Mobi Casa

Kirurgu që zgjodhi Kosovën mbi luksin, historia motivuese e dr. Kushtrim Qerimit

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Në një kohë kur shumë profesionistë mjekësorë po zgjedhin rrugën drejt vendeve perëndimore për karrierë e kushte më të mira, dr. Kushtrim Qerimi bëri të kundërtën: ai la pas Gjermaninë, suksesin dhe luksin profesional për t’u kthyer në Kosovë, në qytetin e tij të lindjes, Gjilanin, për të dhënë kontributin e tij në avancimin e shëndetësisë kosovare.

Nëse e shihni dikë që vrapon me përkushtim nëpër korridoret e spitalit për të hyrë në sallë, dijeni se ai është doktor Kushtrimi. Nëse shihni dikë që flet me pacientët me butësi, qetësi e respekt, sërish është ai. Dhe nëse shihni dikë me sy të kthjellët, të vendosur si shqiponjë dhe me duar të sigurta në operacione që zgjasin me orë të tëra, ai është dr. Kushtrim Qerimi, kirurgu që i dha frymë të re kirurgjisë kosovare.

I specializuar në Kirurgjinë Viscerale dhe Proktologjinë, dr. Qerimi solli nga Gjermania përvojë, disiplinë dhe standarde moderne të trajtimit kirurgjikal. Sot ai u shërben pacientëve me përkushtim të plotë dhe ndihmon kolegët në çdo rast sfidues.

Shefi i repartit të kirurgjisë, dr. Sejdullah Mahmuti, e vlerëson lart kontributin e tij:

“Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur me punën dhe angazhimin maksimal të dr. Kushtrimit. Ai i ka dhënë stimulim të fuqishëm repartit tonë të kirurgjisë.”

Por çfarë e shtyu një kirurg me një karrierë të ndritur në Gjermani të rikthehej në Kosovë?
Dr. Kushtrimi rrëfen me modesti:

Hidromorava

“Unë gjithmonë e kam pasur në mendje Kosovën e Gjilanin. Në Gjermani, edhe pse i kisha të gjitha benificionet, megjithatë isha i huaj. Këtu janë njerëzit e mi, ata që të nderojnë e respektojnë për punën dhe sakrificën që bën për ta. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që jam pritur mirë nga kolektivi dhe që kam hapësirë të jap kontributin tim në kirurgji”.

Në repartin e Kirurgjisë në Gjilan, është e pamundur të kalosh një ditë pa e parë dr. Kushtrimin në lëvizje, herë në sallë, herë në vizita, herë në kontrolle pas operacionit. Ai është bërë sinonim i energjisë, përkushtimit dhe profesionalizmit.

Dr. Kushtrim Qerimi nuk është vetëm kirurg, ai është shembull i atdhedashurisë dhe sakrificës profesionale. Në çdo operacion, në çdo konsultë, ai dëshmon se dashuria për profesionin dhe për njerëzit mund të jetë më e fortë se çdo interes personal.

Në sytë e pacientëve të tij, ai nuk është vetëm mjek, është njeriu që rikthen shpresën./rajonipress/