Klientelizmi dhe nepotizmi shkatërrojnë shtetin
Sipas Raportit, kjo minon funksionimin e pavarur dhe menaxhimin efektiv të këtyre organeve, derisa analistët politikë në vend gjykojnë se ky vlerësim kritik ndaj Kosovës po vazhdon me vite të tëra, ngase klasa politike në pushtet nuk po vetëdijesohet për të shmangur këtë fenomen dhe për të reformuar gjithë sistemin, me kuadro profesionale e të pavarura.
Edhe në publikimin e pakos së re për zgjerim të Komisionit Evropian, një nga kritikat më të mëdha të Raportit të Progresit për Kosovën është fokusuar tek mungesa e reformave të mirëfillta në administratën e shtetit- publike, ku është vënë theksi kritik te fakti që shumica e emërimeve në institucionet dhe agjencitë e pavarura janë objekt i ndikimit politik,shkruan gazeta Kosova Sot.
Sipas Raportit, kjo minon funksionimin e pavarur dhe menaxhimin efektiv të këtyre organeve, derisa analistët politikë në vend gjykojnë se ky vlerësim kritik ndaj Kosovës po vazhdon me vite të tëra, ngase klasa politike në pushtet nuk po vetëdijesohet për të shmangur këtë fenomen dhe për të reformuar gjithë sistemin, me kuadro profesionale e të pavarura. Kjo klasë politike në qeverisjen e vendit do të do të vazhdojë të bëjë gjithnjë vetëm emërime puro politike, të cilat u shërbejnë kryesisht pushtetarëve, pavarësisht se janë të dëmshme dhe pengesë e madhe dhe e pakapërcyeshme në rrugën e integrimeve evropiane dhe të zhvillimit ekonomik, kurse ndërprerja e kësaj praktike mund të ndodhë vetëm me ardhjen e një mentaliteti të ri politik në krye të qeverisjes së vendit. “Depolitizimi i administratës dhe agjencive të pavarura duhet t’i paraprijë patjetër procesit të reformimit të administratës publike. Reformimi i administratës publike është dështim i të gjitha qeverive deri me tash, e po ashtu edhe e kësaj Qeverie. Asnjë qeveri deri më tash nuk është marrë me reformën e administratës publike, por përkundër, janë marrë me punësimet e militantëve partiakë, që jo vetëm që e ka pamundësuar reformën e administratës publike, por edhe e ka politizuar tej mase atë”, tha njohësi i kësaj fushe Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”.
Jokompetentët kanë vërshuar institucionet
Edhe njohësi i fushës legjislacionit, Ilir Fetahu ka pohuar se klasa politike në vend për vite të tëra po e neglizhon këtë standard të vendosur nga mekanizmat evropianë. “Personalisht, mendoj që emërimet në institucionet dhe agjencitë e pavarura më shumë janë nepotike se politike. Aty gjeni njerëz jokompetentë, familjarë të pushtetarëve, madje shumë familjarë të të përkëdhelurve të pushtetarëve. Kjo është më shumë se sjellje e tmerrshme që vjen nga ata që po luajnë me Kosovën, tanimë kur akoma nuk jemi konsoliduar si shtet. Kjo sjellje e papërgjegjshme është shumë e rrezikshme dhe me pasoja të paparashikueshme. Sidoqoftë, më mirë vonë se kurrë, duhet urgjentisht të rishikohen këto pozicione dhe njerëzit e merituar të zënë vendet e tyre, e jo puthadorët dhe servilët apo klientelat e ngushta politike”, tha Fetahu për “Kosova Sot”.
Të pashpresë e sheh ndryshimin e gjendjes me këtë klasë politike edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Florim Zeqa. “Njëri ndër shqetësimet më të mëdha të Komisionit Evropian mbetet emërimi i njerëzve nëpër institucionet publike, agjenci të pavarura, jo sipas meritokracisë, por sipas lidhjeve nepotike dhe interesave klanore.
Sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, një mënyrë e tillë e emërimit të njerëzve nëpër institucione shtetërore dhe publike, minon funksionimin e pavarur dhe menaxhimin efektiv të organeve të pavarura. Përderisa të jetë në pushtet kjo klasë politike, gjasat për shmangien e këtyre dukurive negative, për të mos thënë fare, janë tepër minimale, për arsye se pikërisht emërimet e tilla u shërbejnë dhe mbajnë në pushtet oligarkët politikë”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.


