Eko Higjiena

Kiçin tuaj të përditshëm mos na e falni sot e mot!

/ 9 minuta lexim
GRANDEMALL

Nga Enver Robelli – Elitat sunduese në Kosovë po përpiqen që përmes përmendoreve (shpeshherë të realizuara dobët) dhe emërtimit kuturu të rrugëve e universiteteve në mënyrë simbolike, të marrin në zotërim hapësirën publike dhe të imponojnë njëmendësinë në interpretimin e historisë më të re.

“Një tufan i tmerrshëm shembi idhujt. Disa i bani pluhun e disa i la pa krena. Tufani i tmerrshëm nuk frynte as nga një anë e horizontit, dhe as nga qiella, por duel nga zemra e dheut… Idhujt pa krena! Shëmtim i natyrës! E njerëzit që jetojnë në mes të tyne enden si të harlisun… Duen t’adhurojnë, po çka t’adhurojnë? Idhujt pa krena? Kush mund të adhurojë të shëmtuemen?

Migjeni, “Idhujt pa krena”

Në veprën e tij “Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për jetën” filozofi gjerman Friedrich Nietzsche dallonte tri lloje të vështrimit të historisë: vështrimi “monumental”, “antikuarian” dhe “kritik”. Historia monumentale i ka parasysh veprat e individëve të mëdhenj nëpër shekuj. Kjo mënyrë e shikimit të historisë u drejtohet të gjallëve me mesazhin se “madhështia e dikurshme sidoqoftë ka qenë e mundshme, prandaj – me gjasë – ajo sërish do të jetë e mundshme”. Rrjedhimisht, “egoistët e zellshëm” dhe “keqdashësit ëndërrimtarë” në kokat e tyre shkatërrojnë perandori, vrasin princër dhe nxisin luftëra e revolucione, duke synuar të arrijnë “efektin historik”.

Në Ballkan një histori e tillë është kultivuar sidomos nga elitat serbe, duke e përdorur mitin mesjetar për Betejën e Kosovës për të ndezur luftëra. Por, edhe te shqiptarët, ndonëse në formë më të parrezikshme për të tjerët, vërehen shpesh krahasime fluturuese dhe monumentale, për shembull kur dardanët e Antikës barazohen një me një me banorët e sotëm të Kosovës. Pra, sipas kësaj logjike, dardani i Antikës paskësh qenë i njëjtë si llapjani apo drenicaku i sotëm. Bota s’paska lëvizur fare. Ose: kur thuhet se Skënderbeu luftoi për “unitetin e kombit shqiptar”, ndonëse në zamanin e tij kombet nuk kanë ekzistuar fare. Sigurisht serbët e shqiptarët nuk janë kombet e vetme në Evropë me këtë interpretim nganjëherë humoristik të historisë.

Mania me përmendore

Historia antikuariane, e dyta sipas radhitjes së bërë nga Nietzsche, e ruan dhe e nderon atë që ka qenë, të kaluarën. “Cikërrima, e kufizuara, e kalbura dhe e vjetra fiton dinjitetin dhe paprekshmërinë e vet nëpërmjet shpirtit ruajtës dhe nderbërës të njeriut antikuarian dhe kështu ky shpirt zhvendoset te këto gjëra dhe aty përgatit një fole mëmëdhetare”. Kjo histori nuk ka sens për të renë, për atë që krijohet. Respekti për të kaluarën përfundon në paralizë e letargji.

Si mund të shpëtojë një shoqëri nga ky kurth historik? Friedrich Nietzsche e përmend historinë kritike, e cila është në gjendje që të “kaluarën ta copëzojë dhe ta zgjidhë në mënyrë që të mund të jetohet”. Megjithatë, porosit Nietzsche, nuk duhet nënvlerësuar historinë, “sepse meqë jemi rezultat i gjeneratave të mëhershme, ne jemi rezultat edhe i ngatërresave, pasioneve dhe gabimeve, madje edhe krimeve të atyre gjeneratave. Nuk është e mundshme të shkëputesh plotësisht prej këtyre zinxhirëve”. Por, vërente Nietzsche, edhe historia e tepërt është e dëmshme për edukimin e të rinjve, ata së pari duhet të mësohen të jetojnë, pastaj historia gjen funksionin e saj në shërbim të jetës.

Fundamenti

Këto shigjetime largpamëse të filozofit gjerman mund t’i shërbejnë edhe botës shqiptare në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni dhe në trevat e tjera për të vështruar e trajtuar historinë dhe për t’u akomoduar brenda saj pa hiperbolizime. Në të vërtetë, pothuaj krejt çfarë shohim pas luftës së viteve 1998/99 është një hiperbolizim ngjarjesh dhe personash, përvetësim meritash dhe përjetësim komandantësh në përmendore bajagi bajate. Përmendoromania në Kosovë flet për një mungesë serioziteti si në organizimin e konkurseve ashtu edhe në realizimin artistik të figurave. Nuk duhet të jesh skulptor, as kritik arti për të parë se përmendorja e ish-presidentit amerikan Bill Clinton në Prishtinë më shumë i jep hov humorit të pavullnetshëm. Edhe më pus u bë puna në Radushë të Maqedonisë, me një biçim-përmendore të Adem Jasharit dhe me skenografi groteske, përfshirë këtu edhe një tank të ushtrisë maqedonase, të cilin thuhet se e paskëshin futur në dorë kryengritësit e atjeshëm shqiptarë në vitin 2001 dhe i cili tani do t’i bëjë shoqëri Adem Jasharit.

