UBT

Kleoniki Delijorgji fiton kurorën e “Miss Globe”

/ 3 minuta lexim

Tiranë – Ditët e zhurmshme me bukuroshet e botës gjatë dy javëve të fundit kanë marrë fund mbrëmjen e së shtunës, kur rreth orës 24:00 është zgjedhur fituesja e këtij viti e “Miss Globe”.

Bukuroshja 16-vjeçare Kleoniki Delijorgji, njëherësh “Miss Shqipëria 2012” ka hyrë në historinë e këtij kompeticioni si vajza e dytë shqiptare që fiton titullin ndërkombëtar të bukurisë. Më dhjetë vota pro nga 17 anëtarët e jurisë, ajo ka marrë të drejtën të mbajë kurorën e më të bukurës së Globit për këtë vit. Shoqëruesja e parë është shpallur “Miss Kina”, 17-vjeçarja Jinzi Huang dhe shoqëruesja e dytë “Miss Rusia”, 21-vjeçarja Inessa Yurinskaya.

43 bukuroshe të botës kanë festuar bashkë me shqiptarët 100-vjetorin e Pavarësisë, kanë garuar dhe përcjellë deri tek publiku i shumtë emocionet e garës. Producenti Petri Bozo për këtë edicion të 39-të të “Miss Globe” kishte ftuar edhe shumë miq në skenën gjigande. Emocionet e vajzave morën tjetër ngjyrë kur bashkë me këngëtarët Rona Nishliu dhe Ardian Lika kënduan refrenin e “Dua më shumë Shqipërinë”. Dy prezantuesit e zgjedhur këtë vit, bukuroshja Hygerta Sako dhe kryekomisari Krenar Ahmeti i kanë dhënë tjetër ritëm garës me batuta e improvizime, duke marrë vlerësimin e duartrokitjet e publikut.

Ngjyra, performanca elegante të kuruara nga Olta Ahmetaj, ritmi muzikor i përzgjedhur nga Fabian Basha dhe shumë elementë që kujtonin festimet e këtij viti jubile për shqiptarët kanë përmbyllur këtë edicion, i cili u bë akoma më i veçante prej emrit të fitueses: në “100-vjetorin e Pavarësisë” mbretëresha e bukurisë është një shqiptare.

Top 5 në “Miss Globe 2012”:

– Miss Albania
– Miss Kina
– Miss Rusia
– Miss Ukraina
– Miss Finlanda

Fituesja flet ekskluzivisht për GSH.

Kleoniki prej ditës së djeshme mban mbi kokë kurorën e më të bukurës së globit. Cilat ishin ndjesitë që përjetove kur more këtë çmim?
Ndjesitë ishin të papërshkrueshme… M’u mblodhën bashkë të gjitha, emocionet, krenaria, lumturia…

E prisje fitoren?

Konkurrenca ishte shumë e fortë. Të gjitha vajzat ishin shumë të bukura dhe s’mund të them që e prisja.

RCCOLA

Je shpallur më e bukura e globit, çdo të thotë kjo për ty?

Kjo fitore do të thotë shumë për mua, pasi jemi në vitin e 100-të të Pavarësisë dhe ndihem dyfish e gëzuar për këtë trofe. Nga ana tjetër çdo vajzë do të donte kurorën e më të bukurës së globit dhe përveç kënaqësisë, kjo kurorë më imponon edhe shumë përgjegjësi.

Ndjeve xhelozi nga konkurrentet e tjera?

Jo, përkundrazi, të gjitha u treguan shumë të dashura me mua, ndoshta edhe për faktin që unë jam shumë natyrë miqësore.

Çfarë të thanë miqtë dhe prindërit?

Ata normal ndihen krenarë për mua. Ishin shumë të lumturuar për këtë arritje timen.

Babi çfarë të tha?

Më uroi dhe më dha porositë që më jep gjithmonë si dhe më përqafoi fort, fort kur u takuam.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)