KGJK-ja dhe KPK-ja e falimentuan drejtësinë

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se as KGJK-ja dhe as KPK-ja nuk janë të interesuara për të bërë seleksionimin dhe as të promovojnë meritokraci dhe performancë profesionale juridike, ngase ata vetë janë “profesionistë” injorantë dhe të paaftë të përzgjedhur prej politikës injorante dhe të korruptuar, e cila e sundon Kosovën.
KUPOLA E SISTEMIT NUK E KRYEN MISIONIN E SAJ KUSHTETUES DHE LIGJOR
Vlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve po dështon
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se as KGJK-ja dhe as KPK-ja nuk janë të interesuara për të bërë seleksionimin dhe as të promovojnë meritokraci dhe performancë profesionale juridike, ngase ata vetë janë “profesionistë” injorantë dhe të paaftë të përzgjedhur prej politikës injorante dhe të korruptuar, e cila e sundon Kosovën.
Po ashtu, këta që janë në krye të drejtësisë nuk kanë as moralin dhe as guximin për ta bërë një gjë të tillë, pasi i gjithë sistemi i drejtësisë është ngritur mbi baza politike, klientelizmi dhe miqësirash e tarafesh, si dhe janë po ata të cilët kanë kulturën, edukatën dhe profesionalizmin e ish- regjimit komunist. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se pse KGJK-ja dhe KPK-ja me një përbërje të stërkequr brenda saj nuk po e bëjnë matjen e mirëfilltë të performances profesionale dhe etike për gjyqtarët dhe prokurorët? Analisti Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se as KGJK-ja dhe as KPK-ja nuk janë të interesuara për të bërë seleksionimin dhe as të promovojnë meritokraci dhe performancë profesionale juridike. Ndërsa Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet, thotë se KPK-ja dhe KGJK-ja janë derivate të sistemit politik të katandisur. “Kush kënd e thirri në përgjegjësi? Kush u përgjigj për mospunën e bërë? KGJK-ja dhe KPK-ja janë derivate të një sistemi politik të pashpresë”, potencoi Preteni.
Analisti Naim Kelmendi ka nënvizuar se KGJKja dhe KPK-ja me një përbërje të stërkequr brenda tyre mbase nuk po e bëjnë matjen e mirëfilltë të performancës profesionale dhe etike për gjyqtarët dhje prokurorët, derisa, sipas tij, mbase ky është shansi i fundit që KGJK- ja dhe KPK- ja, si institucionet më të larta në hierarkinë e sistemit të drejtësisë, të bëjnë diferencimin dhe të bëhet matja profesionale e performancës për të gjithë, si dhe matja e performancës profesionale të të gjithë gjyqtarëve në rend të parë nga KGJK- ja, matje kjo e etikës dhe profesionalizmit, integritetit etj. “Andaj, ta quajmë është emergjente kjo matje e performancës, e cila do të duhej të pasohet me ligjin për ‘VETTING’- un me të cilin ligj do të duhej të bëhej pastrimi i thellë i tërë gjyqësorit dhe prokurorisë, por edhe me komisione të jashtme duke përfshirë edhe FBInë amerikane, pse jo”, potencoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi.
Depolitizimi i domosdoshëm
Analisti Naim Miftari ka veçuar se KGJK-ja dhe KPK-ja së pari duhet të pastrohen vetë nga ndikimet politike, sepse shumica e personave që janë aty janë të sjellë nga politika, prej partive politike, që secila e mbron interesin e ndonjë klani të caktuar, sepse, siç tha, nëse do të kishin punuar si duhet këta dy këshilla, shumë gjyqtarë dhe prokurorë të Kosovës, që pothuajse shumica kanë dështuar në sundimin e ligjit, do të kishin shkuar në shtëpi ose disa do të përfundonin edhe në burgje, për shkak të keqpërdorimeve në rastet e proceseve gjyqësore ndaj krimit të organizuar.
Sipas tij, deri më sot Kosova pothuajse nuk e ka asnjë rast të kalibrit të madh të fituar, d.m.th gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës asnjë rast nuk e kanë të fituar kundër krimit të organizuar në Kosovë. “Kjo tregon se KGJK-ja dhe KPK-ja janë edhe vetë të zhytur në ujërat e turbullta të ndikimeve politike dhe ndikimit të krimit të organizuar, pasi shumë mirë dihet se te ne krimi i organizuar nënkupton dhe e kuptojmë menjëherë se bëhet fjalë për krim të organizuar politik, pasi pa mbështetje politike krimi i organizuar do të luftohej me të gjitha mjetet e nevojshme që i ka shteti”, theksoi Miftari. “Përndryshe, shpresa e vetme mbetët një ‘Vetting’ i përgjithshëm, së pari politik e pastaj edhe në organet e drejtësisë, ku FBI amerikane dhe shtetet e fuqishme, si Gjermania, Britania dhe shtetet e tjera mike, por jo të gjitha, sepse nuk i kemi ne mike të gjitha shtetet e Evropës ose Botës, do të na ndihmonin së pari ta sjellim në nivel sundimin e ligjit, sepse pa fillimin e sundimit të ligjit në Kosovë as nuk do të ketë zhvillim ekonomik, as politik dhe të gjitha progreset do të shkojnë në dështime”, spikati për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari.
Performanca, e nevojshme
Ndërsa, avokati, Tomë Gashi ka konsideruar se pa marrë parasysh se si është e përcaktuar me dispozita ligjore, performanca e gjyqtarëve dhe prokurorëve sa më shpesh që të vlerësohet, aq më mirë është, pasi sjell punë më kualitative. “Përndryshe, performanca është e nevojshme për të parë se a janë ata njerëz në gjendje që ta kryejnë punën e vet, a kanë vullnet, dije, se a kanë guxim, sepse kurrkush në gjykatë apo prokurori nuk frikësohet dhe askënd asgjë nuk e ka gjetur deri më tash, por edhe a kanë shkathtësi juridike për ta kryer punën e vet për të cilën janë emëruar”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” avokati Tomë Gashi. Sipas tij, sigurisht që nëse nuk kontrollohet puna e gjyqtarëve e prokurorëve kurrë apo kontrollohet tepër rrallë, atëherë ajo është çështje e neglizhencës dhe çështje që në njëfarë mënyre gjyqtarëve e prokurorëve u lejon që të bëjnë dhe të veprojnë si të duan vetë.
(Kosova Sot)