Klima për investime në Kosovë ende nuk është e përshtatshme

Investitorët e huaj ende nuk kanë siguri të mjaftueshme dhe mbrojtje të investimeve të tyre në Kosovë. Përveç kësaj, ata përballen edhe me barriera tjera, që vihen në pah në studimin e publikuar nga zyrtarët e Odës Ekonomike, që përfshin anketimin e 28 kompanive investive. Megjithëkëtë, shumica e investitorëve e konsiderojnë pavarësisht vështirësive do të investonin prapë në Kosovë.
Klima për investime në Kosovë ende nuk është e përshtatshme, krahasuar me vendet e rajonit. Ndonëse investimet e huaja të drejtpërdrejta konsiderohen faktorë kryesorë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik, autoritetet vendore nuk kanë bërë sa duhet për përmirësimin e kushteve, vecmas për ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes së investimeve të huaja. Kështu thotë kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu.
“Viti 2013 karakterizohet me disa dukuri enorm negative, ku jo vetëm që nuk janë mbrojtur investitorët e huaj, por kemi pasur edhe rrahje të tyre dhe brutalitet dhe e tërë kjo nuk i bën nder promovimit ose përmirësimit të imazhit të Kosovës dhe mbi të gjitha është koha kur dueht të orientohemi më shumë drejt produktit vendor”, tha ai.
Studimi bazohet në anketimin e 28 kompanive më të mëdha investuese në vend, dhe është mbështetur edhe organizata qeveritare gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ.
Sekretari i Odës, Berat Rukiqi, tha pwr Radio Kosovwn se promovimi i ambientit investiv më së shumti është bërë nga kontaktet personale dhe familjare të investitorëve 33 për qind, e fare pak nga agjencia për promovimin e investimeve, rreth 5 për qind. Më shumë se gjysma e investitorëve janë shprehur se legjislacioni në fuqi është problematik, tha Rukiqi.
“Korniza ligjore për mbrojtjen e investitorëve të huaj, sidomos mos mbrojtja nga rreziku politik mbetet një nga çështjet më problematike që është theksuar nga investitorët”, theksoi ai.
Kryetari i Odës ekonomike Gjermano-Kosovare, Bardhyl Metaj, kërkoi nga autoritetet që të fokusohen në përmirësimin e cilësisë së arsimimit në të gjitha nivelet, në mënyrë që të plotësohen nevojat e tregut. Kurse drejtori i organizatës STRASS, Ibrahim Rexhepi, u rekomandoi asociacioneve të biznesit që të gjitha cështjet për nxitjen e procesit të ndryshimeve t’i adresojnë në Këshillin Kombëtar për Zhvillim ekonomik.
Ndryshe, Ligji për investimet e huaja është miratuar nga qeveria me ndryshimet përkatëse dhe i është dërguar Kuvendit për shqyrtim dhe miratim. Ndërkaq sipas të dhënave të Bankës Qendrore, nga viti 2000 deri në vitin 2012 investimet e huaja në Kosovë ishin në vlerë rreth 2 miliardë e 400 milionë euro. Por vitin e kaluar ato ishin në vlerën më të ultë, 232 milionë euro.(RTK)