Ose shikojeni të ashtuquajturën përmendore të Agim Ramadanit para ndërtesës së Teatrit në Gjilan – dhe pak më tutje monumentin e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës. Duket se autori i asaj vepre nuk i ka pasur parasysh dy aktivistë dhe kundërshtarë të regjimit jugosllav, por dy njerëz që ikin nga dyqani. Kjo zgjedhje fatkeqe nuk e nderon askënd, as sakrificën e të rënëve. Kështu njerëzit edhe për së vdekuri po degradohen. Në Rahovec kam parë se si mbi një përmendore që i kushtohej rezistencës antifashiste pas luftës së fundit (1998/99) janë vendosur përmendoret e disa komandantëve të UÇK-së. Një përzierje kjo që krejt idenë e nderimit dhe të përkujtimit e zbret në improvizim dhe sharlatanizëm. Shembuj të tillë ka plot gjithandej nëpër Kosovë.

Lojë me emra

I njëjti problem është me emrat e rrugëve. Të gjitha rrugët kryesore në qendër të Prishtinës, ta zëmë, bartin emra të luftëtarëve të luftës së fundit – thua se ky vend është krijuar më 1998/99 dhe përpara nuk ka ekzistuar asgjë. A thua ku gjendet rruga e Anton Çettës në Prishtinë? Ose e Esad Mekulit dhe Anton Pashkut? Me siguri emrat e tyre janë futur në ndonjë qorrsokak. Tash gjendemi para një sfide të re, siç thuhet në gjuhën shterpe të politikanëve: po planifikohet ngritja e përmendores së presidentit Ibrahim Rugova. Disa nga modelet (bocetat) që janë prezantuar nga Komuna e Prishtinës si vepra artistësh duket hapur se nuk i plotësojnë kriteret estetike. Ndoshta mes punimeve ka ndonjë që deri-diku mund të merret në konsiderim, mbetet të shohim se si do të vendosë komisioni përkatës.

Përmendorja duhet të përshtatet edhe në kontekst të sheshit. Sheshet nuk janë vetëm një grumbull pllakash të shtruara. Si shoqëri kemi një problem tejet të madh me kujdesin ndaj hapësirës publike. Nuk kemi përvojë serioze në planifikim urbanistik. Ndërtojmë dosido dhe ku mundemi. Nuk kemi ndjenjë se po e pengojmë tjetrin – dhe në fund e bllokojmë edhe veten, jo vetëm mentalisht. Nuk është turp që për gjërat në të cilat nuk kemi përvojë të kërkojmë ndihmë ose këshilla nga jashtë. Por, parakusht për këtë duhet të jetë gatishmëria jonë si shoqëri për të pranuar disa kritere, vlera, rregulla që vijnë nga jashtë, nga vendet moderne. Kjo vlen si për përmendoret, si për respektimin e ligjeve. Ndryshe mund të ndodhë që pas disa dekadave të vijnë gjenerata të tjera, të cilat do t’i rrëzojnë të gjitha këto përmendore të ndërtuara në frymën e mujshisë dhe socrealizimit, sepse do t’u vijë turp para botës.

Një shembull tjetër i lojës me emra të të vdekurve dhe me emocione të njerëzve të gjallë është propozimi i kryeministrit të Kosovës që një universiteti që po planifikohet të hapet në Gjilan (s’mbet nahije pa këso qymezesh “arsimore”!) t’i ngjitet emri “Kadri Zeka”. Mendimet për këtë propozim janë të ndara, qarqe të LDK-së po kërkojnë që kjo alamet shkolle të bartë emrin “Xhavit Ahmeti”, një shkencëtar e pedagog i Universitetit të Prishtinës dhe aktivist i LDK-së, i vdekur në aksident komunikacioni në vitet ‘90. Këtu më së miri do të ishte që vetë familjet të reagonin dhe të deklaroheshin qartë kundër keqpërdorimit të emrave të pjesëtarëve të tyre. Emrat e Kadri Zekës dhe Xhavit Ahmetit, Haxhi Zekës dhe Fehmi Aganit, Ukshin Hotit dhe Hasan Prishtinës po keqpërdoren për poenë politikë. Pse duhet ta lejojnë këtë familjet e tyre? Nëse zgjedhin të heshtin, do të bëhen bashkëpjesëmarrëse në njollosjen e këtyre figurave. Këta emra, me merita të ndryshme për lirinë e Kosovës, nuk duhet të hidhen në lotarinë politike të organizuar prej një tarafi manipuluesish. Fundja, pse ndodh gjithë kjo lojë me emra? Ndodh, sepse politikanët provincialë përherë janë përpjekur që me këso emërtimesh edhe simbolikisht të marrin në pronësi hapësirën publike. Pastaj ngado që shikon – gjithçka do të asociojë vetëm me gardën politike aktuale. Ky është një lloj pushtimi.

Anarkia si frymë e jetës

Para 150 vjetësh historiani dhe publicisti i madh Jakob Philipp Fallmerayer (1790-1861) shkruante: “…nuk duket se shqiptarët kanë pasur ndonjëherë nevojën që të kapërcejnë horizontin e kufizuar të familjes dhe të klanit, të pronës private, të egoizmit, të mllefit dhe të hakmarrjes. Shqipëria është vendi i mendjes të shkurtër, magazina e fuqisë fizike, vendi që me dashje nuk i bindet as vetvetes e as të tjerëve”. Fallmerayer i quante viset shqiptare territore ku “anarkia dhe mungesa e ligjit janë njëkohësisht shpirt dhe frymë e jetës”. A kemi sot përgjigje ndaj këtyre konstatimeve? Apo mjaftohemi si shoqëri me një rafal sharjesh ndaj Evropës shtrigë. Jo, shtrigat dhe kiçi janë mes nesh! Ne ose duhet t’u bindemi edhe më tutje shtrigave, ose ligjit.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.