Uji Dea

Kështu duket kriza

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Pothuajse të gjithë indikatorët ekonomikë në vend kanë shënuar rënie. Banka Qendrore e Kosovës konfirmon se deri në shtator të këtij viti janë zvogëluar eksportet, kanë rënë investimet e huaja dhe remitencat.

Përveç kësaj, ka rënë edhe fitimi i bankave dhe interesimi i qytetarëve për kredi. Në anën tjetër janë rritur kredit e këqija. Këtë situatë ekonomistët e vlerësojnë si tepër shqetësuese.

Ekonomisë së Kosovës nuk po i ecën mbarë.

Pothuajse të gjithë faktorët në të cilët vendi i ka varur shpresat për të ecur përpara, kanë shënuar trend negativ të zhvillimit deri në shtator.

Investitorët e huaj po vijnë gjithnjë e më pak, mërgimtarët e kanë tkurrur dorën dhe prodhimi vendës nuk po eksportohet sa duhet jashtë kufijve.

Madje edhe fitimi i bankave është zvogëluar për 30 për qind. Bizneset dhe qytetarët e rëndomtë po hezitojnë të marrin kredi. E ato para që i kanë marrë tashmë nga bankat, nuk po kanë mundësi t’i kthejnë.

Krejt këto elemente në raportin mujor statistikor të Bankës Qendrore tregojnë për një situatë jo të kënaqshme në vend me një rritje ekonomike 3.8 për qind, ndryshe nga parashikimet fillestare për mbi 5 për qind rritje.

“Sektori i jashtëm konsiderohet si faktor më me ndikim në ngadalësimin e rritjes ekonomike si rrjedhojë e rënies së eksporteve, rënies së theksuar të investimeve të huaja direkte si dhe rënies së lehtë që kanë shënuar dërgesat e emigrantëve”, thuhet në raportin e BQK-së.

Sipas këtij raporti, sistemi bankar ka vazhduar të ketë rol të rëndësishëm në financimin e aktivitetit ekonomik në vend, por me një ritëm më të ngadalshëm të rritjes së kredisë.

Gjithsej kreditë e lëshuara nga bankat deri në shtator të këtij viti kapin vlerën prej 1.76 miliard euro, që paraqet një rritje vjetore prej 6.2 për qind. Por krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo rritje është shumë më e vogël, pasi në shtator të vitit 2011, kreditë kishin shënuar rritje për 16.8 për qind.

Hidromorava

Bazuar në anketat që zyrtarët e BQK-së i kanë bërë me bankat, ngadalësimi i kredidhënies është rezultat i rënies së kërkesës për kredi. Por në një masë ka ndikuar edhe shtrëngimi i kushteve të kredidhënies nga bankat që zvogëloi ofertën për kredi.

Një tregues jo fort i mirë duket të jetë edhe rritja e kredive joperformuese, të cilat në shtator u rritën në 7 për qind nga 6 për qind sa ishin një vit më parë.

Edhe fitimi neto i bankave deri në muajin shtator ra në vlerë prej 17.2 milion euro, i cili është për 30.1 për qind më i ulët krahasuar me profitin e realizuar në shtator 2011.

Por, pavarësisht këtyre ecurive, sistemi bankar vazhdon të karakterizohet me nivel të kënaqshëm të likuiditetit.

Për njohësit e ekonomisë, këto lëvizje negative të indikatorëve makroekonomike janë shqetësuese.

Muhamet Mustafa, profesor i ekonomisë dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se këto paraqesin një realitet tashmë të njohur në Kosovë.

“E kam theksuar gjatë diskutimeve në lidhje me buxhetin se ne kemi një keqësim të indikatorëve makroekonomikë që tregojnë se kushtet e zhvillimit të biznesit në Kosovë nuk kanë shënuar një përmirësim sado që disa ligje janë përmirësuar”, thekson Mustafa.

Sipas tij, derisa ka problem të zbatimit të ligjit dhe ka problem me luftim të korrupsionit, atëherë kjo shprehet në aktivitete e biznesit.

Mustafa vlerëson se nuk ka politika të qarta të Qeverisë që do të krijonin kushte më të favorshme për mobilizimin e mjeteve me kosto që do të ndihmonin bizneset të kenë qasje më të mirë në financa dhe të rrisnin prodhimin për eksport.

Ai thotë se Kosova po e ruan stabilitetin fiskal, por nuk është i kënaqur me iniciativat e Qeverisë që të nisë projekte të rëndësishme pa studime fizibiliteti dhe analiza të mirëfillta buxhetore, pasi këto e ngarkojnë buxhetin.(express)