Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” arenë e demokracisë dhe e informimit

Gjilan – Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” nga Gjilani, ka shënuar 13- vjetorin e themelimit, me një manifestim të mbajtur në të cilin është thënë se falë punës së këtij klubi u pasqyrua jeta e qytetarëve, hallet e tyre dhe u përçua zëri i qytetarit tek pushtetarët.Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” të enjten në mënyrë solemne ka shënuar 13 vjetorin e themelimit. Në këtë përvjetor merrnin pjesë gazetarë, publicist, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë, raporton rajonipress.
Nexhat Buzuku moderator tha se Klubi i Gazetarëve është shembull i funksionimit praktikë ku me sukses ka mbrojtur etikën e gazetarisë dhe me sukses ka avancuar e përparuar jetën e rëndomtë të qytetarit gjilanas.
Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se ky klub e nisi punën në një barakë, për t’u shndërruar në një shtëpi mediatike, duke paralajmëruar rezultate edhe më të mëdha në vitet që po vijnë, derisa Begzad Sinani, kryetar i komunës së Dardanës, ka theksuar se do të vazhdojnë të mbeten pjesë e Anamoravës, duke qenë i pranishëm në çdo debat e duke punuar që të ecet vazhdimisht përpara pavarësisht vështirësive.
Sabit Rrustemi, nga ARS Club Beqir Musliu, ka theksuar se puna e gazetarëve gjilanas ka qenë pikë reference edhe për mediume të tjera në nivel vendi e jashtë tij, derisa Flamur Hyseni, profesor universitar, ka theksuar se gazetarët gjilanas bënë punë të mirë, krijuan traditë dhe me përkushtim shkruan për themelimin e Universitetit Publik të Gjilanit.
Në këtë përvjetor, Ulrich Biffar, numri një i OSBE-së në Rajonin e Gjilanit, tha se gazetarët gjilanas ishin shembull i të drejtës e ai kërkoi që edhe në të ardhmen mediet të vazhdojnë të konsiderohen të pavarura.
Biffar tha se liria e medieve duhet të konsiderohet si njëra nga shtyllat më të rëndësishme të një shoqërie demokratike.”Këtu në Gjilan ne ballafaqohemi me një shembull vital në implementimin e kësaj të drejte demokratike. Për vite me radhë kjo është realizuar nga Press Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ka thënë Biffar.
Sipas Demir Krasniqit, nga shoqëria civile gazetarët gjilanas ishin dritare dhe pasqyrim i tërë asaj që ndodhi në rajon, ishin të shpejtë, të drejtë e të paanshëm e ngjashëm është shprehur edhe Muharrem Bajrami nga Sindikata e pensionistëve gjilanas.
Kurse, Musa Sabedini kryetar i këtij klubi, ideator, themelues dhe projektues i të gjitha debateve tha me këtë rast se për këto 13 vite Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ishte arenë e të gjitha zhvillimeve pozitive në Gjilan e rajon.
Sipas Sabedinit ky Klub ishte edhe në shërbim të informimit të drejtë, të saktë, të paanshëm dhe objektiv dhe me sukses ka arritur të realizojë misionin , duke informuar drejt, korrekt dhe në mënyrë shumë profesionale.
“Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, është themeluar më 16 janar 2001, me iniciativën e gazetarëve rajonalë. Ky klub, që nga themelimi , ka organizuar dhe mbajtur mbi 160 debate e tryeza, me interes për shoqërinë civile dhe qytetarët e Gjilanit e të Kosovës. Synim i këtij klubi ka qenë dhe mbetet avancimi i gazetarisë rajonale, përparimi dhe avancimi i shkrimeve, informimi i shpejt, objektiv dhe i paanshëm si dhe involvimi i qytetarëve në proceset vendimmarrëse” tha në fjalën e tij kryetari i saj Musa Sabedini.
Duke folur për aktivitetet dhe punën e këtij klubi Sabedini tha se tashmë janë bërë 13 vite që ecëm e rrugëtuam bashkë. Folëm, diskutuam, trajtuam, polemizuam temat nga më të ndryshmet. “E filluam punën tonë me shumë përkushtim duke u angazhuar maksimalisht të punonim dhe të ecnim në hap me kohën. Edhe gjatë vitit 2013 rrugëtuam bashkë, diskutuam bashkë, sensibilizuam bashkë, folëm e dhamë ide së bashku. Trajtuam problemet më jetike të qytetit të Gjilanit , Anamoravës dhe, kur ishte nevoja e momenti, edhe të Kosovës” ka thënë Sabedini.
Sabedini tha se gjatë këtij viti vendosëm bashkë për të mirën e qytetit, për të mirën dhe të ardhmen tonë. “Me debatet tona treguam vlerat e demokracisë dhe avancuam vlerat e kulturës debatuese. Dhe i vetmi qëllim që na bashkoi ishte interesi i vetëm i përbashkët – mirëqenia e qytetarit dhe avancimi i të drejtave të tij. Ishim ndërtues të institucioneve tona, dhamë një kontribut të pamohueshëm, që këto institucione të jenë në shërbim të qytetarëve.”
Sipas tij sovran i vetëm ishin qytetarët dhe ata që e deshën dialogun e hapur, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë.
“Jo rastësisht Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” tanimë ka dy role. Rolin e informuesit dhe të involvuesit të qytetarit në proceset vendimmarrëse. Andaj edhe në vitin 2013 kemi kërkuar llogaridhënie nga të zgjedhurit, për çështjet më kruciale. Natyrisht, që, në këtë rrugëtim tonin të përbashkët, na kanë ndihmuar e përkrahur qytetarët, ekspertet e fushave të ndryshme, njerëzit përgjegjës në institucionet kosovare, partitë opozitare në Gjilan. Realisht në debatet tona qytetari ynë pati mundësi të bashkëbisedojë, pa dorëza, dhe pa kurrfarë censure, me të zgjedhurit e vet, me ata që, për këto vite, na udhëhoqën mirë e keq”.
Gjithashtu sipas Sabedinit ky Klub ishte edhe në shërbim të informimit të drejtë, të saktë, të paanshëm dhe objektiv dhe me sukses ka arritur të realizojë misionin , duke informuar drejt, korrekt dhe në mënyrë shumë profesionale. “Gazetarët e Gjilanit me përkushtim ishin në nivel të detyrës dhe asnjëherë nuk janë gjunjëzuar para së keqes e dukurive negative. Thjesht, ishim vrojtues dhe njëkohësisht atakues të gjithçkajes që ishte interes i qytetarëve. Reaguam, kundërshtuam dhe mbrojtëm në çdo kohë gazetarët dhe punën e tyre të vështir”.
Sabedini shtoj se tryezat dhe debatet e Klubit ishin arenë konfrontimesh, idesh e sugjerimesh. “Dhe, ju sigurojë që, edhe në vitet e tjera, ky Klub do të jetë në shërbim të profesionit të tij – gazetarisë hulumtuese, dhe në shërbim të avancimit të vlerave morale e njerëzore të të gjithë atyre që duan një ambient, ku mbizotëron ligji, ku krimi goditet pamëshirshëm, ku viktima mbrohet, ku e keqja merr përgjigjen e merituar ka thënë Sabedini.
Padyshim që, të gjitha këto ballafaqime idesh e konceptesh, për ta zhvilluar jetën në Gjilan dhe Anamoravë, nuk do të mund t’i realizonim pa përkrahjen e vazhdueshme të Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, me seli në Prishtinë ka spikatur Sabedini. /rajonipress/