Koalicionet joparimore nga partitë politike dhe politika parimore

Nga Behxhet Sh. SHALA-BAJGORA – Partitë politike dhe ndershmëria parimore e tyre: Kur në Kosovë flitet për parime dhe ndershmëri, argumenti më i fortë që mund t’i besohet janë partitë politike dhe liderët e tyre. Fjalimet e liderëve partiakë janë antologji e ndershmërisë dhe enciklopedi e zgjuarsisë dhe shkathtësisë. Me të drejtë mund të pyetemi: ku ishin këta gurë të çmuar që nuk i gjetëm më parë. Zgjuarsinë e kanë në gjene, lindin të zgjuar, prandaj nuk kanë nevojë të lodhen pastaj duke lexuar libra. Fjalimet ua shkruajnë të tjerët sikur edhe në çdo vend të botës por këta tanët me mendime janë shumë më të përparuar, andaj kanë probleme kur duhet të lexojnë çfarë kanë shkruar të tjerët dhe dalin lolo e që nuk është aspak e vërtetë.

Dihet botërisht se presidentët tanë e kanë problem leximin dhe, mbështetur në këtë fakt, krijohet përshtypja se janë të palexuar, por e kanë shumë gabim. Rugova nuk shquhej si lexues i mirë, kurse Fatmiri fliste sikur të ishte në katedër para studentëve. Miku im i madh, Gjat Colli, pasardhës i Fan Stilian Nolit, në njohjen e gjuhëve të huaja, i cili i flet gjashtë (6) gjuhë të huaja sikur t’i kishte gjuhë amtare, kurse gjuhën shqipe e flet sikur ta kishte gjuhë fakultative sigurisht se ka pasur dhe ka probleme kur lexon tekste në gjuhën shqipe, prandaj i duhet një kurs intensiv për këtë gjuhë që po i nxjerr probleme në komunikim.

Më ka rastisur ta dëgjoj Gjetin duke komunikuar në gjuhët gjermane, italiane, frënge, serbe dhe kazake dhe nuk ka ndodhur të ketë asnjë shkëputje në komunikim. Në gjuhën shqipe ka ende probleme mbase për shkak të qëndrimit të gjatë në diasporë. Prej kohës kur po bën përpjekje të merret me politikë në Kosovë e politikan nuk do të bëhet as për 500 vjetët e ardhshëm, ka përparime në kalimin e kursit elementar të njohjes së gjuhës shqipe.

Atifete Jahjaga, pas Eqrem Qabejt, është albanologe më e kualifikuar, sidomos për përdorimin e rrokjeve edhe në rast se më parë nuk ka qenë e njohur kjo teknikë linguistike e përdorimit të rrokjeve. Ka bërë një përparim të madh krahasuar me të tjerët, sepse fjala që i ka dy rrokje, sipas Eqrem Qabejt, Fete Jaga, e ka ndarë në së paku katër rrokje. Gjuha shqipe e presidentit posthistorik, Shkëlqesisë së Tij, z. Thaçi, është kombinim i gjuhës së arbëreshëve të Kozencës, Kristoforidhit të Rumanisë, shqiptarëve të Ukrainës dhe hundëzakëve të Pakistanit.

Askush nuk e merr vesh sepse kur nuk i del ajo që e thotë. Ma gjeni, ju lutem, një qytetar të Kosovës apo të diasporës që dyshon në sinqeritetin, ndershmërinë dhe mbrojtjen e parimeve të politikanëve të tashëm të Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ma gjeni vetëm një rast të vetëm kur këta politikanë (s)’e kanë mbajtur fjalën? Me politikanët e Shqipërisë po merret Evropa apo Evropa dhe Amerika për t’i nxjerrë mësimet e mira. Me një fjalë, Shqipëria është bërë akademi për politikanët e huaj dhe, si e tillë, është epiqendër, që nga punimi i tokave me grurë kanabis, te trafikimi i qenieve njerëzore, krime të të gjitha llojeve nga ai spontan, deri tek ai i organizuar dhe vlerave të tjera të nëntokës. Shqiptarët e Maqedonisë hynë në librin e Ginisit, Harqinën e kryengritjes shqiptare me më shumë se 95 % shqiptarë ia dërguan fatosit të Nikola Gruevskit, Zoran Zaevit që i mashtroi në mënyrë bizantine shqiptarët se do t’i zbardhë krimet e montuara të Sopotit dhe Monstra e për bonus ua krijoi edhe një rast edhe më të rëndë, rastin e Kumanovës. Lugina e Preshevës u bë luginë e ujqërve të uritur për pushtet duke u ushqyer kryesisht me gjak dhe mish shqiptari në luftë për pushtet që e ka Beogradi. Shqiptarët e Malit të Zi janë kthyer në kohën e Knjaz Nikollës sa iu përket të drejtave të tyre. Kosova është zonë eksperimentale që po vazhdon duke prodhuar dhe duke riprodhuar politikanë injorantë si pasojë e përpjekjeve për riciklim të politikanëve me afat të skaduar të përdorimit, por edhe të keqpërdorimit e që, sipas të gjitha rregullave politike dhe teknologjike, nuk mund të riciklohen. Dikush do të thotë se tranzicioni i ka heronjtë e vet sikur edhe viktimat.

