Këtë të shtune në Gjilan do të mbahet Olimpiada Matematike e Gjilanit
Nga Festim Shkodra – Këtë të shtune në Gjilan, nën përkujdesjen e DKA-së në Gjilan, mbahet Olimpiada Matematike e Gjilanit – OMGJ 2016. Kështu, Gjilani po vazhdon të jetë shembull i organizimit cilësor të olimpiadave matematike. Përgatitjet që po bëhen për këtë organizim, janë në përfundim e sipër.
Olimpiada Matematike e Gjilanit – OMGJ 2016, për nxënësit e klasave të IX, X, XI dhe XII do të mbahet më 27 shkurt 2016 në shkollën ,,Selami Hallaqi” në Gjilan, shkollë kjo që shquhet për mikpritjen e vazhdueshme të ofruar për organizimin e olimpiadave matematike si dhe shumë ngjarjeve të tjera.
Olimpiada do të filloj në ora 9:00 kur bëhet hapja solemne e saj dhe përfundon në ora 17:00, pasi të bëhet më parë shpallja e fituesve dhe ndarja e shpërblimeve modeste përkatëse në ora 16:00. Në olimpiadë pritet të marrin pjesë rreth 100 garues.
Në olimpiadë pos nxënësve të shkollave publike janë ftuar të marrin pjesë edhe nxënësit e shkollave private. Në bashkëpunim me DKA-në, drejtoritë dhe mësimdhënësit e matematikës të shkollave të Komunës së Gjilanit tashmë kanë përfunduar Olimpiadat Matematike Shkollore për nxënësit klasave të IX, X, XI dhe XII. Fituesit nga këto shkolla marrin pjesë në OMGJ 2016, dhe aty përzgjidhen nga tre më të mirët prej secilës prej klasave, pra gjithsejtë 12 më të mirët për të marrë pjesë në Olimpiadën e VIII Matematike të Kosovës – OMK 2016, që edhe sivjet mbahet me 12 Mars 2016 në Kolegjin ,,Mehmet Akif” në Banullë – Lipjan. Aty zgjedhen 5 më të mirët e secilës prej klasave (pra gjithsejtë 20 nxënës) e pas disa javësh ata i nënshtrohen një gare të re me detyra të njëjta për të gjithë. Në këtë garë finale zgjidhet ekipi i Kosovës prej 6 më të mirëve. Ky ekip merr pjesë në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare IMO 2016 të 57-tën me rradhë, që sivjet mbahet më 6 -16 korrik 2016 në Hong Kong – Kinë. Kosova do të marrë pjesë në IMO 2016, me të drejta të plota për herë të pestë. Këta talentë të matematikës do të jenë ambasadorët tanë në mesin e përfaqësuesve të mbi 100 shteteve nga mbarë bota. Sivjet është hera e pestë që Kosova merr pjesë me drejta të plota.
Gjilanasit, deri më tani shumë herë kanë dalur ndër më të mirët, në nivel shtetëror, kombëtar e mbarëkombëtar. Nxënës nga Gjilani kanë arritur disa herë të jenë edhe pjesë e ekipit të Kosovës në Olimpiadat Matematike Ndërkombëtare. Për këtë, Gjilani me plot meritë edhe ka marrë epitetin nga të tjerët ,,Qytet i Matematikës”. Por tani na u ka shfaqë një problem, nxënësit tanë më të mirë, pas disa vitesh përgatitjeje dhe arritjeve të larta, po na i marrin të gatshëm kolegjet dhe shkollat private etj. Ata tërhiqen nga to, me kushtet shumë më të mira të punës që i kanë dhe ofertat gratis te studimit. Kështu nëse numërohen edhe ata nxënës gjilanas, nxënësit tanë arrijnë te marrin shumicën e vendeve te para ne vend si dhe janë pjesë e ekipit të Kosovës vazhdimisht ne olimpiadën botërore.
Këto suksese gjilanasit i vazhduan edhe vitin e kaluar. Kështu vitin e kaluar gjilanasja Doruntina Sylejmani ka marrë mirënjohje në Olimpiadën Botërore të Matematikës – dhe për pak nuk e ka arritë medaljen e bronztë, ndërsa gjilanasja tjetër Nita Sylejmani ka zënë vendin e tretë për klasat e IX, në Olimpiadën Matematike Gjithëkombëtare të Plus-it.
Poashtu vlen te përmendim edhe ish nxënësin tonë te garave, gjilanasin Dorlir Ahmeti, tani absolvent i Matematikës në FSHMN në Prishtinë, për suksesin e arritur vjet. Në olimpiadën botërore të matematikes të vitit të kaluar atij ju ka pranuar një detyrë e përpiluar nga vetë ai, për t’iu parashtruar garuesve në ketë garë botërore. Ky është i pari shqiptar të cilit iu ka miratuar një detyrë në Olimpiadat Botërore të Matematikës.
Nxënësit e Komunës së Gjilanit po i arrijnë këto suksese fillimisht në saje të vullnetit dhe talentit të tyre e pastaj edhe punës së palodhshme që bëhet me ta, në të gjitha nivelet e shkollimit nga klasa e I-rë e deri në të XII-tën, nga mësimdhënësit e tyre.
Poashtu ata ngrisin nivelin e tyre të dijeve matematike edhe në saje të pjesëmarrjes së vazhdueshme nëpër gara të matematikës, korrektësisë dhe organizimit cilësor të këtyre garave. Gara këto që mbahen për nxënësit e shkollave të mesme të ulëta dhe të larta. Duhet të përmendim se në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies së matematikës, në shkollat fillore dhe shkollat e mesme të ulëta të Komunës së Gjilanit kanë ndikuar mjaft edhe trajnimet e mbajtura me mësimdhënës të këtyre shkollave në fushën e matematikës. Këto trajnime janë organizuar nga MASHT-i, GIZ-i gjerman dhe USAID-i amerikan dhe Gjilani ka qenë i përfshirë në tërësi. Mësimdhënësit pjesëmarrës janë ndarë tejet të kënaqur me këto mundësi të ofruara, duke ngritur kështu edhe perfomansat e veta profesionale.
Ku vlen te përmendet edhe fakti se Komuna e Gjilanit vitin e kaluar ka pasur arritshmërinë më të lartë në vend në testin e klasës 9.
Si në çdo organizim tjetër, edhe gjatë përgatitjes së olimpiadave tona matematike komunale, ka mjaft vështirësi e sfida të natyrave të ndryshme. Por falë vullnetit të madh, punës së përbashkët ekipore me kolegë, të organizuar mirë dhe përkrahjes së vazhdueshme nga DKA, si dhe shumë dashamirëve të arsimit e olimpiadave matematike, arrihet të tejkalohen me sukses këto pengesa. Kështu e vlen të falënderohen publikisht për përkrahje DKA në Gjilan, Grupi KOHA, për donacionet e shumëta në libra që po i ofron qe 4 vite me rradhë për fituesit, përcjelljen mediale të ngjarjes në KTV dhe në ,,Koha Ditore” etj. Sivjet pos grupit ,,KOHA”, olimpiadën po e përkrahin edhe kompanitë private:,,GanDizajn”, ,,DEA”, ,,SYRI-Mobile House”, Kompania ,,TinGon”, Kompania ,,Te Mali”, Revista ,,PC Ëorld”, butiku ,,Doniki” etj. . Për përkrahjen e dhënë në vazhdimësi, në organizimin e këtyre olimpiadave, Grupi ,,KOHA” dhe Kompania ,,GanDizajn” janë shpallur ,,Miq të Olimpiadave Matematike të Gjilanit” më 2014. Sivjet pritet të shpallen ,,Miq të Olimpiadave Matematike të Gjilanit” : Kompania ,,DEA” dhe Kompania ,,SYRI-Mobile House”.
Në saje të kësaj përkrahje, sivjet në OMGJ 2016 tre fituesit e pare, të secilës prej klasave IX, X, XI dhe XII, do të shpërblehen me medalje, mirënjohje, komplete librash, revista, stilolapsë etj. për stimulim, edhe mësimdhënësit e tyre do të shpërblehen me mirënjohje e libra. Por, njëherit edhe të gjithë nxënësve tjerë pjesëmarrës do t’iu jepet nga një mirënjohje për pjesëmarrje në olimpiadë.
