Koalicioni i “elefantëve”, në krizë për vota
Kuvendi i Kosovës, as në seancën e parë për muajin qershor, nuk e ka renditur në rend dite të punës për diskutim dhe votim të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, e cila nga Bashkimi Evropian është vendosur si kusht i domosdoshëm për t’i dhënë Kosovës liberalizimin e vizave.
Ratifikimi i Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi
Krasniqi: Kjo Marrëveshje do të dështojë edhe pa votat e opozitës
“Nuk është që nuk i njohim këto metoda të pushtetit, në këtë rast edhe të PDK-së, LDK-së, në krye me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, nuk është që nuk i dimë teknikat e tyre, por megjithatë ne jemi të vendosur që të kundërshtojmë këtë Marrëveshje”, është shprehur deputetja Teuta Haxhiu për “Kosova Sot”
Kuvendi i Kosovës, as në seancën e parë për muajin qershor, nuk e ka renditur në rend dite të punës për diskutim dhe votim të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, e cila nga Bashkimi Evropian është vendosur si kusht i domosdoshëm për t’i dhënë Kosovës liberalizimin e vizave. Tanimë edhe deputetët e koalicionit qeverisës, PDK dhe LDK, shprehen hapur se Kuvendi i kontrolluar nga shumica e deputetëve të dy partive politike me shumicë shqiptare, PDK dhe LDK, me minoritete, akoma nuk e ka të sigurt numrin e mjaftueshëm të votave për nxjerrjen në votim të kësaj Marrëveshjeje, derisa opozita jo vetëm që po e kundërshton atë gati për një vit të plotë, por është duke lobuar edhe në mesin e deputetëve të pozitës që të mos e votojnë atë, prandaj edhe Qeveria nuk e ka guximin që ta dërgojë atë në Kuvend.
Haliti: Kemi ngelur keq për ta bindur njëri-tjetrin
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, nuk e ka fshehur aspak bindjen e tij se aktualisht koalicioni pa opozitën nuk i ka votat për ta ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit, prandaj një shqyrtim dhe diskutim i kujdesshëm i kësaj teme mbetet çështje serioze për ditët në vijim.“Çështja e Demarkacionit duhet t’i nënshtrohet një analize të gjithanshme në Parlament dhe jashtë tij, me specialistë dhe me mendime të kundërta, duke u ballafaquar me fakte. Por, unë mendoj se kemi ngelur keq për ta bindur njëri-tjetrin, që duhet apo nuk duhet që ta miratojë Parlamenti i Kosovës. Në anën tjetër, unë mendoj që ne akoma nuk i kemi votat e sigurta, në qoftë se Qeveria e sjell çështjen e Demarkacionit për ta ratifikuar në Kuvend. Nuk jam i sigurt që i kemi votat për ta votuar”, ka thënë nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, nga radhët e PDK-së.
Me pikëpyetje të madhe e sheh numrin e votave për ta ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, megjithëse ai është i sigurt që edhe në rast të shtimit të ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje nga Parlamenti, liberalizimi i vizave nuk do të mbetet peng i këtij procesi, ngase nuk është kriter bazë për këtë proces. “Mendoj që është e rëndësishme që kufijtë e Kosovës të përcaktohen, por nuk mendoj që Demarkacioni si i tillë është kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave. Sido që të jetë, mendoj se qytetarët e Kosovës shumë shpejt duhet të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, por të mos jetë kusht Demarkacioni për liberalizimin e vizave sepse është e paarsyeshme”, ka pohuar deputeti Arben Gashi nga LDK-ja.
Opozita e vendosur ta kundërshtojë Marrëveshjen në Parlament
Edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se sidomos tani, kur liberalizimi i vizave, si proces është shtyrë për në vjeshtë, nuk ka asnjë kuptim që Kosova të nxitohet dhe të bëjë një gabim të madh, duke ushtruar ndonjë lloj presioni mbi deputetët e pozitës, që edhe jashtë vullnetit të tyre ta votojnë atë Marrëveshje, që i “dhuron” një pjesë të territorit shtetëror shtetit fqinj Malit të Zi dhe, sipas saj, kundërshtimi i opozitës vetëm sa do të vijë e fuqizohet akoma më shumë. “Nuk është që nuk i njohim këto metoda të pushtetit, në këtë rast edhe të PDK-së, LDK-së, në krye me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, nuk është që nuk i dimë teknikat e tyre, por megjithatë ne jemi të vendosur që të kundërshtojmë, e fatmirësisht kur më tepër nuk e kemi pasur popullin në përkrahje”, është shprehur Haxhiu për “Kosova Sot”.
Sidoqoftë ajo thotë se do të ishte shumë më mirë që deputetët e pozitës t’i bëjnë presion Qeverisë që ta sjellë në Kuvend Ligjin për Ushtrinë e Kosovës, ligj që do të bashkonte pozitën edhe opozitën, dhe jo të merret me agjenda provokative, të dëmshme për interesin e shtetit dhe që mund të sjellin edhe destabilizim të situatës./kosova sot/


