Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet; kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ritheksoi të enjten zhgënjimin e diplomatëve perëndimorë me refuzimin e Kosovës për të shtyre për një periudhë dhjetë muajshe zbatimit të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, fillimi i zbatimit të të cilit bëri që punonjësit serbë të tërhiqen nga institucionet e Kosovës në veri.

Në një postim në Twitter, zoti Chollet tha se ka biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, më të cilin siç tha, ndau “zhgënjimin me vendimin e Kosovës për të mos zgjatur afatin për regjimin e targave”. Ai shkroi se më presidentin serb diskutoi edhe “përkushtimin tonë për uljen e tensioneve, sigurimin e përparimit të dialogut me Bashkimin Evropuan, normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe avancimin e integrimeve evropiane të Serbisë”.

Qeveria e Kosovës më 1 nëntor filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për një shtyrje prej dhjetë muajsh për të shmangur tensionet dhe për të krijuar hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e një propozimi franko – gjerman që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Paris të enjten me presidentin francez Emmanuel Macron për të diskutuar tensionet e fundit në veriun e Kosovës dhe propozimin franko-gjerman, por ende është e paqartë nëse do të ketë një takim mes tyre.

Ata po qëndrojnë në Francë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes të Parisit dhe ishte paralajmëruar mundësia për një takim të rrallë ndërmjet tyre. Por, pas takimeve me presidentin francez asnjëra palë nuk la të kuptohet nëse ai do të realizohet.

Në një komunikatë të publikuar nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti pas takimit me presidentin francez thuhet se temë e diskutimeve ishte thellimi i marrëdhënieve dypalëshe në mes të dy shteteve, dinamizimin i dialogut Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon dhe Evropë.

“Në takim, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë potencuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, thuhet në komunikatë, në të cilën nënvizohet se temë diskutimesh ishin edhe zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës.

“Kosova do të vazhdojë të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha ndërkaq pas takimit me presidentin Macron se Serbia është e gatshme për kompromis, por nuk beson në të për shkak të autoriteteve në Prishtinë. Ai nuk beson që do të ketë takim me kryeministrin e Kosovës, por u shpreh i gatshëm për t’u takuar.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç pritet të takohen ndaras të premten me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josef Borrell.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se takimet janë pjesë e përpjekjeve për të ulur tensionet e fundit në veriun e Kosovës dhe rruga përpara në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Synimi kryesor i këtyre takimeve është vazhdimi i përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të ndihmuar të dyja palët për të ulur tensionet aktuale dhe për të arritur përfundimisht përparim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Këto janë arsyet kryesore dhe kjo është ajo që ne po përpiqemi të bëjmë, posaçërisht që nga përshkallëzimi i fundit mes Kosovës dhe Serbisë”, tha zoti Stano.

Kryeministri Kurti tha gjatë javës se Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin e nismës franko-gjermane për një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet të dyja palëve, duke bërë përpjekje të destabilizojë situatën ne veriun e Kosovës. Pohimi i tij i referohet një deklarate të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili tha se Beogradi e ka refuzuar planin franko – gjerman i cili niset nga pohimi se Kosova është shtet i pavarur.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, tha para disa ditësh se ka marrë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia për këtë nismë por pa dhënë hollësi, ndërsa autoritetet në Kosovë thanë se nisma është një mundësi që mund të shfrytëzohet për të arritur një marrëveshje normalizimi me Serbinë./VOA

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS