Fundamenti

KMDLNJ mbron Thaçin: Po bëhet fushatë politike kundër tij

/ 5 minuta lexim

KMDLNj thotë se spekulimet se për ç’arsye prokurori Williamson e viziton Kosovën dhe pse takohet me kryeministrin në detyrë pikërisht në këtë kohë, po marrin formën e një fushate politike, e drejtuar kundër personave të caktuar të një subjekti politik e që është PDK.

​Shefi i Task Forcës për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës prokurori Clint Williamson do ta vizitojë sot Kosovën me ç’rast parashihet takimi me kryeministrin në detyrë Hashim Thaçin.

E për këtë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kërkon që të mos paragjykohen për përgjegjësitë e askujt për raportin e Dik Martit.

KMDLNj thotë se spekulimet se për ç’arsye prokurori Williamson e viziton Kosovën dhe pse takohet me kryeministrin në detyrë pikërisht në këtë kohë, po marrin formën e një fushate politike, e drejtuar kundër personave të caktuar të një subjekti politik e që është PDK.

KMDLNj vlerëson se të gjitha informatat që rrjedhin “nga burime të sigurta” janë të pa baza, jo të besueshme dhe shkaktojnë huti në opinion me qëllim të linçimit publik të personave të caktuar, me emra të të cilëve manipulohet opinioni.

“Askush nuk mund ta dijë se kush do të jetë pjesë e aktakuzës së prokurorit Williamson për aq kohë sa ajo nuk bëhet publike. Madje nuk dihen se sa subjekte dhe cilat subjekte do të jenë pjesë e aktakuzës. Deri më tani nuk ka asgjë zyrtare nga përgjegjësit që janë të mandatuar t’i bëjnë hetimet për raportin e Këshillit të Evropës prandaj të gjithë ata që përmendin emra konkret si pjesë e aktakuzës në fakt e dezinformojnë opinionin”, thotë ky Këshill.

Madje sipas tyre, askush nuk mund të arrestohet në bazë të shkrimit të mediave por vetëm pas përfundimit të hetimeve dhe vendimit të prokurorit të rastit.

Uji Dea

“Pretendimet për krimet e supozuara nga raporti i Këshillit të Evropës e kanë dëmtuar Kosovën jashtëzakonisht shumë ende pa filluar hetimet prandaj nuk ka nevojë, madje është e dënueshme që dikujt t’i ngritet aktakuza (nga mediat dhe “analistët”) pa përfunduar hetimet, pa u ngritur aktakuza dhe pa u konfirmuar aktakuza”, thotë KMDLNj.

KMDLNj përkujton parimin juridik se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa një dënim të prerë të gjykatës kompetente. Për krimet e supozuara që përfshihen në raportin e Këshillit të Evropës askush nuk mund të mbrohet me imunitet diplomatik dhe në bazë të postit politik që e mbanë. Dhe është shumë mirë që është kështu.

Sipas tyre, praktikat nga shtetet të ish Jugosllavisë por edhe shteteve tjera të botës ku ka pasur shkelje të rënda të drejtave të njeriut dhe shkelje të zakoneve të luftës tregojnë se nuk ka të paprekshëm në rastin se ka dyshime të bazuara për përgjegjësinë konkrete edhe të udhëheqësve më të lartë ushtarak dhe politik. As Kosova nuk mund të jetë jashtë kontekstit të përgjegjësisë në rast se vërtetohet fajësia për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kosova, sipas këtij Këshilli, ka nevojë të ngutshme për ndriçimin e të gjitha krimeve, krimeve të luftë dhe kundër njerëzimit, krime të motivuara etnikisht, krimeve që për pasojë kanë pasur vrasjen, zhdukjen apo eliminimin e kundërshtarëve politikë si dhe krimin që po e shkatërron Kosovën , si korrupsioni dhe krimin e organizuar.

“Pretendimet e Dik Martit janë shumë serioze dhe janë spekulative deri në kohën kur ato të dëshmohen përmes ngritjes së aktakuzës dhe vendimit të gjykatës. Nëse ato pretendime nuk dëshmohen atëherë Kosova duhet t’i ndërmarrë të gjitha veprimet juridike ndaj atyre që kanë plasuar këto pretendime, ndërsa nëse këto pretendime tregohen të bazuara në fakte atëherë ata që janë përgjegjës duhet ta marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e tyre.

KMDLNj vlerëson se Kosova ka nevojë për drejtësi ndërsa viktimat kanë nevojë për shpagim përmes realizimit të plotë të drejtësisë duke i dënuar ata që planifikuan krimin, ata që e urdhëruan, ata që nuk e penguan dhe ata që e kryen krimin pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, bindjeve fetare, posteve politike që i mbajnë etj.

“Viktimat duhet të trajtohen si viktima e jo në bazë të përkatësisë etnike, fetare, racore, bindjeve politike, statusit ekonomik, kontekstit social etj”, përfundon KMDLNj.