KK miraton planet rregulluese “Arbëria 1”, “Qarku 1”, “Qarku 2” dhe “Montith”
Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në një seancë të veçantë, që është mbajtur të hënën, nën drejtimin e kryesuesit Izmi Zeka, ka miratuar katër plane rregulluese, “Arbëria 1”, “Qarku 1”, “Qarku 2” dhe Kampi “Montith”. Drejtoresha Bahrije Mahmuti ka thënë se planifikimi është bërë në bazë të analizës së të gjithë parametrave, duke mohuar të ketë çfarëdo diskriminimi në raport me zonën përballë ‘Fidanishte’ ku lejohet lartësia e ndërtimit P+8. Qytetarët e kanë pranuar këtë zgjidhje, ka thënë ajo.
Bahrije Mahmuti, drejtoreshë e Urbanizimit, ka thënë se është bërë një punë me përkushtim nga të gjitha grupet e interesit, përfshirë edhe qytetarët, të cilët janë treguar mjaft bashkëpunues dhe u shpreh e bindur se në mënyrën më të mirë të mundshme janë harmonizuar interesat publike dhe private në këto zona.
Plani rregullues “Arbëria 1” përfshin një sipërfaqe prej rreth 120 hektarësh. Lagja, aktualisht ka 1375 objekte dhe përbëhet kryesisht prej pronave private, derisa në pronësi publike janë vetëm 4 për qind e sipërfaqes. Rreth 56 për qind e zonës është e pa ndërtuar.
Plani parasheh që kjo lagje të ketë banim individual në pjesën më të madhe të saj dhe në disa pjesë edhe banim kolektiv. Disa zona të saj do të zhvillohen me banim individual, plus afarizëm si dhe me banim kolektiv, plus afarizëm. Lagja parashihet t`i ketë rreth 4 mijë banorë, 2 shkolla, 4 çerdhe si dhe një institucion shëndetësor.
Plani rregullues “Qarku 1” përfshin një hapësirë prej 73 hektarësh, në pjesën perëndimore të qytetit dhe është pjesërisht e ndërtuar. Zona është planifikuar për ndërtim individuale të përzier si dhe përmbajtje publike. Do të ketë një shkollë fillore, 3 çerdhe, një punkt shëndetësor, një objekt për administratë si dhe përmbajtje tjera. Aktualisht pjesa më e madhe e kësaj zone është e lirë, meqë ndërtimet këtu janë më të vonshme,kryesisht pas vitit 1990. Përbëhet kryesisht nga pronat private dhe si hapësirë, është shumë e përshtatshme për banim.
“Qarku 2” përfshin një sipërfaqe prej 90 hektarëve, në pjesën perëndimore të qytetit, ndërmjet rrugëve Gjilan – Ferizaj dhe Gjilan-Livoç-Cërnicë. Pjesa më e madhe është pronë private. “Qarku 2” është e banuar nga viti 1960, por me të madhe ka filluar të popullohet pas vitit 2000, kur migrimi në drejtim të qytetit është rritur dukshëm.
Me plan rregullues, zona është e destinuar për ndërtime individuale dhe kolektive, me lartësi prej P+1 deri në P+4. Plani parasheh zgjerimin e infrastrukturës rrugore ekzistuese dhe ndërtimin e rrugëve të reja. Janë paraparë 3 çerdhe, një shkollë fillore, një qendër tregtare dhe përmbajtje tjetër publike dhe tregtare si dhe rekreative-sportive, në pjesën e ish-aeroportit bujqësor.
Zona “Montith”përfshin hapësirën në mes rrugës magjistrale Gjilan-Bujanovc dhe Gjilan-Malishevë, me një sipërfaqe rreth 110 hektarë. Është pjesërisht e ndërtuar, ku dominon banimi individual dhe objektet banimore-afariste përgjatë rrugës Gjilan – Bujanoc. Është e destinuar kryesisht për banim kolektiv, me lartësi maksimale të ndërtimit P+6. Është planifikuar që kjo lagje t`i ketë deri në 30 mijë banorë.
Në këtë zonë parashihet të ndërtohet kampi universitar, 2 shkolla fillore, një shkollë e mesme, 3 çerdhe, 2 Qendra të Mjekësisë Familjare, një objekt social për nevoja të pleqve dhe fëmijëve nën përkujdesje sociale, një qendër kulturore, një objekt për administratë, ndërsa për sport dhe rekreacion janë planifikuar 11 hektarë.
Këshilltarët komunalë i kanë miratuar në mënyrë unanime të gjitha planet rregulluese, por debati më i gjerë është zhvilluar për planin e kampit “Montith”, sepse ka pasur insistime nga një numër i tyre që këtu të lejohet ndërtimi i lartë deri në P+8, me arsyetim se është kërkesë e investitorëve si dhe për të harmonizuar zhvillimin me lagjen “Fidanishte”, që gjendet përbri saj.
Por, vendimmarrësit janë bindur se duhet miratuar planin për këtë zonë, ashtu siç është ofruar, pas sqarimeve që ka dhënë përfaqësuesi i kompanisë, i cili ka thënë kjo nuk mund të bëhet tani për arsye ligjore dhe urbanistike dhe ka rikujtuar se plani i ka kaluar të gjitha procedurat e parapara.
Edhe Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, tha se planet rregulluese kalojnë nëpër një procedurë të gjatë dhe gjithëpërfshirëse, ku harmonizohen interesat publike dhe private, para se të vijnë për miratim në Kuvend Komunal.
Rishikimi mund të bëhet nëse vendos Kuvendi Komunal, por kjo nuk duhet të bëhet për interesa të 1-2 pronarëve, kundrejt interesave të gjera publike, ka thënë Mustafa.
Drejtoresha Bahrije Mahmuti ka thënë se planifikimi është bërë në bazë të analizës së të gjithë parametrave, duke mohuar të ketë çfarëdo diskriminimi në raport me zonën përballë ‘Fidanishte’ ku lejohet lartësia e ndërtimit P+8. Qytetarët e kanë pranuar këtë zgjidhje, ka thënë ajo.
Debatit të gjerë për planet rregulluese i kanë kontribuar me vërejtjet dhe sugjerimet e tyre Ramiz Ramadani, Arianit Sllamniku, Florina Zymberi, Arban Maliqi, Shukrije Rapuca, Zijadin Maliqi, Ejup Haziri, Sadudin Berisha, Abdyl Aliu, Tahir Arifi, Sokol Haziri, Tefik Ibrahimi, Nevzad Rushiti, Jakup Bajrami, Selim Selimi, Refik Hasani, Elisah Ymeri, Leonora Bunjaku, Shkëlqim Latifi si Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal e Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës. /rajonipress/