Më tutje, në OMK 2016, nxënësit që arrijnë të zënë vendin e I, II apo III, do të shpërblehen me me medalje, mirënjohje dhe përkatësisht me 200, 150 dhe 100 Euro.
Mirënjohje dhe të njëjtat shuma në të holla përkatësisht, do t’iu ndahen edhe mësimdhënësve të nxënësve fitues, si mirënjohje për punën e tyre të deritanishme dhe si shtytje për punë të mëtejme. Këto shpërblime i ndan Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) që i siguron nga donatorë të ndryshëm. Gjithashtu edhe fituesve të vendeve të I, II dhe III të OMK 2016, do t’iu ndahen mirënjohje e medalje për vendet e zëna ndërsa nxënësve të tjerë mirënjohje për pjesëmarrje.
Perspektiva e këtyre nxënësve të talentuar është e lidhur ngushtë edhe me perspektivën e vendit tonë nëse shteti ynë i përkrahë. Nuk pritet që të gjithë ata, të bëhen matematikanë edhe pse Kosova ka ende nevojë për matematikanë të kualifikuar (në shkollimin e mesëm të lartë mungojnë mbi 200 kuadro). Por matematika është bazë për të pasur nesër edhe fizikanë, kimistë, ekonomistë, inxhinierë, arkitektë, agronomë, teknologë, oficerë etj. të përgatitur dhe mendjemprehtë qe i duhen me shumë se kurrë tani Kosovës.
Matematika në saje të ndërtimit të saj logjik që ka dhe aplikimeve të mëdha të saj, në mënyrë direkte apo indirekte ndihmon që këta nxënës të bëhen nesër edhe specialistë më të mirë edhe në fushat tjera si mjekësi, shkenca shoqërore, politike etj. Shumë nga këta ish nxënës, tani më ndodhen ne punë, në fusha të ndryshme të shoqërisë sonë dhe jashtë vendit. Shumë nga ta vazhdojnë dhe po e kryejnë shkollimin jashtë vendit me suksese të larta në universitete prestigjioze. Në këtë kuadër edhe Kosova sikur shtetet e rajonit është e goditur nga fenomeni i njohur me emrin ,, largimi i trurit”. Dmth largimi nga vendi apo moskthimi në vend i njerëzve me kualifikime të larta shkencore, në pamundësi të gjetjes së vetes në Kosovë. Kjo e varfëron shumë ardhmërinë e vendit tonë me qindra miliona euro që nuk shihen direkt menjëherë.
Programi i këtyre olimpiadave është si vijon: Detyrat e klasës IX, caktohen nga programi mësimor i matematikës për klasën e IX dhe klasave paraprake. Detyrat e klasave X, XI dhe XII caktohen nga programi mësimor i drejtimit natyror të klasave përkatëse dhe klasave paraprake. Programi i testit final për përzgjedhjen e ekipit tonë përfaqësues të Kosovës dhe programi i olimpiadave ndërkombëtare të matematikes, përmban detyra nga algjebra, gjeometria, kombinatorika dhe teoria e numrave.
Në olimpiadat e tanishme matematike, nxënësit e shkollave profesionale dhe gjimnazeve shoqërore po janë të dekurajuar për të marrë pjesë në to. Kjo po ndodhë për shkak të dallimit të madh në përgatitjen matematike të tyre në shkollat profesionale nga gjimnazet natyrore dhe matematikore. Për t’i inkurajuar ata të marrin pjesë, do të duhej të bëhet organizimi i olimpiadave matematike në dy kategori.
Njëra vetëm për nxënës të gjimnazeve matematikore dhe natyrore ndërsa tjetra për nxënës të gjimnazeve shoqërore dhe të shkollave profesionale. Kështu do të inkurajoheshin të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e tyre për përgatitje dhe pjesëmarrje më të madhe në gara.
Në fund i ftojmë të gjithë dashamirët e matematikës dhe mediat lokale e më gjerë të marrin pjesë në hapjen solemne të Olimpiadës Matematike të Gjilanit – OMGJ-2016, më 27 Shkurt 2016 në shkollën ,,Selami Hallaqi” në Gjilan, në ora 9:00 si dhe në shpalljen solemne të rezultateve në ora 16:00, të njëjtën ditë!
Ju mirëpresim në Olimpiadën Matematike të Gjilanit – OMGJ 2016 !


