RCCOLA

KFOR për situatën në veri: Prapa protestuesve kishte grupe kriminale

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një adresimi për media ka folur mbi situatën në komunat veriore.

Zëdhënësi i Shtabit, kolonel Andrea Gallieni para mediave ka thënë se tashmë kanë vendosur të gjithë trupat në veri dhe se para pak ditësh kanë pranuar edhe 500 trupa shtesë nga Turqia.

Gallieni u shpreh se në protestat e dhunshme u lënduan ushtarë italian dhe hungarez, të cilët tashmë kanë marrë trajtimin mjekësor, transmeton Telegrafi.

“Gjatë protestës ushtarët u lënduan nga gurë, eksplozivë të improvizuar dhe armë zjarri. Ishte e qartë se njerëzit po tentonin të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte e qartë se prapa tyre po fshiheshin grupe kriminale që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it”, u shpreh ai.

Zëdhënësi i Shtabit, Gallieni sqaroi se nuk pasur koordinim me Qeverinë më 29 maj, ditën kur edhe u tensionua situata në veri.

“Komandanti i KFOR-it është vazhdimisht në kontakt me institucionet e Kosovës. Nuk mund të them se kishte koordinim me 29 maj. Jemi duke monitoruar gjithë situatën dhe jemi të gatshëm për reagim. E rëndësishme tani është që palët t’i kthehen dialogut, si mënyra e vetme për të zgjidhur situatën”, pohoi ai.

Mobi Casa

I pyetur nga gazetarët se a do të reagojnë në rast të tensionimit të situatës, Gallieni tha se KFOR është i gatshëm që të veprojë.

“KFOR-i është i gatshëm të veprojë në çdo situatë të eskalimit. Ushtarët tanë janë të trajnuar dhe të gatshëm për të përdorur te gjitha rrugët nëse është e nevojshme”, theksoi Gallieni.

KFOR ka shtuar praninë në komunat veriore pasi serbët lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. Ata po vazhdojnë me protesta, ndërsa disa prej tyre kanë qenë të dhunshme ku kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Reklama

Situata në komunat veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq ka nxitur reagime të shumta, ku edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë deklaruar se në veri grupe kriminale kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në objektet komunale.

Kryeministri i vendit, ka pohuar se Policia e Kosovës nuk mund të largohet nga këto komuna derisa jashtë komunave ka grupe kriminale. /Telegrafi/