Fundamenti

KMDLNj: Mos e linçoni Flora Brovinën

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar siç e kanë quajtur ata fushatës linçuese ndaj deputetes Flora Brovina, duke thënë se është e pamoralshme, e papranueshme dhe e dënueshme që dikush t’i nënshtrohet linçimit dhe gjykimit publik, pa një proces gjyqësorë të drejtë, fer dhe të paanshëm, sidomos që rasti i deputetes Brovina tashmë është duke u trajtuar para organeve të drejtësisë.

KMDLNj thotë se nuk është herë e parë kur linçimi publik është zbatuar pamëshirshëm ndaj personave tjerë e që pastaj janë liruar nga çdo përgjegjësi, mirëpo askush nuk ua ka kompensuar dëmin e madh moral që u është shkaktuar atyre si dhe familjeve të tyre.

Reagimi i plotë i KMDLNj:

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës të datës 16 maj 2019 ku diskutohej për nismën për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar që do të gjykonte krimet – gjenocidin që e ka bërë Serbia në Kosovë dhe i cili, kryesisht ka mbetur i pandëshkuar, deputetja Flora Brovina doli para gazetarëve me një “fotografi” ku shihej një situatë ku disa ushtarë e dhunonin një femër në prani të anëtarëve të familjes. Doli pastaj që kjo fotografi të jetë krejt e një konteksti tjetër. KMDLNj, atë “ fotografi“ e ka parë për herë të parë në bufenë e Kuvendit të Kosovës dhe i ka sugjeruar deputetes Brovina ta largojë si të pavlerë për faktin se ajo ishte një fletë letre e printuar apo e fotokopijuar dhe në asnjë kontekst nuk mund të provohej se është e vërtetë. Pasi u kuptua se kjo fotografi është e kundërta e asaj që ishte prezentuar, me të drejtë pati reagime të cilat, përveç egzagjerimit të tepruar, m ë vonë kaluan në një fushatë linçuese ndaj deputetes Flora Brovina. Në këtë fushatë linçuese të gjithë deshën të përfitojnë nga kërma e një dezinformimi, politikanët u munduan dhe po mundohen ta materializojnë në aspektin politik kurse individë që merren me “mbrojtjen“ e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale e kanë përdorur fjalorin më të rëndë të mundshëm ndaj deputetes Brovina kurse disa të tjerë po e keqpërdorin një fatkeqësi të viktimave të dhunës seksuale për ngritje të fondeve. Shumë veta u kyçën në vallen e dezinformimit duke kërkuar që kjo foto të largohet për faktin se po ndjehen të fyera familjet e viktimave të dhunës seksuale në pëprgjithësi si dhe familja e “viktimës“ së “dhunës“ nga fotoja , në veçanti. KMDLNj, është treguar e përmbajtur dhe nuk ka reaguar deri në kohën kur deputetja Brovina ka deklaruar se kush ia paska dhënë këtë ”foto“, ish deputetja Mevlud e Saraçi dhe se kush i paska dhënë leje, përmes telefonit ta përdorë këtë foto, një aktivist i këshillit për mbrojtje të drejtave të njeriut nga Gjakova por se nuk i kujtohet emri. KMDLNj, edhe në reagim ka qenë i matur duke e mohuar kategorisht autorësinë e kësaj “fotografie“ e që është 100% e vërtetë sepse po ta kishim atë fotografi do t’ia tundnim hundëve kriminelit Millosheviq dhe kriminelëve tjerë serbë para Gjykatës së Hagës, ku, në mesin e shumë dëshmitarëve të KMDLNj –së, ka qenë edhe kryetari i NKMDLNj për Gjakovën i cili, me ekipin e vet ka bërë punë të jashtëzakonshme për dokumentimin e krimeve serbe në Gjakovë e që e këtë e vërtetuar në mënyrë të shkëlqyer edhe si dëshmitar para Tribunalit për Krime Lufte në Hagë. KMDLNj ia përkujton opinionit se në mesin e shumë dëshmitarëve kundër Millosheviqit dhe kriminelëve tjerë serbë dhe jugosllavë e që janë dërguar nga KMDLNj, dëshmitari kyç i dhunimit seksual ka qenë i KMDLNj –së; rastin e ka trajtuar shkëlqyeshëm Halit Barani ndërsa zyra e KMDLNj –së e ka strehuar viktimën e dhunës seksuale deri sa nga Haga kanë ardhur dy hetues nga Tribunali (në cilësi tjetër për faktin se Serbia nuk i lejonte ndryshe ), të cilët e kanë intervistuar një kohë të gjatë për të dëshmuar pastaj para Tribunalit të Hagës. Nuk ishte ky një rast i vetmuar.