Në rastin e Kosovës, heronj të gjallë nuk ka, profiterë të luftës dhe të paqes janë 5 deri 10 %, ndërsa viktima janë 70-80 % (qytetarë të thjeshtë të Kosovës).
Edhe në balotazhin e 19 nëntorit e kemi këtë përbërje në garë, “heronjtë” si garantues të mirëqenies qiellore dhe viktimat si përfitues të mirëqenies qiellore!

Po si do të shkojë balotazhi?

1. Shpend Ahmeti, pa marrëveshjen e koalicionit me Selim Pacollin, ka qenë në epërsi të madhe ta fitojë Prishtinën. Ndonëse e bëri marrëveshjen e parimeve (në Kosovë nuk mund ta gjeni asnjë marrëveshje joparimore), Sulltan Selimi i Pacollëve nuk do të jetë në gjendje t’i bindë votuesit e LDK-së të AKRarizuar ta votojnë LV-në dhe Zog Metin. Nëse nuk ndodh asgjë e madhe në ndërkohë, Arbani ka gjasa ta fitojë Prishtinën me votat e Sulltan Selimit.
2. Kurrë nuk kam besuar se Gim Tiri do të hyjë në balotazh në Mitrovicë. E them me përgjegjësi se pas Faruk Spahisë, Mitrovica kurrë nuk ka pasur kandidate më të mirë se Valdete Idrizin e PDK-së e që nuk është militante e PDK-së. Për fat të keq, Gimi apo Gipa, siç po e quajnë, ka gjasa ta fitojë edhe një mandat që, sipas meje, është shembull eklatant i promovimi të një politike “dërrasë bungu”.

Agim Bahtiri ka mundur të jetë kryetar komune në Zimbabvenë e Mobutu Sese Sekos apo Ugandën e Idi Amin Dadës, por jo edhe kryetar i një qyteti me traditë politike, kulturore, patriotike, ekonomike, sportive etj.

Si ngushëllim për fitore eventuale të Agim Bahtirit mund të shërbejë thënia e Azem Bejtës se: “a mos po bëhet më m.t a”.
3. Në Gjilan, Luta do të fitojë, ndonëse edhe Samiu ka qenë shumë i mirë në debate.

4. Ferizaj është komunë që meriton të udhëhiqet nga Agim Aliu i cili ka qenë dominues në debat me Muharrem Sfarqën i cili më ka befasuar për të keq me një qasje agresive dhe arrogante si dhe nënçmuese ndaj kandidatit Aliu. Agim Aliu i ka mbajtur ligjëratë Rrem Sfarqës se si do të duhej të udhëheqë debati para medieve, por se kjo nuk i garanton fitoren.

5. Në Prizren, që këta e quajnë Jerusalemi i PDK-së, përballen dy kandidatë me kulturë debati dhe që e respektojnë dinjitetin e njëri-tjetrit dhe të dëgjuesve. Cilido që të fitojë, do të jetë fitore e Prizrenit. Përparësi ka Totaj ani pse fituesi pa balotazh i Prizrenit, komandant Zafa, kaloi në anën e Mytës. Nëse PDK-ja nuk e fiton Prizrenin atëherë mund ta ndajë një pjesë të murit e ta shndërrojë në mur të Vajtimit apo Murin e Lotëve sikur që është në Jerusalemin e Palestinës.
6. Gjakova urbane është më shumë me Mimozën, kurse ajo rurale me Ardianin. Ardiani ka përparësi.

Në Besianë Agim Veliu fiton pa ndonjë problem sikur Xhafer Gashi në Obiliq. Më duhet ta përkrah Xhaferin sepse më doli familjar. Sali Asllanaj e fiton Therandën e Sokol Bashota Klinën. Smajl Latifi ka një përparësi të vogël para Vehapit.

PDK-ja e fiton Kaçanikun dhe Shtimen, por e ka vështirë ta fitojë Vushtrrinë. Fatmir Limaj e fiton Malishevën, ndërsa në Dardanë situata është pisk.
Qendron Kastrati e humbi përparësinë me një qasje jorespekti ndaj kundërshtarit dhe fituesi përcaktohet në çastet e fundit.
Këto janë rezultate preliminare të cilat mund të ndryshojnë varësisht nga koalicionet “parimore” që do të bëhen ditëve në vijim.

Për një gjë jam i sigurt: rezultati i zgjedhjeve lokale do të jetë përcaktues për kohën dhe rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kosova funksionimin politik e ka ndërtuar sikur në Itali; në bazë të familjeve që i bëjnë nder njëra-tjetrës. Familjeve ekzistuese që e kanë sunduar Kosovën që nga koha e përfundimit të luftës i është shtuar edhe një familje e re që u bë forcë politike, ndonëse ka shumë pak vota. Por, ato vota që i ka janë përcaktuese për ekzistencën e familjeve ekzistuese. Rezultatet e zgjedhjeve të 19 nëntorit 2017 këtë familje mund ta fuqizojnë edhe më shumë apo edhe ta fundosin përfundimisht. Më gjerësisht në shkrimin e radhës.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).