RCCOLA

KKSB shprehet i kënaqur me gjendjen e sigurisë, apelon për zgjidhjen e problemit të varrezave

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), si një forum gjithëpërfshirës i sigurisë në nivel lokal, ka diskutuar të enjten për gjendjen në komunën e Gjilanit, duke e vlerësuar atë të qetë dhe stabile, ndërkohë që janë shprehur shqetësime në raport me disa dukuri të tjera, të cilat po ashtu mund të ndikojnë në sigurinë fizike të qytetarëve dhe ambientin jetësor.

Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, ka thënë se gëzon fakti që gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit, është e qetë dhe pa incidente ndëretnike, por ai ka përmendur disa faktorë të tjerë, të cilët ndikojnë në sigurinë fizike të qytetarëve, siç janë pusetat e hapura, hedhja e mbeturinave nga katet e larta të ndërtesave, zjarret, mungesa e hapësirave ndërmjet objekteve të larta, për intervenim në rast të zjarreve ose fatkeqësive të tjera, disa objekte të pabanueshme, gjendja në parqe dhe parkingje si dhe dukuri të tjera, të cilat u ngritën si shqetësime nga anëtarët e kësaj trupe komunale.

Sa i përket gjendjes në varrezat e qytetit, që është për brengosje, në emër të KKSB, Rexhepi ka apeluar te institucionet komunale që të përshpejtojnë procedurat për zgjidhjen e këtij problemi, duke siguruar një hapësirë më të përshtatshme për prehjen e njerëzve tanë.

Përndryshe, Alban Ramushi, komandant i Stacionit të Policisë në Gjilan, ka thënë se policia është duke e bërë punën e saj dhe shpreson se vërejtjet e tyre rreth disa problemeve që hasen në terren, siç janë pusetet e hapura, mungesa e kontejnerëve si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me trafikun, do të merren seriozisht nga organet kompetente.

Ndërkaq, duke u ndërlidhur me pyetjet dhe diskutimet e anëtarëve të KKSB, Halit Rexhepi, Kemal Shahin, Shqipe Haziri, Lindita Salihu, Naim Bllaca dhe të tjerë, komandanti i Stacionit të Policisë, Alban Ramushi ka thënë se sa iu përket aksidenteve në trafik, kohëve të fundit gjendja është dukshëm më e mirë në krahasim me fillimin e vitit dhe vitin e kaluar, në përgjithësi.

Fidanishtja

Sa i përket rasteve të huliganizmit të të rinjve, Ramushi ka thënë se ky është një fenomen brengosës në gjithë botën. Në qytetin e Gjilanit, janë instaluar kamera në disa nga pikat më të frekuentuara, por Ramushi ka thënë se incizimet nuk mund të merren dhe përdoren si provë, përderisa nuk bëhet njoftimi i qytetarëve dhe nuk shënohen zonat e monitoruara me kamera.

Policia është e pranishme gjithandej në terren, në funksion të sigurisë, përfshirë edhe parkingjet dhe parqet, ku lëvizin edhe persona të dyshimtë, por ne nuk mund t`ia ndalojmë askujt që t`i frekuentojë parqet, ka thënë Ramushi.

Një informatë rreth rasteve të zjarreve dhe vërshimeve, gjatë kësaj vere, që po ashtu ndikojnë në sigurinë e qytetarëve, e ka paraqitur Sami Spahi, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim. Sipas tij, gjatë muajve korrik e gusht ka pasur pak raste te zjarreve, por numri i zjarreve, ndoshta edhe për shkak se ka mbajtur mot me shi, por çuditërisht numri i tyre është rritur shtator e tetor, kryesisht për shkak të ndezjes së hamulloreve.

Për fat të keq, brenda një muaji, kanë ndodhur dy raste të shembjes së dheut në vend punishte dhe njëri prej rasteve ka përfunduar me humbjen e jetës së një personi, ndërsa në rastin e dytë, që ka ndodhur dje, fatmirësisht ekipet e zjarrfikësve kanë arritur të shpëtojnë personin, duke punuar në kushte me rrezik edhe për jetën e tyre, ka thënë Spahiu./rajonipress/