Deputetja Flora Brovina sikur edhe Flaka Surroi, Vjosa Dobruna, Shukrije Gashi dhe të tjera ishin anëtare dhe bashkëpunëtore shumë të vyera të KMDLNj –së dhe shumë kanë kontribuar në dokumentimin e dhunës të shtetit serb kundër shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë të Kosovës e që nuk ishin serbë, deri sa nuk u morën me aktivitete tjera. Deputetja Flora Brovina ka qenë bashkëpunëtore e ngushtë e Bacës Adem Demaçi dhe asnjëherë nuk i është larguar aktivitetit të KMDLNj- së, deri sa është kyçur në politikë.

Mobi Casa

Se Flora Brovina ka deklaruar se atë “foto“ e ka marrë nga një aktivist i këshillit për të drejtat e njeriut është një kornizë logjike për faktin se në atë kohë vetëm KMDLNj ka pasur brumë për dhunën serbe e të cilët të gjithë, qoftë individë apo organizata e kanë gatuar sipas recetës së tyre e cila ka qenë e motivuar kryesisht për përfitime materiale. Në këtë kontekst, KMDLNj ia bënë me dije opinionit se shumë herë ka bashkëvepruar me QIK –un ( Qendra Informative e Kosovës ), dhe, në rast kur ndonjë gazetar i QIK-ut apo politikan i LDK-së është zënë me ndonjë material nga policia serbe, gjithmonë kanë deklaruar se i kanë marrë nga KMDLNj e për çka shumë herë kemi paguar me aktivistë të arrestuar, të rrahur e në disa raste kanë përfunduar tragjikisht. Edhe sekretarin e atëhershëm të KMDLNj –së , Sami Kurteshin, policia serbe e pati keqtrajtuar në mënyrën më shtazarake të mundshme. Prej denoncimeve që i kanë bërë KMDLNj-së, rasti i Flora Berovinës është më i lehti ndonëse KMDLNj është implikuar në këtë çështje nga deputetja Brovina pa pasur nevojë.

Tash , pasi kanë dalur ne shesh faktet se këtë “foto“ deputetja Brovina e paska ekspozuar edhe në vitin 2012 në lokalin “Dit e Nat“, në prani të një auditori vendorë dhe ndërkombëtar e që nuk ka pasur asnjë reagim as nga organizatat që edhe në atë kohë janë marrë me “mbrojtjen“ e viktimave të dhunës seksuale, pse tash i tëri ky reagim ?! Në foton e vitit 2012, në dy krahët e deputetes Flora Brovina janë dy aktiviste që janë marrë me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit e që janë shumë të zëshme edhe sot.

Është e pamoralshme, e papranueshme dhe e dënueshme që dikush t’i nënshtrohet linçimit dhe gjykimit publik, pa një proces gjyqësorë të drejtë, fer dhe të paanshëm sidomos që rasti i deputetes Flora Brovina tashmë është duke u trajtuar para organeve të drejtësisë dhe çdo presion që i bëhet këtij procesi përmes linçimit publik të Flora Brovinës është ndërhyrje në punët e hetuesisë. Çështja e përgjegjësisë morale dhe politike është personale dhe varet nga individi si do të veprojë dhe dallon nga përgjegjësia eventuale penale.

KMDLNj nuk hynë në atë se cili ka qenë motivi i veprimit krejtësisht të gabuar të deputetes Flora Brovina dhe se si do të reagojë deputetja pas kësaj por kërkon që organet e drejtësisë ta kryejnë punën në përputhje me ligjin dhe vetëm pas administrimit të provave, gjykata përkatëse, me një vendim të mbështetur në fakte mund ta caktojë shkallën e përgjegjësisë për deputeten Brovina apo ta lirojë atë nga përgjegjësia. Nuk është herë e parë kur linçimi publik është zbatuar pamëshirshëm ndaj personave tjerë e që pastaj janë liruar nga çdo përgjegjësi mirëpo askush nuk ua ka kompensuar dëmin e madh moral që u është shkaktuar atyre si dhe familjeve të tyre. Ndonëse e kemi një sistem të drejtësisë ende të pakonsoliduar, siç duam dhe si e kërkojnë standardet ndërkombëtare, megjithatë duhet të mësohemi dhe të fillojmë t’i besojmë. Apo linçimin publik të bëjmë si shenjë identifikuese dhe ven dosëse të Kodit Penal të Kosovës.