Uji Dea

KFOR-i thirrje Kosovës e Serbisë për kompromis: Dallimet të diskutohen në dialog

/ 2 minuta lexim

KFOR-i në Kosovë ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, duke thënë se janë në monitorim të situatës dhe në bashkëpunim të ngushtë me liderët në Kosovë e Serbi, por edhe me ata ndërkombëtarë.

Përmes një reagimi publik, KFOR-i i ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë për kompromis, ndërsa ka kërkuar që të dyja palët mendimet t’i shprehin në mënyrë paqësore.

“Jemi duke monitoruar situatën dhe duke bashkëpunuar ngushtë me liderët në Beograd e Prishtinë si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në deklaratën e tyre.

Misioni paqeruajtës ka bërë thirrje që liderët të shprehin diferencimet përmes dialogut konstruktiv.

Uji Dea

“I bëjmë thirrje të gjithëve që të adresojnë dhe diskutojnë dallimet përmes dialogut konstruktiv. Sillni përparim në shoqëri”, thuhet tutje në reagim.

Ndryshe, më herët në lidhje me situatën në veri të vendit ka reaguar edhe zëvendëssekretari i NATO-s, Mircea Geoana, i cili gjatë një bisede me të dërguarin special për dialogun Kosovë – Serbi, Mirsolav Lajçak, i bëri thirrje të dy vendeve që të parandalojnë çdo përshkallëzim të mundshëm.

Ai po ashtu deklaroi se NATO-ja dhe KFOR-i janë të gatshme për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.

“Bisedova me përfaqësuesin special Miroslav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin. NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilentë dhe të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, shkroi Geona në rrjetin social Twitter. /Telegrafi/