tahiri thotë se koalicioni LVV – LDK do të ndodhë, pasi paraprakisht janë marrë vesh që cilado parti që del e para do t’i takojë pozita e kryeministrit.

“Ata janë marrë vesh që cilado që del partia e parë ajo e ka Kryeministrinë. Krijimi i Qeverisë nuk do të vonohet, pasi menjëherë pas certifikimit të rezultateve do të ketë koalicion pasi Vetëvendosja dhe LDK-ja kanë bërë marrëveshje paraprake të parimeve dhe kanë biseduar për koalicion, por e kanë pasur vetëm se kush do të bëhet kryeministër”, ka thënë tutje ai.

Tahiri thotë Vetëvendosja do ta pranojë Vjosa Osmanin për kryeministre nëse LDK-ja del parti fituese. /ZERI