KKSB po jep efekt në aspektin e sigurisë në Viti

Viti – Anëtarët e këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, kanë mbajtur sot mbledhjen e parë të rregullt të këtij mekanizmi, ku është shqyrtuar Draft Plani i punës i KKSB-së për vitin 2016, si dhe është vlerësuar gjendja aktuale e sigurisë, e gjithashtu edhe u dha një njoftim vjetor në aspektin e sigurisë në komunën e Vitisë gjatë vitit të kaluar.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, i ka përgëzuar anëtarët e këtij këshillit për punën që po e bëjnë dhe efektin që po e arrin ky këshill në aspektin e sigurisë në komunë.
Ai ka njoftuar për disa iniciativa komunale për vitin 2016 e që kërkojnë edhe ndihmën e KKSB-së, që njërën nga këto iniciativa ka veçuar luftimin ekstremizmit përmes aktiviteteve të ndryshme. Draft plani i punës së KKSB-së për vitin 2016 morri përkrahjen e të gjitha anëtarëve të këshillit, ndërkohë që një raport rreth situatës aktuale dhe njoftimin vjetor të gjendjes së sigurisë gjatë vitit 2015 e paraqiti komandanti i Stacionit policor në Viti kapiten Agim Lipovica.
Ai është shprehur se objektiv dhe synim i policisë ka qenë zvogëlimi i rasteve, që sipas të dhënave ka shënuar rënie për 12 % krahasuar me vitin paraprakë. Duke folur për aksidentet pas reshjeve të fundit të borës që në nivel vendi pati raste të shumta, kapiteni Lipovica tha se përkundrazi në Viti ka pasur ulje të këtyre rasteve dhe gjatë kësaj kohe sa ka pasur reshje dhe ngrica, në komunën e Vitisë kanë ndodhur vetëm 2 aksidente në trafik.
Ai ka vlerësuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me organet e rendit, që ka ndikuar pozitivisht në rezultate të lakmueshme të përmirësimit të gjendjes së sigurisë në komunë. Njiherit, ka apeluar tek ngasësit që edhe më tej të kenë vëmendje në përshtatjen e shpejtësisë në komunikacion, për shkak të ngricave të herë pas hershme që mund të vijnë si pasojë e uljes së temperaturave./rajonipress/