Koalicioni dështon në vendime të mëdha

Analistët politikë, të cilët janë duke vëzhguar funksionimin e brishtë të këtij koalicioni të madh qeverisës, që nga themelimi i tij dhe notimi nëpër “ujë të turbullt”, për shkak të krizës që po vazhdon pandërprerë tash e tri vite rresht, konsiderojnë se në këtë vit të fundit të mandatit qeveritar janë tri vendime tepër të vështira, përballë të cilave mund të tundet kjo Qeveri dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Analistët parashohin zgjedhje të shpejta parlamentare,shkruan gazeta Kosova Sot.
“Jo vetëm tema për Demarkacionin, Asociacionin dhe Ushtrinë e Kosovës, por edhe të tjera të tilla e të ngjashme ishin dhe mbeten problematike për Qeverinë e Kosovës, ngase e njëjta asnjëherë nuk u tregua në nivelin e ekzekutivit kompetent të shtetit të së drejtës. Qeveria deri sot nuk bëri atë që do të duhej bërë për reformimin e sistemit zgjedhor, për reformimin e sistemit gjyqësor, për rregullimin ligjor të Qeverisë, për luftimin serioz të krimit as të korrupsionit”, tha prof. Riza Smaka për “Kosova Sot”.
Analistët politikë, të cilët janë duke vëzhguar funksionimin e brishtë të këtij koalicioni të madh qeverisës, që nga themelimi i tij dhe notimi nëpër “ujë të turbullt”, për shkak të krizës që po vazhdon pandërprerë tash e tri vite rresht, konsiderojnë se në këtë vit të fundit të mandatit qeveritar janë tri vendime tepër të vështira, përballë të cilave mund të tundet kjo Qeveri dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe përmbyllja e procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, sipas opozitës dhe analistëve politikë janë pikat kyçe, që e po testojnë seriozitetin, fuqinë dhe qëndrueshmërinë e Qeverisë aktuale dhe, sipas tyre, në këtë test, nga i cili nuk po mund të dalë fituese, ajo është futur, për shkak të gabimeve të mëdha, që ka bërë në hapa që nga fillimi i mandatit.
Deputeti Ismail Kurteshi, nga lëvizja ‘VETËVENDOSJE’, thotë se kjo Qeveri, e njohur si Qeveri e koalicionit të madh, po e dëshmon për çdo ditë paaftësinë e saj, që të bëjë diçka sado të vogël për të mirë të vendit. Sipas tij, e vetmja gjë që ka qenë përherë e gatshme ta bëjë janë bisedimet me Serbinë për realizimin e projekteve hegjemoniste të Serbisë dhe plotësimin e kërkesave të saj, deri në masën që e lëndon rëndë sovranitetin e Republikës së Kosovës siç ishte rasti me lejimin e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë
Një Qeveri normale do të dorëhiqej
Kurteshi thotë se sa i përket Demarkacionit, në formën që është ofruar, edhe kryeministri e ka pranuar si çështje që nuk kalon, prandaj ai pas dy viteve përpjekje që ta kalojë këtë projekt të dëmshëm, i është drejtuar Bashkimit Evropian që ta heqë Demarkacionin si kusht për liberalizim të vizave, kurse “Zajednicën” më 23 dhjetor të vitit 2015 Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të vdekur. “Çdo Qeveri me minimumin e ndërgjegjes pas dështimeve të tilla do të jepte dorëheqje, kësaj Qeverie i mungon edhe ai minimum i ndërgjegjes. Sa i përket ushtrisë, ajo do të bëhet, por jo në formë fushate dhe jo si iniciativë për përfitime personale e partiake. Ushtria është një ndër çështjet më serioze të këtij vendi dhe do të bëhet pas përgatitjeve serioze të një Qeverie të përgjegjshme, që do të vijë pas kësaj Qeverie të dështuar. Kjo Qeveri nuk shkon për shkak të dështimeve të saj, nëse qytetarët e Kosovës nuk e detyrojnë të ikë nga pozita që e ka keqpërdor pafundësisht”, tha Ismail Kurteshi për “Kosova Sot”.
Të pamundur e sheh përfundimin e misionit në të tri këto tema dhe bashkë me to edhe mandatin e plotë qeverisës nga ky koalicion edhe deputeti Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën. “Unë mendoj që të tri temat janë rezultat, apo pasojë e mosdijes së këtij koalicioni dhe të kësaj Qeverie se si do të duhej qasur problematikave të caktuara. Janë këto të tria çështje, që po të merreshin seriozisht, ka kohë që kanë mundur të zgjidhen”, ka theksuar ai.
Koalicion për pushtetin, jo për zgjidhjen e problemeve
Sipas Berishës, e para që ka të bëjë me Demarkacionin, deri më tani ka mundur që të sillet në Kuvend, që aty të mos votohet kundër dhe më pastaj të kërkohet zgjidhja tjetër e këtij problemi sipas praktikave të njohura ndërkombëtare, mirëpo ky koalicion e ka injoruar krejtësisht çështjen e përcaktimit serioz të vijës kufitare. “Sikur të merrej më seriozisht ky problem rreth demarkimit të kufirit, ka mundur të zgjidhet dhe mbetet temë krejtësisht e harruar deri më tani”, tha Zafir Berisha.
Sa i përket Asociacionit, ai konsideron se edhe këtu kjo Qeveri është futur në rrugë pa krye dhe nuk do të arrijë ta finalizojë as këtë proces gjatë këtij mandati. “Asociacioni as që është dashur të bëhet temë debati e diskutimi me Serbinë, por ka mundur të zgjidhet fare lehtë me aplikimin sipas ligjit, mbi bazën e të cilit funksionon tani edhe Asociacioni i komunave të Kosovës, krejtësisht në harmoni me Ligjin dhe Kushtetutën. Sa i takon çështjes së tretë, çështjes së ushtrisë, edhe kjo çështja ka mundur të përmbyllet sikur të ishte marrë seriozisht që nga viti 2013, duke filluar që nga fillimi i bisedimeve serioze me faktorin ndërkombëtar, por më tutje, më vonë në proces me partnerët e koalicionit, edhe kur është biseduar me Listën Serbe për koalicion qeverisës, por nuk kanë menduar fare për këtë”, u shpreh ai.
Sipas tij, ata nuk e kanë bërë një veprim të tillë, sepse kur kanë bërë koalicion, kanë bërë vetëm për të qëndruar në pushtet, por jo edhe koalicion për të zgjidhur probleme.