Kjo është marrëveshja e koalicionit që do të nënshkruhet sot nga AAK dhe NISMA

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë konfirmuar se sot në orën 16 të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicion parazgjedhor, raporton Indeksonline.
Ashtu siç ka raportuar dje Indeksonline, dy partitë opozitare përmes kësaj marrëveshje, me një listë të përbashkët zgjedhore do të presin shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Sipas një pjese të draftit të marrëveshjes së siguruar nga Indeksoline e që do të nënshkruhet sot në zyrat e Nismës për Kosovën, koalicioni mbetet i hapur edhe për forcat e tjera politike, me përjashtim të partive që aktualisht janë në pushtet, PDK dhe LDK.
Më poshtë ua sjellim një pjesë të draftit të marrëveshjes:
Duke u nisur nga bashkëpunimi i deritashëm opozitar;
Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar në vend pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve të dëmshme dhe degradimin e plotë të qeverisjes, rrënimin e sundimit të ligjit dhe humbjen e shpresës për zhvillim ekonomik;
Duke pasur parasysh nevojën për ndërtim të një opsioni real qeverisës, që garanton qeverisje demokratike, sundim të ligjit, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe perspektivë të palëkundur euro-atlantike për Kosovën;
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën lidhin marrëveshje bashkëpunimin opozitar dhe dakordohen me sa vijon:
– Që në zgjedhjet e ardhshme të shkojnë me një koalicion te përbashkët,
– Që të mbeten të hapura për koalicion parazgjedhor edhe për forcat e tjera politike, me përjashtim të partive që aktualisht janë në pushtet (PDK – LDK),
– Që të mbeten të hapur për kandidatura tjera nga Shoqëria Civile, apo personalitete publike.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, poashtu dakordohen që ta vazhdojnë kundërshtimin opozitar ndaj kapjes së shtetit dhe keqqeverisjes që ka kulmuar me dy marrëveshjet kundërkushtetuese, deri në anulimin e tyre dhe në shkarkimin e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. /Indeksonline/