RCCOLA

Kmetoci bëhet bashkë me Vetëvendosjen!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në takimin e fshatit Kmetoc, kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi, për të pranishmit prezantoi programin qeverisës lokal të Lëvizjes VV! dhe ka rikujtuar të gjitha të këqijat që i ka sjellur Gjilanit ky pushtet, e të cilat do të mënjanohen rrënjësisht nën qeverisjen e tij.

“Të pangopurit me pushtet, të cilët privatizuan gjithçka, ende janë të etur për të privatizuar edhe pak prona komunale, të cilat kanë mbetur pa u shitur, prandaj akoma kërkojnë votën tuaj. Për këtë arsye, ne ju japim shpresën e vërtetë të gjithë qytetarëve se do të qeverisim pa anime politike dhe nuk do të lëmë në harresë asnjë fshat, as Kmetocin dhe asnjë lagje tjetër të qytetit. Aq sa kemi, do t’i ndajmë të gjitha së bashku dhe proporcionalisht” – ka thënë Kurteshi.

Kandidati për asamblenë komunale nga Kmetoci, Nebi Latifi, u fokusua në problemet e arsimit, duke theksuar se pushtetit aktual nuk i ka interesuar kurrë cilësia dhe plotësimi i kuadrove deficitare. “Atyre nuk u ka interesuar përgatitja reale dhe kualifikimi i duhur profesional, për tregun e sotëm të punës. Cilësia në arsim është dëmtuar rëndë dhe ne këtë degradim do ta ndalim domosdoshmërisht” – ka thënë Latifi.

RCCOLA

Në Kmetoc ishte pjesëmarrës edhe deputeti nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, u shpreh:

“Që nga sot i uroj postin e kryetarit, Ismajl Kurteshit, sepse të gjithë ju dhe ne, i njohim vlerat e personalitetit të tij. Gjilani dhe gjithë Kosova po vuan nga udhëheqës të cilët gjithë punën e tyre e fokusuan në pasurimin e familjarëve të tyre, në bizneset që sponzoruan fushatën e tyre duke i ofruar tenderë në mënyrë të paligjshme. Shumë punë prej këtyre tenderëve, kanë mbetur pa u përfunduar dhe ato që po ashtu janë kryer, janë fare pa cilësi. Me Kurteshin, gjithçka do të shkojë në rrugë të mbarë” – ka thënë Konjufca.

Kmetocasit kanë shprehur vullnetin e tyre për të dalur në zgjedhje dhe për t’iu bashkangjitur ndryshimeve të mëdha të 3 nëntorit thuhet në njoftimin e VV në Gjilan./rajonipress/